Biografi

Si një prej mendimtarëve dhe dijetarëve të rëndësishëm të kohës sonë, M. Fethullah Gylen është, njëkohësisht, një shkrimtar dhe poet i njohur. Lindi në Erzurum të Turqisë lindore në vitin 1941. Mori mësime fetare nga mjeshtër të shquar të teologjisë dhe mistikës islame të kohës, si Muhammed Lutfi Efendi, Haxhi Sitki Efendi dhe Sadi Efendi.(1) Në të njëjtën kohë, Fethullah Gylen studioi edhe shkencat shoqërore moderne si dhe shkencat e natyrës. Në sajë të aftësisë së lartë për të mësuar dhe punës individuale të ngjeshur, ai u dallua shpejt prej bashkëmoshatarëve. Duke u vlerësuar për sukseset studimore dhe nivelin intelektual, Fethullah Gylenit iu propozua detyra e predikuesit fetar qysh në moshë të re.

Në vitin 1959, Fethullah Gylen kaloi me sukses provimet e organizuara atë vit, fitoi të drejtën të merrte çertifikatën zyrtare të vaizit dhe u emërua në Izmir, njëri prej tre qyteteve më të mëdhenj të Turqisë. Pas këtij emërimi, ai i dha formë idealit të vet që do t'ia orientonte jetën në një drejtim të caktuar. Në predikimet dhe bisedat, Fethullah Gylen trajtonte çështje shoqërore sepse qëllimi i tij ishte që, me anë të ndriçimit intelektual dhe shpirtëror, t'i nxiste të rinjtë kah aktivizmi i karakterizuar nga respekti për njeriun. Ata që ua vinin veshin thënieve të tij, ata që merrnin pjesë në predikimet e tij, shtoheshin përditë.

Fethullah Gylen nuk i kufizoi përpjekjet e tij në qendrën e qytetit. Duke shëtitur rreth më rreth, në xhamitë, sallat e mbledhjeve, madje në kafenetë, ai i porosiste njerëzit të përdornin fjalën e butë dhe këshillën e mirë. Kjo i dha mundësi atij të afrohej me një shtresë më të gjerë të popullsisë, veçanërisht me nxënësit dhe mësuesit. Tema e bisedave të tij hapej në një spektër të gjerë, nga çështjet fetare, në arsim dhe edukim, shkencë, darvinizëm, ekonomi, drejtësi shoqërore, etj. Fakti që ai zhvillonte biseda të thella dhe cilësore rreth çështjeve të tilla komplekse, ndikoi edhe mbi mjediset akademike duke tërhequr edhe interesin, edhe respektin e tyre!


(1) Muhammed Lutfi është një prej hallkave të zinxhirit shpirtëror ku ndodhen edhe figura të tilla të mëdha si poetët e famshëm Xhelaleddin Rumi dhe Junus Emre. Muhammed Lutfi që ka qenë edhe vetë poet si dhe njëri prej personaliteteve shpirtërorë të kohës, ka ushtruar mbi F. Gylenin një ndikim të thellë dhe të pashlyeshëm.

Pin It
  • Publikuar më .
© 2024 Faqja e internetit të Fethullah Gylenit . Të gjitha të drejtat të rezervuara, Faqja zyrtare në gjuhen shqipe e mendimtarit Fethullah Gylen.
fgulen.com, është faqja zyrtare e mendimtarit Fethullah Gylen.