Dashuri per Njerezoren

Dashuria është eliksir. Një njeri që jeton me dashuri, është lumturuar prej dashurisë dhe ka mbuluar të tjerët përreth ose gëzimin e tij me dashuri. Në fjalorin e njerëzimit, dashuria është jetë. Ne e ndjejmë dhe e kuptojmë njëri-tjetrin me dashuri. Zoti i Plotfuqishëm nuk ka krijuar një marrëdhënie më të fuqishme se dashuria, këtë zinxhir që lidh njerëzit me njëri-tjetrin. Në fakt, bota nuk është asgjë tjetër veçse një rrënojë pa dashurinë që e mban atë në këmbë, të pastër dhe plot jetë. Xhindet dhe njerëzit kanë mbretërit e tyre; bletët, milingonat dhe termitet kanë, po ashtu, mbretërit e tyre; për secilin prej tyre ekziston një mbretëri dhe një mbret. Mbretërit dhe mbretëreshat vijnë në fuqi në rrugë të ndryshme dhe ngjiten në fronet e tyre shpesh me luftë dhe viktima.

Kurse dashuria është mbret që mbretëron në zemrat tona jo duke shkaktuar përleshje dhe viktima. Gjuha dhe buzët, sytë dhe veshët kanë vetëm një vlerësim për sa kohë mbajnë flamurin e dashurisë, ende dashuria është vetëm e çmueshme në vete dhe për vete. Zemra, pavioni i dashurisë, është shumë e vyer për atë që mban brenda. Kështjellat mund të mposhten pa gjakderdhje por thjesht duke valëvitur flamujt e dashurisë në ballë të tyre. Mbretërit bëhen ushtarë të dhembshurisë kur mposhten prej ushtarëve të dashurisë.

Ne jemi rritur në një atmosferë ku ngadhnjimi i dashurisë është në sytë tanë dhe, në zemrat tona kumbon gjëmimi i daulleve të dashurisë. Zemrat tona rrahin me gjallëri kur shohin të valëvitet flamurin e dashurisë. Ne jemi ndërthurur me dashuri që jeta jonë të bëhet krejtësisht e varur nga dashuria dhe ne i dedikojmë shpirtrat tanë për të. Kur jetojmë, ne jetojmë me dashuri, kur vdesim, ne vdesim me dashuri. Në çdo frymëmarrje, ne e ndjejmë dashurinë me gjithë ekzistencën tonë. Ajo është zjarri ynë ngrohës në të ftohtë dhe oazi ynë freskues kur është nxehtë.

Në këtë botë të tejpërdhosur, ku e keqja është kudo, nëse ka diçka që ka qenë lënë e paprekur dhe e pastër, kjo është dashuria. Midis të gjitha stolive të venitura të kësaj jete, nëse është një bukuri që ka ruajtur shkëlqimin dhe magjinë pa u fishkur, kjo është gjithashtu dashuria. Asgjë më të vërtetë dhe të qëndrueshme se dashuria nuk ka në çdo komb ose shoqëri të kësaj bote. Kudo ku është dëgjuar zëri i dashurisë, i butë dhe i ëmbël si një ninullë, të gjithë zërat e tjerë, të gjithë instrumentet, kanë heshtur dhe të gjithë të bashkuar kanë soditur në qetësi me përqëndrimin e tyre melodik.

Krijesa është rezultat i ndezjes së fitilit të qiriut të dashurisë, qiri për “qeniet që kuptojnë dhe shikojnë.” Nëse Zoti nuk e bën krijesën të dashur, nuk do të ketë as hënë, as diell, as yje. Qiellore janë të gjitha poezitë e dashurisë, kurse toka rimon me to. Në natyrë, goditja e rëndë e dashurisë është ndjenjë dhe, në marrëdhëniet midis njerëzve, mund të shihet duke u valëvitur flamuri i dashurisë. Në shoqëri, nëse është një pëshpëritje që përmban vlera, është dashuria, dhe përsëri vlera e dashurisë është mbështetur në vetë atë. Pesha e dashurisë është më e madhe edhe nëse kundërpesha është ar i kulluar, sepse dashuria peshon më rëndë se ari. Ari dhe argjendi mund ta humbin vlerën e tyre në tregje dhe vende të ndryshme, por dyert e dashurisë janë të mbyllura për çdo lloj pesimizmi dhe asgjë nuk mund të ndryshojë harmoninë dhe qëndrueshmërinë e saj. Deri në këtë moment të vërtetë, vetëm ata që janë zhytur në urrejtje, zemërim dhe armiqësi, planifikojnë të rezistojnë dhe të luftojnë kundër dashurisë. Për ironi, i vetmi mjekim që do t'i qetësonte këta shpirtra mizorë, është dashuria. Përtej efekteve, në tokësorët e dashuruar janë të tjera probleme që vetëm çelësat mistikë të dashurisë mund t'i zgjidhin. Eshtë e pamundur që çdo vlerë në këtë botë të mund të kalojë ose të konkurrojë njëlloj me dashurinë. Kartat e arit, argjendit, parave, ose të çdo sendi tjetër me vlerë, janë pothuajse gjithmonë të mposhtura në këtë maratonë prej adhuruesve të dashurisë dhe vetë dashurisë. Kur dita vjen me gjithë shkëlqimin e saj, stili madhështor i jetës së pronarëve të pasurive materiale është shuar, arkat e tyre janë bosh, zjarri i tyre është shuar, kurse qiriu i dashurisë vazhdon të digjet për të ndriçuar dhe për ta përhapur atë në zemrat dhe shpirtrat tanë.

Ata njerëz fatbardhë që janë gjunjëzuar në ballë të altarit të dashurisë dhe që jetën ia kanë kushtuar përhapjes së saj, nuk kanë lënë edhe një hapësirë të vogël në fjalorin e tyre për fjalë të tilla si urrejtje, mëri, komplot ose zemërim, dhe, po ashtu, nëse mendimet vënë vërtet në rrezik jetën e tyre, ata kurrë nuk janë mbushur me zemërim. Kokulur dhe të përvuajtur, të mbushur me dashuri, ata kurrë nuk kanë përshëndetur gjë tjetër veç saj. Kur ata lartësohen, ndjenja e urrejtjes kërkon të gjejë një strehë ku të fshihet, mëria bëhet ziliqare, zmbrapsur prej goditjeve, dorëzuar prej dashurisë.

E vetmja magji, e vetmja formulë që mund të shkatërrojë kurthet e satanait, është dashuria. Lajmëtarët dhe profetët, zjarrfikësit e zjarrit të urrejtjes dhe xhelozisë ndezur prej faraonëve, Nemrodit dhe mbretërve të tjerë tiranë, nuk përdorën gjë tjetër veç dashurisë. Shenjtorët kanë provuar të mbledhin së bashku shpirtrat rebelë dhe të padisiplinuar, përhapur kudo si fletë të palidhura, ata kanë shfrytëzuar dashurinë për të inicuar sjellje njerëzore te të tjerët. Forca e dashurisë ishte tejet e mjaftueshme për të prishur magjitë e Harutit dhe Marutit[1] dhe mjaft e vlefshme për të shuar zjarrin e ferrit. Pra, nuk ka dyshim që një njeri që është blinduar me dashuri, nuk kërkon tjetër armë. Sigurisht, dashuria është mjaft e fortë për të ndaluar një plumb, madje, një gjyle topi.

Interesi ynë në kushtet tona dhe dashuria jonë për njerëzimin - që është aftësia jonë për të përqafuar krijesat – është besimi në njohuritë dhe inteligjencën tonë për të njohur esencën, aftësia jonë për të zbuluar veten dhe për të ndjerë lidhje me Krijuesin tonë. Në paralel me aftësinë për të zbuluar dhe ndjerë thellësitë tona të brendshme dhe potencialin e fshehtë brenda esencës tonë, ne gjithashtu do të jemi në gjendje të çmojmë dhe të tjerët që zotërojnë të njëjtin potencial. Për më tepër, pikërisht sepse këto vlera të brendshme janë të lidhura drejtpërsëdrejti me Krijuesin dhe sepse është ushqyer respekti për gjërat e çmueshme të fshehura në çdo krijesë, ne do të fillojmë ta shohim çdo gjë të gjallë prej një perspektive tjetër dhe në një mënyrë tjetër. Në të vërtetë, niveli i inteligjencës tonë dhe vlerësimi për një tjetër varet nga njohja sa më e mirë e cilësive dhe pasurive që zotëron çdo njeri tjetër. Ne mund ta përmbledhim këtë koncept në një ide bazuar në një thënie të Profetit, paqja dhe bekimi qofshin mbi të, sipas së cilës, “Një besimtar është pasqyrim i besimtarit tjetër.” Ne mund ta shprehim të përgjithësuar kështu këtë thënie: “Një njeri është pasqyrim i njeriut tjetër.” Nëse jemi në gjendje t'ia dalim në krye kësaj si edhe të jemi të aftë të kuptojmë dhe të çmojmë pasuritë e fshehura brenda çdo njeriu tjetër, ne do të kuptojmë gjithashtu si janë lidhur këto pasuri me Zotin e tyre të vërtetë dhe në këtë mënyrë ne do të pëlqejmë çdo gjë në këtë gjithësi që është e bukur, e dashur, ose të dashurit që bëjnë pjesë tek Ai. Një shpirt që mund ta kuptojë këtë shprehje të thellë, do të bënte siç bëri Rumiu[2] që na rrëfeu prej gjuhës së zemrës: “Afrohuni, afrohuni dhe bashkohuni me ne, se ne jemi populli që jemi lidhur me dashuri pas Zotit! Afrohuni, afrohuni përmes derës së dashurisë dhe bashkohuni e qëndroni me ne! Afrohuni, le të flasim me njëri-tjetrin nëpërmjet zemrave tona! Le të flasim në heshtje, pa veshë e pa sy! Le të qeshim së bashku pa gojë ose pa zë, le të qeshim së bashku si trëndafila! Ja mendimi, le të shohim çdo njeri tjetër që nuk nxjerr asnjë fjalë apo tingull. Më pas ne jemi të gjithë të njëjtë, le t'i thërrasim çdo tjetri prej zemrave tona, ne nuk do të përdorim buzët ose gjuhën tonë. Si janë bashkuar duart tona së bashku, po ashtu të flasim dhe ne me zemrat tona të bashkuara!

Me kulturën e ditëve tona, nuk është e lehtë të dëshmosh kësodore një inteligjencë të thellë për këto ndjenja dhe vlera njerëzore; ne nuk mund t'i gjejmë lehtësisht këto në mendimin grek apo latin ose në filozofinë perëndimore. Mendimi islam e shikon çdo njërin prej nesh si një tregues të ndryshëm për një mineral të veçantë, si një aspekt të ndryshëm për një realitet. Në të vërtetë, popujt që janë mbledhur rreth pikëpamjeve të përbashkëta, të tilla si Zoti është Një, Profeti dhe feja, u ngjasojnë gjymtyrëve të një trupi. Dora nuk mund të kërkojë të krahasohet me këmbën, gjuha nuk mund të kritikojë buzën, sytë nuk mund të shohin shkarjet e veshëve, zemra nuk mund të përleshet me mendjen.

Siç jemi të gjithë gjymtyrë të një trupi të njëjtë, duhet ta shuajmë këtë dualitet që prish pikërisht harmoninë tonë. Ne duhet ta pastrojmë udhën për të bashkuar njerëzit dhe kjo është një prej rrugëve të mëdha në të cilën Zoti u dhuron sukses njerëzve në këtë botë dhe kjo është rruga me të cilën Ai e shndërroi këtë botë në një parajsë. Duke ecur në këtë rrugë, dera e parajsës do të jetë e hapur dhe gjerësisht në gjendje të na japë një mirëseardhje të ngrohtë. Tani e tutje ne duhet t'i largojmë të gjitha mendimet dhe ndjenjat që na ndajnë dhe të nxitojmë të përqafojmë njëri-tjetrin me ndjenjën e dashurisë dhe bashkimit!


* Origjinali i këtij artikulli përmbahet në Isigin Gorundugu Ufuk (Horizonti ku duket drita), Nil, Istanbul, 2000, f. 34-38.

[1] Haruti dhe Maruti për të cilët flitet në Kur'an (Bakara, 2:102), janë dy engjëj që janë marrë me magji.

[2] Mevlana Xhelaleddin Rumi (1207-1273), mistik dhe poet i madh persian,. Kryevepra e tij poetike është poema lirike mistike, Mesnevi.