Bisedë me "terroristin" që Turqia i kërkon Trump-it ta ekstradojë

Kush do ta kishte menduar se një klerik turk që jeton në Pensilvaninë Lindore do ta përballte administratën e presidentit Trump me një nga sfidat e saj më të forta të politikës së jashtme. Mirëpo Turqia kërkon ekstradimin e Fethullah Gylenit, në mënyrë që ai të përballet me akuzat e përfshirjes në tentativën e vetëm disa muajve më parë për grusht shteti, kundër njeriut të hekurt, Erdoganit. Madje edhe këshilltari i Trump-it për sigurinë kombëtare, gjenerali Michael Flynn, një lobues i mëhershëm i Turqisë, ka propozuar që kjo çështje të jetë në krye të agjendës së ekipit e ri të politikës së jashtme.

Pa dyshim, ekstradimi do të ndjellë një valë të fortë proteste nga ana e aktivistëve për të drejtat e njeriut në mbarë botën, sepse një dënim i Gylenit prej gjykatave turke do të shihet si një justifikim i turpshëm i rrekjes së Erdoganit për ta pastruar Turqinë prej të gjithë kundërshtarëve të tij politikë. Që prej tentativës për të rrëzuar qeverinë, Erdogani ka vënë në pranga me dhjetëramijëra gazetarë, mësues, juristë, policë etj., për të cilët mendohet se janë simpatizues të lëvizjes "Gylen".

Duke qenë se ia kam kthyer vetes në zakon tashmë që të studioj pikëprerjet mes religjionit dhe politikës në gjithë botën, Gyleni ishte qartazi dikush që do të doja të takohesha me të. Kohët e fundit m'u dha një mundësi e tillë.

Në dhjetor, disa njerëz të lëvizjes, të ashtuquajtur ndryshe "Hizmet" (Shërbim), të ndikuar nga mësimet e tij, më bënë të mundur që të kryeja në vizitë pranë tij. (Që të jemi të hapur ndaj njëri-tjetrit, duke qenë se unë e kisha planifikuar tashmë që do të isha në Bregun Lindor atë ditë, nuk ma ka paguar lëvizja udhëtimin, por më gostiti me një omëletë në një restorant të vogël gjatë rrugës prej aeroportit të Newark-ut.) Në atë takim ishin ftuar edhe tre studiues të tjerë; të gjithë përbënim një grup të vogël të krishterësh, hebrenjsh dhe myslimanësh.

Kur na njohën me Gylenin, ai tentoi të ngrihej nga kolltuku për të na takuar. Teksa u ngrit, u lëkund disi, aq sa unë pata frikë se do të rrëzohej. Miqtë e tij i qëndronin përherë pranë, për ta ndihmuar, ndërsa ai më shtrëngoi dorën fort. Megjithëse dukej që ishte i dobët shëndetërisht, vërejta se ishte tejet i vëmendshëm dhe të dëgjonte me shumë kujdes. Në një moshë mes 75 dhe 78 vjeç, ai vuan prej diabetit dhe prej disa sëmundjeve kardiovaskulare.

Arsyeja pse gjendesha aty, për t'u njohur me Gylenin, nuk ishte që të zbuloja nëse ishte ai apo jo i përfshirë në përpjekjen për grusht shteti; është e sigurt që nuk do t'ia dilja që ta zbuloja dot diçka të atillë. Kisha shkuar deri aty më tepër prej kureshtjes, për t'u përpjekur që të kuptoja magnetizmin e jashtëzakonshëm të një njeriu që ka mbledhur rreth vetes një numër të pabesueshëm prej qindramijëra njerëzish të klasës së mesme në Turqi dhe në mbarë botën dhe që pushteti i tij ka shqetësuar krerët e shtetit në Turqi. Përshtypja ime fillestare ishte ajo e takimit me një xhentilmen të tërhequr e të heshtur, i cili nuk shfaqte asnjë nga shenjat që shfaqen te liderët shpirtërorë, të cilët kanë fituar respektin e sa e sa njerëzve që kanë përreth.

Dhoma ku u takuam ishte një dhomë e mirë ndenjjeje me disa kolltukë dhe divanë të renditur njëri pas tjetrit, me një kolltuk të veçantë në krye të dhomës, i cili jepte përshtypej e një froni. Me shumë gjasa ai ishte kolltuku ku ulej ai, sepse para tij qëndronte i ngritur një sistem regjistrimi dhe një ekran me pjesë leximi. Unë bëra një hap para që ai të ulej në kolltukun e tij, mirëpo ai këmbënguli që atje të ulesha unë, duke qenë se kisha shkuar mik, ndërkohë që ai u ul në një vend më të thjeshtë ndanë meje. Nuk kaloi shumë kohë dhe njerëzit aty na shërbyen çaj dhe ëmbëlsira turke dhe kështu filloi edhe bashkëbisedimi.

"A ju ka shqetësuar ndonjëherë fakti," - e pyeta unë. - "pse, duke pasur parasysh të gjithë armiqtë që mund të ketë presidenti i Turqisë, ai ju zgjedh pikërisht ju për t'ju sulmuar? A e keni pyetur ndonjëherë veten "pse unë?"

Gyleni u mendua për një moment dhe mandej tha se ai ia ka bërë shumë herë vetes këtë pyetje, sidomos gjatë këtyre muajve të fundit. Ai tha se kishte arritur në përfundimn se ai dhe Erdogani ishin prerë nga stofra të ndryshme. Ata ishin të dy të interesuar për ta lidhur fenë me jetën publike, mirëpo qasjet e tyre nuk ishin të njëjta. Erdogani vjen prej botëkuptimi të "islamit politik" - u shpreh ai, i cili për nga vetë natyra është autokratik.

 

Gyleni na tha neve se ai nuk e njihte mirë Erdoganin - ata ishin takuar vetëm dy herë gjithsej me njëri-tjetrin. Njëherë kur Erdogani kish shkuar pranë tij për t'i kërkuar mbështetje politike, duke i shpjeguar se, njësoj si Gyleni, edhe ai kërkonte që në jetën publike të zinin vend një varg vlerash morale. Asokohe Gyleni mendonte se kjo ishte diçka shumë e mirë, kështu që mendoi se mbështetja e tij ishte gjëja e duhur dhe kështu vepruan edhe shumë njerëz të lidhur me lëvizjen "Hizmet". Shumë vëzhgues ia kanë atribuar pikërisht aleancës Erdogan-Gylen ndikimin kryesor në dobësimin e rendit shekullarist të kemalistëve në Turqi.

Megjithatë, marrëdhënia mes Erdoganit dhe Gylenit filloi të hidhërohej kur në shesh dolën informacione se brenda rrethit të ngushtë të Erdoganit bëhej fjalë për afera korruptive të rënda, si dhe për përpjekje të presidentit aktual për të marrë në dorë gjithë pushtetin në vend. Simpatizuesit e Gylenit në radhët e policisë, të sistemit të drejtësisë dhe të medias po udhëhiqnin në zbardhjen e këtyre akuzave për korrupsion. Ndaj, shumë shpejt Erdogani filloi t'i sulmonte haptazi këta zëra kritikë të lidhur disi me lëvizjen dhe mbylli çdo gazetë që kishte qoftë edhe lidhjen më të vogël me Gylenin.

Mandej erdhi 15 korriku i 2016-s, kur kundër presidentit Erdogan u organizua një grusht shteti, i cili dështoi, ngjarje kjo që u dënua menjëherë edhe prej vetë Gylenit, i cili e cilësoi atë si jodemokratike, duke theksuar se ai dhe mbështetësit e tij mohonin çdo lloj lidhjeje mes tyre dhe kësaj që kish ndodhur. Unë nuk kam kurrfarë mjeti për ta verifikuar nëse është kështu apo jo e vërteta, mirëpo ai izolim i tij në një kompleks të veçuar në atë zonë pylli dhe pa kurrfarë strukture organizimi rreth tij, më duket e vështirë që t'i imagjinoj ata njerëz duke thurur një plan intrige për të rrëzuar qeverinë në anën tjetër të botës.

Dhe edhe më pak gjasa duket të ketë që dhjetëramijëra mësues, gazetarë, avokatë, gjyqtarë, biznesmenë dhe nëpunës të shërbimit social në Turqi, të cilët janë arrestuar që prej ditës që pasoi tentativën për grusht shteti. Planet e grushtit të shtetit janë, për nga natyra, të lidhura vetëm me një rreth të ngushtë njerëzish që mendojnë gjithçka. Edhe sikur të bëhet fjalë për një rreth të ngushtë të mbështetësve të Gylenit, të cilët të jenë përfshirë, është e pagjasë që dhjetëramijëra admirues të Gylenit të kenë qenë që më parë në dijeni të diçkaje të këtillë .

Poende është e qartë se ata kanë qenë të gjithë kritikë ndaj regjimit të Erdoganit. E përditshmja me tirazhin më të lartë në Stamboll, Zaman, e cila ishte simpatizuese e qëndrimeve të Gylenit dhe për një kohë të gjatë edhe e politikave të presidentit Erdogan, u bë edhe më e ashpër në kritikat ndaj asaj që e cilësonte si regjimin më të korruptuar. Edhe para tentativës për grusht shteti, qeveria kishte mbyllur sa e sa gazeta dhe pati burgosur sa e sa gazetarë të saj. Ndjekësit e Gylenit ishin kthyer në makthin e qeverisë turke.

E kam të vështirë që të them se kush mund të quhet ndjekës i Gylenit, sepse ajo që kam dëgjuar unë është se kjo lëvizje nuk ka role të caktuara brenda saj. Nuk ka kurrfarë rishtarie, anëtarësimi apo gjëra të ngjashme. Mund të ketë rrethe të ngushta brenda saj apo rrjete, për të cilat unë nuk kam dijeni, mirëpo në të tërën e saj kjo shfaqet si një lëvizje me përhapje të gjerë, ku pjesëtarë mund të quhen të gjithë ata që bien dakord me idetë e Gylenit dhe e ndiejnë veten të frymëzuar prej tij. Kështu që, të zotërosh veçse një libër të shkruar prej Gylenit nuk e bën atë medoemos ndjekës të kësaj lëvizjeje.

Ajo çfarë Gyleni u mëson njerëzve përmes shkrimeve të tij është një përzierje interesante mes mistikës sufiste, tolerancës ndërmjet besimeve, virtytet qytetare dhe sipërmarrja. Ajo që përbën pikën më tërheqëse të saj është nocioni i një islami modern, i cili zotëron gjithë dinamikat e mundshme për t'u përshtatur me realitetet jetësore të kësaj epoke multikulturore. Ky ideal i një Islami të angazhuar i ka shtyrë ndjekësit e tij që të ngrenë me qindra shkolla, të hapin me qindra gazeta, spitale, të hartojnë projekte të shërbimit shoqëror, shoqata të dialogut ndërfetar dhe organizma profesionistësh në fusha të caktuara. Unë jam i mendimit se pjesa më e madhe e këtyre projekteve janë të decentralizuara dhe të ideuara në mënyrë origjinale nga njerëz të frymëzuar prej mësimeve të Gylenit dhe jo të orkestruara prej ndonjë vendimmarrjeje nga "qendra".

Siç është theksuar edhe më parë nga të tjerë, vendbanimi i Gylenit nuk ngjan fare si një qendër e kontrollit të një organizate ndërkombëtare që vendos për gjithçka që ndodh në emër të lëvizjes. Kush e viziton apo e sheh atë, do të vërejë se bëhet fjalë për një kamp, i cili i atillë ka qenë edhe më parë, për rininë, prej njëzetegjashtë akrash ndanë një rruge të qetë të qytetit të Saylorsburg-ut në Pensilvaninë lindore. Një fermë gjigante është kthyer në një ndërtesë për pritjen e miqve, ndërkohë që një tjetër është ajo ku ne zhvilluam edhe takimin tonë, ngjitur me dhomën e gjumit të vetë Gylenit, e cila ngjante të ishte dhoma më private në tërë atë kompleks. Dhoma e tij e gjumit ishte gjithsej as njëzet metra katrorë, në të cilën gjendeshin një tryezë, një karrige, një dollap rrobash, një sexhade për t'u falur dhe krevat tek i ngushtë dhe një pasqyrë e vogël pranë dyshemesë.

Gyleni, çdo mëngjes, u jepte mësim një grupi të vogël nxënësish, - na u tha neve, mirëpo nuk kishte banues të përhershëm në atë godinë përveç Gylenit vetë. Një prej vizitorëve që unë u njoha aty ishte një profesor i një universiteti të njohur në Turqi, i cili ishte arratisur prej vendit gjatë valës së spastrimeve që kishte nisur të ndërmerrej pas përpjekjes për grusht shteti.

Pavarësisht rrezikut që "përbën" Gyleni si lideri i një aparati tejet të gjerë ndërkombëtar, duke qenë se çdo lëvizje është një "rrezik", sepse nuk kontrollohet dot edhe aq lehtë. Nëse është Gyleni që ka të drejtë dhe Erdogani i trembet çdo gjëje që ai nuk arrin ta kontrollojë dot, atëherë është më se e natyrshme që Lëvizja Gylen të shihet si një rrezik për qeverinë turke, duke qenë se ajo mban qëndrim kritik ndaj abuzimeve të pronës publike. Atëherë bëhet më se e kuptueshme pse regjimi i Erdoganit ka mbyllur deri më tani me qindra shkolla, universitete dhe organe mediatike apo projekte të tjera me ndikim shoqëror, për të cilat pretendohet se janë të lidhura me Gylenin, pa harruar të përmend këtu edhe thirrjet e vazhdueshme të Turqisë drejtuar vendeve të tjera në mbarë botën që të veprojnë edhe ato kësisoj në   vendet e tyre.

Pyetja që lind është kjo: A ia del dot Erdogani që ta shkatërrojë këtë lëvizje? Pjesa tjetër e bisedës sonë me Gylenin kishte të bënte me faktin se si ia del kjo lëvizje të zhvillojë veprimtarinë e saj gjatë kësaj kohe persekutimesh dhe përndjekjeje të pareshtur.

Gyleni na tregoi se të gjitha traditat fetare janë të mbushura plot e përplot me histori persekutimesh dhe sa më shumë vështirësi që të kenë kaluar, aq më të forta janë bërë ato. Historia e judaizmit është e mbushur plot e përplot me to. Por jo më pak edhe ajo e Krishterimit. Unë i tregova atij se kur unë, së bashku me bashkëshorten time, patëm vizituar njëherë zonën e Kapadokias në Turqi, patëm qëndruar për njëfarë kohe në shpellën ku qenë fshehur njëherë e një kohë një grup besimtarësh të krishterë, për t'u mbrojtur prej persekutimit romak. Megjithatë, Krishterimi ia ka dalë që të mbijetojë, jo vetëm në Turqi, por edhe në mbarë botën. Aty Gyleni shtoi se kështu do të ndodhë edhe me vullnetarët e përkushtuar të kësaj lëvizjeje.

Kur Dalai Lama qe detyruar që të braktiste Tibetin, shumë njerëz patën menduar se forma e Budizmit të tij tibetian do të zhdukej njëherë e përgjithmonë. Mirëpo, megjithëse në ekzil, Dalai Lama arriti të kthehej në një figurë të madhe në nivel ndërkombëtar, një përfaqësues i religjiozitetit multikulturor. Disa prej të pranishmëve në dhomë, të cilët merrnin vazhdimisht mësime prej vetë Gylenit, më pohuan se edhe mësimet e tij mund të kishin të njëjtin ndikim në nivel mbarëbotëror, çka ata dukej se e dëshironin me gjithë zemër.

Në fund të bisedës sonë, e cila zgjati plot dyzet e pesë minuta, Gyleni u çua të na jepte secilit nga një dhuratë: një stilolaps i paketuar i markës "Cross", si dhe një parfum shumë i këndshëm me një paketim të veçantë. Ai ndihej shumë i gëzuar dhe, ndërsa ai u largua nga dhoma, ne kishim tashmë mundësi që të bisedonim disi më lirshëm për çështje edhe më të gjera rreth së ardhmes së lëvizjes. Të pranishmit aty na thanë se, veçanërisht gjatë këtyre ditëve, atë (Gylenin) e kanë lodhur së tepërmi shpifjet dhe përbaltjet e koëve të fundit, si dhe kushtet në të cilat gjenden shumë prej ndjekësve të lëvizjes dhe institucioneve që ata patën krijuar me forcat e tyre. Megjithatë, ai është përherë entuziast për t'iu rikthyer gjithnjë vizionit të madh për një shoqëri më të drejtë dhe më tolerante, si në Turqi, ashtu edhe në mbarë botën.

 

Pin It
  • Publikuar më .
© 2024 Faqja e internetit të Fethullah Gylenit . Të gjitha të drejtat të rezervuara, Faqja zyrtare në gjuhen shqipe e mendimtarit Fethullah Gylen.
fgulen.com, është faqja zyrtare e mendimtarit Fethullah Gylen.