• Home
  • Intervista
  • Fethullah Gylen: "Erdogan flet për kurthe e komplote për t'i shpëtuar drejtësisë. Turqia në rrezik"

Fethullah Gylen: "Erdogan flet për kurthe e komplote për t'i shpëtuar drejtësisë. Turqia në rrezik"

Fethullah Gylen: Erdogan flet për kurthe e komplote për t'i shpëtuar drejtësisë. Turqia në rrezik

Ajo që po përjetojmë në Turqi i përngjet asaj që ka ndodhur në vendet e dominuara nga një parti apo një njeri i vetëm. Konsiderimi i hetimit mbi korrupsionin e qeverisë si përpjekje për një grusht shteti, flet për simptomat e para të një paranoje.

Fjalë të rënda. Të gjitha adresuar kryeministrit turk, Tajip Erdogan. Por sot, predikuesi mysliman me ndikim të madh, Fethullah Gylen, është vërtet i zemëruar. Autoritetet, së fundmi, i kanë hequr licensën televizionit të tij, Kanalturk. Gjatë shkurtit kanë ndërprerë financimet për qendrat e kurseve dhe shkollat jopublike të ideuara prej tij. Dhe dje në mëngjes financa ka hyrë në ndërtesën Kaynak, afër vëllazërisë së tij, duke sekuestruar edhe një sasi kompjuterësh dhe dokumentesh.

Ka një betejë të ashpër brenda Islamit në Turqi, siç është ajo midis Erdoganit dhe Fetullah Gylenit. Gyleni, 72 vjeçar, është një nga figurat më me ndikim në botën myslimane. Lëvizja e tij, Hizmet (shërbimi) është e përhapur në 160 shtete. Predikon bashkëjetesën dhe promovon dialogun. Por në Turqi ka shumë mbështetës të laicitetit, të cilët e shikojnë atë me maturi. Ndërsa fundamentalistët, si devijues.

Ai e sheh veten si asnjanës. Në fillim të viteve dymijë, aleanca e tij informale me partinë konservatore islamike të Erdoganit, solli dëbimin historik të gjeneralëve nga fuqia e pushtetit të tyre. Ai tregohet i kursyer dhe i rezervuar në të gjitha deklaratat e dhëna.

Fetullah Gylen, të dielën votohet, por Turqia po kalon një tension shumë të fortë social. Çfarë është duke ndodhur?

"Kush është përfaqësues i një detyre të caktuar duhet të bëjë kujdes në ato që thotë. Lajmet e rreme që transmetohen nga disa media, janë në gjendje ta polarizojnë shoqërinë. Në të shkuarën, Turqia ka përjetuar ngjarje të dhimbshme. Të rinjtë përlesheshin rrugëve. Grupe të ngjyrave të ndryshme politike janë përballur me njëra-tjetrën me maninë për t'u ngrënë si kanibalë. Militantë të së djathtës e së majtës, kurdë e turq, alevi e suni, fetarë e shekullarë, janë përballur si armiq.

Po thoni, që edhe sot po kalohet nga i njëjti rrezik?

"Ajo që dua të them është, se për të ruajtur progresin demokratik, paqen dhe qetësinë e arritur gjatë njëzet viteve të fundit, është një detyrë e madhe që i përket atyre që gjenden në shkallët e larta të shtetit. Por nuk e di nëse ata janë a jo të vetëdijshëm për këtë. Nuk kam reshtur kurrë së shpresuari që këto vështirësi do të kalohen me ndihmën e Allahut. Çdo gjë në kohën e saj. Ndërkohë, neve na takon të lutemi e të kërkojmë ndihmën e Zotit duke i shmangur sjelljet që mund të nxisin polarizimin. Më vijnë ndërmend fjalët e Junus Emresë (poet sufi, ndikimi i të cilit ndihet edhe në mendimin e mendimitarit Fethullah Gylen): "Vepro pa duar ndaj atij që godet, pa gjuhë ndaj atij që shan, duke mos mbajtur asnjëherë mëri."

Por ndërkohë kryeministri turk, Erdogan, po ju sulmon në mënyrë të drejtpërdrejtë. Ai flet për një 'perandori frike të krijuar nga një organizatë' që nxit gjykata e polici. Akuzon përkrahësit tuaj që po përpiqeni të përgatisni një lloj grushti shteti. Flet për një 'tradhëti'. Cila është përgjigja juaj ndaj këtyre akuzave?

'Edhe unë lodhem me të vërtetë për të kuptuar deklarata të këtij lloji. Të gjithë i mbajnë mend elozhet e thurura nga njerëzit që gjenden në zyrat e larta shtetërore, duke përfshirë kryeministrin, mbi aktivitetet e lëvizjes sonë. Tani, në mënyrë të papritur, konsiderohemi si kundërshtarë, duke u akuzuar pa pasur kurrfarë baze.

Megjithatë kryeministri Erdogani ju njeh mirë, midis jush ka patur një aleancë grupesh të drejtuara kah një vizion i përbashkët i Islamit. Çfarë ndryshoi kaq përnjëherë?

"Ndoshta dikush përfiton nga devijimi i çështjes së korrupsionit, duke u orvatur medoemos për ta paraqitur atë si një betejë për fuqi politike. Është si një përpjekje për ta bërë të rrëshqasë nga kuadri juridik dhe politik. Ndërsa njerëzit pajtohen me qenësinë e korrupsionit. Këtë e thonë provat e paraqitura në shtyp, dorëheqjet e ministrave dhe deklaratat e deputetëve. Raste të tilla ndodhin edhe në vende të ndryshme demokratike, por me ç'vërejmë, atje nuk konsiderohen si tentativa për rrëzimin e qeverisë apo si një tradhëti. Nëse ka përgjegjës, le të identifikohen dhe të dënohen nga gjykata, ndërsa qeveritë të vazhdojnë rrugën e tyre.

Cili është parashikimi juaj për ato ç'do të ndodhin më tej?

"Në vitet '90, në kohën e grushtit të shtetit postmodern (i referohet ngjarjes së nisur nga gjeneralët e vitit '97, pa derdhje gjaku, por që ndaloi ngjitjen e liderit integralist mysliman Erbakan.), kishte lojëra akuzash kundër lëvizjes sonë. Dhe gjykatat vërtetuan që këto akuza nuk kishin asnjë bazë. Ata që po i përsërisin tani, një ditë do të pendohen, madje disa syresh do të kërkojnë edhe falje. Por ndërkohë kjo shënon një humbje, si për Turqinë ashtu edhe për njerëzimin.

Megjithatë, për vite të tëra, lëvizja juaj ka qenë një aleat i partisë konservatore myslimane të Erdoganit, madje dhe për dëbimin e ushtarakëve nga fuqia, nje operacion i përfunduar me sukses. Atëherë përse tani kryeministri lufton kundër jush?

"Ne i kemi mbështetur për vlerat e tyre, qoftë ata që janë në qeverisje tani, qoftë të tjera parti politike në të shkuarën. Një mbështetje e dhënë vetëm në periudhën e zgjedhjeve. Nëse mund të quhet aleancë. Por ne nuk kemi patur kurrë asnjë pritshmëri politike. Gjithnjë kemi kritikuar atë që e kemi konsideruar të gabuar. Pozicioni ynë nuk ka ndryshuar asnjëherë. Prandaj, ai të cilit i duhet bërë kjo pyetje është pikërisht kryeministri.

Atëherë cilat janë objektivat e lëvizjes suaj?

'Ne merremi me njeriun dhe i japim rëndësi aktiviteteve edukative që ndihmojnë në zgjidhjen e problemeve të njeriut. Kemi ndërtuar konvikte, shkolla, qendra përgatitore për provimet para-universitare dhe salla leksionesh. Një shërbim ky, i ofruar në Turqi dhe në mbi 160 vende të ndryshme të botës. Popujt dhe qeverisësit e këtyre vendeve e kanë pritur lëvizjen tonë me entuziazëm. Kemi nisur aktivitete në fushën e ndihmave njerëzore, të shërbimeve sanitare dhe të dialogut. Qëllimi është të bëjmë përpara të gjithë sëbashku në një botë ku mbretëron paqja e qetësia, ku të gjithë konsiderohen të shtrenjtë si qenie njerëzore, në respektin e ndërsjellë të pozicioneve të ndryshme. Besojmë se të kërkosh pëlqimin e Allahut mundëson pikërisht këtë. Nuk kemi asnjë qëllim tjetër.

Po nën profilin politik?

'Mjaftohemi me votimin mbi bazën e vlerave të vendosura. Derimëtani, nuk kemi qenë në të njëjtën linjë me asnjë parti. Si qytetarë, nuk kemi pritshmëri të tjera përveç respektimit të ligjit, të drejtave e të lirive universale. Nuk kemi hyrë kurrë në asnjë marrëveshje dhe asnjëherë nuk kemi kërkuar fuqi.

Por ju jeni shumë i vëmendshëm ndaj vendit tuaj. Si mund të dalë Turqia nga kjo krizë?

"Ne i qëndrojmë supozimit për pafajësi gjersa të vërtetohet e kundërta. Megjithatë hetimi mbi korrupsionin është në vazhdim. Shteti vendos të gjithë forcën kundër ministrive publike dhe policëve, të cilët që nuk bëjnë asgjë tjetër pos detyrës së tyre. Në të njëjtën mënyrë, mediat janë duke akuzuar një lëvizje, e cila përbëhet prej komuniteti mjaft të gjerë. Po kërkohet të vihet fuqia gjykuese mbi kontrollin e ekzekutivit. Ndoshta zgjidhja qëndron në respektimin e ligjit, të së drejtës, të parimeve demokratike ashtu siç bëjnë pjesë edhe në kriteret e Bashkimit Europian, meqë vendi ynë ecën drejt tij duke mbajtur statusin e vendit kandidat.

Me një këmbë të ndalur ama. Si mendoni ju?

"Aventura turke drejt futjes në BE u bë një politikë shtetërore, por e pati fituar mirëkuptimin e shoqërisë. Edhe ne e mbështetëm. Vite më parë pata thënë, që qoftë Turqia qoftë Europa kanë çtë japin e të marrin nga marrëdhëniet mes tyre të ndërsjella. Për këtë nuk kam ndryshuar mendim as sot e kësaj dite."

Ju jetoni në vetëmërgim në Shtetet e Bashkuara. Përse keni bërë këtë zgjedhje?

"Është një zgjedhje, të cilën ma ka kushtëzuar shëndeti im. Shqetësohem për faktin se kthimi im në Turqi, mund të shihet dhe të vlerësohet si një mundësi për të përkeqësuar një situatë, e cila tashmë është tensionuar jashtë mase. Në kohët e grushtit të shtetit postmodern, në 28 shkurt 1997, vuajta, le të themi, një përndjekje nga ana e anëtarëve të fuqisë gjykuese, nën presionin e regjimit militar, për shkak të shpifjeve e mashtrimeve që ishin përhapur lart e poshtë. Të gjitha akuza të padrejta, pa as edhe një bazë.'

Por ka nga ata që mezi e presin kthimin tuaj në Turqi. Do ta bëni diçka të tillë një ditë?

'Për fat të keq, ende dhe sot transmetohen shpifje me anë të shtypit. Në këto rrethana, duke ndjekur këshillën e mjekëve, preferoj të qëndroj këtu. Të dija që problemet e Turqisë do të gjenin zgjidhje me vdekjen time, do të zgjidhja të vdisja çdo ditë me mijëra herë. Preferoj të qëndroj këtu, duke e varrosur në zemër mallin dhe nostalgjinë që kam për vendin tim, për të mos i dhënë shkas atyre që synojnë prishjen e paqes dhe të qetësisë së Turqisë."

Ju jeni dhe një pikë referimi shpirtërore. Në 1998 keni shkuar në Vatikan dhe keni patur një takim të rëndësishëm me Papa Gjon Palin II. Si e shihni ardhjen e Papa Françeskut dhe reformat e ndërmarra kohët e fundit prej tij?

"Dialogu është një mjet efikas për të shmangur paragjykimet dhe keqkuptimet midis njerëzve, duke i afruar ata. Nuk kam patur ende asnjë mundësi komunikimi me Papa Françeskun. Por nga ajo që kam mundur të shoh, ai është pranuar në të gjithë botën me admirim, pikërisht për qëndrimin e tij të hapur ndaj dialogut. E cila përkon me atë që përpiqemi të bëjmë edhe ne.

Pin It
  • Publikuar më .
© 2024 Faqja e internetit të Fethullah Gylenit . Të gjitha të drejtat të rezervuara, Faqja zyrtare në gjuhen shqipe e mendimtarit Fethullah Gylen.
fgulen.com, është faqja zyrtare e mendimtarit Fethullah Gylen.