• Home
  • Veprat
  • Jeta pas vdekjes
  • Ahireti ose jeta e përtejme është domosdoshmëri e emrave Kerim (bujar) dhe Rrahim (shperblyes) te Zotit

Ahireti ose jeta e përtejme është domosdoshmëri e emrave Kerim (bujar) dhe Rrahim (shperblyes) te Zotit

Ndaj më të dobtëve dhe më nevojtarëve tregohet kujdesi më i mirë e më i përsosur. Shohim se gjallesat më të brishta, se qeniet pa duar e pa këmbë ushqehen me shumë lehtësi.

Po qe se do të liheshin mënjanë ndërhyrjet e gabuara të njerëzve që e përdorin vullnetin e tyre jo për të ndrequr, por për të prishur punë, vëzhgojmë se ndaj qenieve më të dobëta e më të pafuqishme tregohet kujdes në mënyrën më të mirë.

Ja pra, mundësimi i një qelize për ta vazhduar jetën, ushqimi me metodën më të përsosur i fetusit në mitrën e nënës, kalimi i fëmijës që vjen në botë, në duart e nënës dhe plotësimi me kujdesin më të madh i të gjitha nevojave të tij, ushqyerja mjaft përsosmërisht e peshqve në fund të detit dhe e krimbave brenda frutit, dërgimi i furnizimit dhe i ushqimit gjer te pemët dhe të sëmurët e paralizuar që s’lëvizin dot nga vendi, si dhe mijëra shembuj konkretë si këta, e përforcojnë specifikën që e parashtruam më lart si ide abstrakte.

Me anë të të gjitha këtyre e kuptojmë se në gjithësi është një Individualitet Kerim (bujar) dhe Rrahim (shpërblyes) që sundon e urdhëron.

Po, Zoti tregohet kaq mirësibërës dhe bujar në tërë gjithësinë, Ai kërkon vazhdimisht të bëjë mirësi dhe bujari. Krahas dëshirës për të bërë bujari dhe mirësi, duhet edhe që ata të cilëve do t’u bëhet bujaria dhe mirësia, të ekzistojnë si trup. Meqë në këtë botë, njerëzve të dobët, të pafuqishëm dhe, në të njëjtën kohë, të vdekshëm, u bëhet kaq shumë mirësi dhe bujari, mëshira dhe bujaria e Zotit e bën të nevojshme vazhdimin e kësaj mëshire dhe bujarie. Mirëpo njeriu në këtë botë, për një kokërr rrush që ha, ha një mijë shpulla! Shijon, por nuk ngopet. Në gojë i shfaqet shija, kurse në zemër klithma dhe vajtimi. Gjërat që i japin atij kënaqësi, ikin pa e pyetur, madje pa e përshëndetur fare, si rinia, forca, fuqia dhe mirësi e dhunti të tjera të shkatërrueshme. Atëherë, Zoti që i dhuron mirësi njeriut këtu, nuk do ta shndërrojë dhuntinë në ndëshkim, kënaqësinë në mundim dhe dashurinë në armiqësi duke ia prerë njeriut aty për aty mirësitë dhe dhuntitë. Mirëpo, po të mos jenë të gjitha këto të përjetshme, dhuntia bëhet ndëshkim, kënaqësia bëhet mundim dhe dashuria kthehet në armiqësi. Në është kështu, atëherë ka një botë të përjetshme ku mirësitë dhe dhuntitë do të vazhdojnë dhe patjetër do të ketë!

Pin It
  • Publikuar më .
© 2024 Faqja e internetit të Fethullah Gylenit . Të gjitha të drejtat të rezervuara, Faqja zyrtare në gjuhen shqipe e mendimtarit Fethullah Gylen.
fgulen.com, është faqja zyrtare e mendimtarit Fethullah Gylen.