Dhimbja e së Shkuarës, Vuajtja e së Sotmes, Shpresa e së Ardhmes

Natyrisht që Gyleni nuk është një person që nuk i pranon kritikat. Po është edhe një realitet, që Gyleni nuk mund të gjykohet për nga qëllimi i tij. Edhe një person që nuk ka qëndruar shumë pranë tij, po ka dëgjuar një pjesë të bisedave të tij, i ka hedhur një sy kalimthi shkrimeve që ai shkruan prej mëse gjysmë shekulli, i kanë hasur në vesh disa fjalë nga predikimet që ai ka bërë për kaq kohë, e kupton dhe e vlerëson menjëherë ndjeshmërinë e tij fetare. Gyleni është një njeri që jetën e tij ia ka kushtuar lartësimit të emrit të Zotit në linjën e adhurimit të Tij, nëse do të lejonte mirësia hyjnore, qëllimi i jetës së tij është arritja e besimit dhe e rrugës së drejtë për çdo njeri. Në një sens, ai ia ka kushtuar jetën e tij njerëzimit. Në qëllimin e tij në këtë pikë, nuk ka vend as për një grimcë dyshimi e ngurrimi.

Në Kuran, Profetit tonë i tërhiqet vëmendja kështu: “Mos do që të shkatërrosh veten, (O Muhamed) duke rendur pas tyre, se ata nuk e besojnë këtë Fjalë-Kuranin?” (Kehf, 6)

Edhe Fethullah Gyleni, ndonëse jo në nivelin e një profeti, është një njeri që vuan e preokupohet për këtë. Ai është një njeri që arrin t’i thojë atij që ka përballë “Për shpëtimin tuaj e për përparimin tuaj në këtë rrugë, jam i gatshëm të vdes e të ringjallem pesëdhjetë herë çdo ditë”, një njeri që i është përkushtuar rrugës së Zotit, gjetjes së asaj rruge e shpëtimit të njerëzve në botën tjetër. Ky është edhe aspekti nga i cili duhet të njihet Gyleni. Kjo vuajtje e tij, kjo dashuri e njohje e Zotit, që i shkumëzon ndjenjat në shpirt, shpjegohet veç me dashurinë për njerëzit e rëndësinë që ka jeta e përtejme për të, e cila mund të përfundojë ose në një gropë të mjeruar dhimbjeje ose në një lumturi të pafund.

Çdo njeri, si rezultat i natyrës së tij të krijuar, ndien një lidhje së pari me mjedisin e tij, pastaj gradë pas grade, me rrethe më të gjera, me vendin e me kombin. Në këtë pikë mund të pohojmë se lidhja më e parë e Gylenit është Turqia dhe njerëzit e saj, pastaj bota islame e pastaj gjithë njerëzimi. Një mendimtari ynë thotë: “Ai njeri që përpiqet për kombin është një komb vetë”. Njerëzit që kanë fituar njohjen e Zotit dhe i janë kushtuar Islamit me shpirt, ashtu sikur vërehet edhe në shkrimet e Gylenit, nuk mendojnë veten, po mendojnë ata që ka krijuar Zoti, në lidhje me Zotin. “Nuk të kemi dërguar, veçse mëshirë për botën” (Enbija, 107), i drejtohet Zoti Profetit me një ajet të Kuranit. Siç kuptohet edhe nga ky ajet, njerëz të tillë, që të mbushur me dashuri e njohje i janë përkushtuar Zotit e krijesave të Tij janë qendër reflektimi e mëshirës hyjnore, një pasqyrë e kësaj mëshire ndaj krijesave të tjera. Ata nuk kanë një qëllim tjetër në jetë: zemra e tyre rreh vetëm për Zotin e për të drejtuar çdo krijesë të Tijën drejt Tij, për të shpëtuar jetën e tyre me besimin në Zot; mendja e tyre punon vetëm në këtë drejtim. Edhe Fethullah Gyleni, ndonëse nuk e sheh veten të përshtatshëm për ndonjë detyrë a mision, ndonëse e trajton veten si më të pavlerën e krijesave – Ibrahim Hakki thotë se nuk i jepet detyrë udhërrëfimi drejt besimit një njeriu që nuk e sheh veten si më të ulëtën e krijesave se ai njeri do të vendosë shpatullat aty ku njerëzit vendosin këmbët – ai i është përkushtuar me gjithë jetën e tij një qëllimi të tillë dhe dëshiron që edhe bota turke, edhe njerëzimi mbarë t’i përkushtohet të njëjtit qëllim. Ai është një mysliman që i është dorëzuar Zotit dhe si i tillë e sheh shpëtimin e njerëzimit te besimi në Zot dhe te fitimi i njohjes e i dashurisë së Tij, ndaj dhe çdo episod të jetës së vet ai e ka gërshetuar me këtë qëllim. (Shih: Sizinti, Janar 2000)

Në të gjithë qenien morale e trupore të Gylenit dallohet qartë vuajtja e dhimbja që i shkakton ky qëllim. Kjo dhimbje e vuajtje është gjëja e parë që spikat edhe në shkrimet, edhe në bisedat e tij. Njëkohësisht, dhimbja e rënies së një qytetërimi të mrekullueshëm, po të pafat, shqetësimi për njeriun turk, i cili ende nuk ka ardhur në vete pas gjithë atyre traumave që ka përjetuar, si dhe shpresa për të ardhmen, janë dimensionet e pandashme të vuajtjes së tij. Bile mund të themi se çdo kuadër i jetës së Gylenit thuret në tezgjahun e dashurisë e besimit në Zot me dhimbjen për të shkuarën, shqetësimin për të sotmen e shpresën për të ardhmen. Ky fakt shihet qartë edhe në shkrimet, edhe në poezitë e tij (Shih: Penza e Thyer)

Fethullah Gyleni, si një njeri i dhimbjes, shqetësimit, mallit e shpresës, karakterizohet nga një zemër tejet e ndjeshme, e cila ndikon menjëherë në lotderdhje. Ai personalisht i përngjason lotët me poezitë, ndaj është e natyrshme të pohojmë se edhe poezitë e tij janë lotë të formuar nga pikat e mallit, dhimbjes, vuajtjes e shpresës.

Fethullah Gyleni i sheh lotët si zgjidhje të shumë problemeve, që nga njeriu i parë e gjer më sot dhe i vlerëson ata si një çelës i rëndësishëm i përdorur nga të gjithë profetët:

“A nuk e përmbyti ai i Dërguar, Profeti i tufanit, botën me lotët e tij? A nuk e ktheu në vend paqeje edhe zjarrin Halilullahu-Miku i Allahut?

A nuk ishte gjithmonë i përlotur ai shpirt i brishtë, qendër e misterit hyjnor, lajmëtari i Faraklitit, Mesihu, Ruhullah?

Dhe stacioni i fundit, pikënisja e rrugës së drejtë, zbuluesi i misterit hyjnor, ai shpirt i bekuar, a nuk e zgjidhi me lotët e vet këtë enigmë? Që nga gjoksi i nënës nisi përgjërimin: “populli im, populli im…” e vazhdoi të rënkonte e të përgjërohej për të, edhe pas ringjalljes, edhe në të përtejmen…”(Sizinti, Shtator 1979)

Edhe dikush që e njeh Gylenin vetëm nëpërmjet shkrimeve të tij, arrin të dallojë atë “natë dimri” të stërzgjatur në të cilën ai jeton; herë e mbushur me makthe e tmerre, e herë me “ëndrra të ëmbla”. Edhe pse në poezitë e tij ai i përmend shpesh “netët e dimrit”, vetë boshti i jetës së tij, skena e romani i saj janë “netët e dimrit”. (Kirik Mizrap, 1-2, 167-68)

Pin It
  • Publikuar më .
© 2024 Faqja e internetit të Fethullah Gylenit . Të gjitha të drejtat të rezervuara, Faqja zyrtare në gjuhen shqipe e mendimtarit Fethullah Gylen.
fgulen.com, është faqja zyrtare e mendimtarit Fethullah Gylen.