Disa aspekte të tjera në konceptin islam të Gylenit

Sikur jemi munduar ta paraqesim edhe më sipër, Fethullah Gylen, në konceptin e Islamit prioritetin ia jep përmasës shpirtërore të besimit, kryesisht imanit, pastrimit të shpirtit nga mëkatet deri në purifikimin e tij, ngopjes me dituri fetare, shkurtimisht ringjalljes shpirtërore dhe ndriçimit të mendjes me shkencë e dije, bashkimi i të cilave do të nxjerrë në pah një mënyrë jetese të ndërgjegjësuar dhe një aktivitet të bazuar në vetëdije. Edhe komponentët e tjerë të konceptit të tij ndaj Islamit janë të bazuara në këto principe. Në këtë prizëm, subjekti të cilit ai i jep më shumë rëndësi, është konceptimi më së miri i besimit dhe i adhurimit të Zotit. Në këtë konceptim, çdo rob Zoti e ka për detyrë ta njohë Atë, të hulumtojë për njohjen e Tij më së miri, të formojë një kulturë ndërgjegjësore të vetën dhe të jetë i vetëdijshëm për adhurimin e tij. Kjo gjë është e mundur vetëm me dorëzimin total të krijesës te Krijuesi, duke e kuptuar ndërvarësinë e vet absolute para Pushtetit Absolut të Zotit dhe duke u ndërgjegjësuar se vetëm duke iu mbështetur këtij Pushteti, mund të arrihet një farë force e aftësie personale. Gjithashtu, duke kuptuar pamundësinë e vet përballë Pasurisë dhe Zotërimit të Tij Absolut, njeriu do të ndërgjegjësohet se është i varur tërësisht nga Krijuesi dhe do të konceptojë domosdoshmërinë e adhurimit dhe të falënderimit për gjithçka që ai ka.

a. Konceptimi i njësisë së Allahut duke konceptuar adhurimin

Lidhja e Zotit me robin e Tij në Islam është ndryshe nga fetë e tjera. Ai që i bëhet rob Zotit duke kuptuar tejvogëlsinë e vet përballë Atij, e duke iu mbështetur pushtetit e pasurisë së Tij, arrin të shpëtojë nga çdo lloj robërie tjetër. Duke adhuruar Zotin ai mohon përuljen përpara lloj-lloj robërish të tjera që cenojnë lirinë dhe personalitetin e njeriut, siç janë përulja para dëshirave dhe epsheve, përulja para famës, pushteteve kalimtare dhe të tjera si këta. Kështu njeriu i shpëton inferioritetit dhe arrin në një tjetër nivel. Pikërisht, kjo është një pikë mbi të cilën Gyleni qëndron shumë. Në shumë shkrime dhe intervista të tij, ai i kthehet herë pas here dhe e trajton me delikatesë të veçantë këtë çështje. Më poshtë do të japim një bisedë të tijën, botuar edhe si libër më vonë, ku ai sërish trajton këtë çështje:

“Alvarli Efe thoshte kështu për njeriun: “më e madhja bela është ajo që ka shastisjen në thelb.” Në ditët tona, si myslimanët, si ata që zbulojnë rishtazi myslimanizmin, se pse, drejtohen menjëherë në arenë politike. Mirëpo të gjithë problemet nisin te “uni” dhe mbarojnë te “uni”. Njeriu është pasqyra më tërësore e Zotit, në të cilën janë reflektuar të gjithë atributet e Tij. Ndaj edhe njeriu, domosdo që ka marrë edhe nga shprehja “Unë”, e përdorur nga Allahu dhe kjo është reflektuar te ai në formën e egos. Vetëm se “uni” i njeriut nuk është një “unë” i krijuar nga ai vetë, pra i pavarur, që i përket drejtpërsëdrejti njeriut. Ai “unë” është një linjë aq e dobët, një pikë aq e paqartë, sa mund të shprehet me hiç; një zero. Vetëm se në këtë zero pasqyrohen të gjithë emrat hyjnorë të Eternit. Nëse njeriu i di prej Zotit gjithçka posedon, forcën, jetën, vullnetin, dijen, bukurinë, shkurt gjithë ai ç’ka në emër të së mirës e të vlefshmes dhe e sheh vetveten si një pasqyrë e tejdukshme e Krijuesit, si një zero, atëherë ky njeri arrin në shkallën më të lartë në hierarkinë e krijesave (alai il’lijjin). Me forcën e Zotit, bëhet i fortë, pasurohet me pasurinë e Tij, dëshiron me vullnetin e Tij dhe njeh me diturinë e Tij. Duke qenë zero, arrin pafundësinë…

“Në të kundërt, nëse njeriu shastiset në thelb dhe në vend që ta përdorë egon si njësi matëse, e si vlerë për të njohur Allahun, merr gjithë ç’i ka dhuruar Krijuesi, jetën, forcën, pasurinë, aftësitë, talentet e sukseset dhe matet me Të në një konkurrencë pa sens “Ti je Ti, unë jam unë”, atëherë egoja forcohet; ndjenja e përkatësisë në një shoqëri, fis, profesion apo çfarëdo grupi e fryn atë aq shumë, saqë është në gjendje ta gëlltisë të zotin. Më pas, ai njeri, kërkon qenie, të vërteta apo imagjinare me të cilat mundohet të ndajë pushtetin e Zotit, duke i krijuar vetvetes lloj-lloj idhujsh e perëndish. Historia tregon qartë për faraonë, nemrudë e Ebu Xhehilë, që i gëlltiti kjo ego e sëmurë dhe e fryrë, sikurse tregon edhe për idhuj e perëndi, që adhuroheshin, të cilat kishin dalë në dritë si një simbol i kësaj egoje të sëmurë. Ditët tona, natyrës e ligjeve të saj i është veshur një aftësi krijimi dhe ajo degë e shkencës e cila ushqen këtë teori, nuk është veç një tentativë e egove për të ndarë pushtetin mbi pronat e Zotit. Si përfundim, në burimet dhe zgjidhjet e të gjithë problemeve që dalin në çdo aspekt të jetës, sociale, politike dhe ekonomike, gjenden vetitë e cilësitë e egos, pastaj, të para nga ky prizëm, edhe njohja e Zotit dhe e krijimit.

“Ajo që i takon njeriut, është të njohë karakterin e vërtetë të egos, të kuptojë dobësinë e pamundësinë e qenies së tij në vetvete, t’i drejtohet Fuqisë e Vullnetit Absolut dhe të besojë se gjithçka është në vullnetin e Tij. (Unal 2001,104-106)

Në këtë aspekt, Fethullah Gylen trajton me një delikatesë të posaçme edhe “modestinë, thjeshtësinë dhe sjelljen”. Sipas tij, një besimtar duhet ta ndiej gjithnjë veten “asgjë” para Allahut, duhet të jetë gjithmonë modest, edhe me Zotin, edhe me njerëzit dhe duhet të ndihet gjithmonë i përulur para Zotit për mëkatet, gabimet dhe neglizhencat e veta. Të tillët janë ata që edhe para Zotit, edhe para njerëzve, arrijnë nivelet më të larta. Kurse prepotentët e mendjemëdhenjtë, edhe bjerren para njerëzve, edhe dënohen nga Zoti.

Modestia është manifestimi i pjekurisë dhe virtytit të individit, kurse arroganca është treguesi i nivelit të tij të ulët. Lartësimi i njeriut arrihet me modesti dhe modestia njihet kur pozita, posti, pasuria e dituria, të cilat janë gjëra që e rrisin njeriun në sy të popullit, nuk e ndryshojnë atë. (Kriteret ose Dritat e Rrugës, 109-110)

b. Pëlqimi i Zotit, Pastërtia shpirtërore, sjellja konform vullnetit të Zotit, njohja e Tij pa asnjë lloj dyshimi, Besnikëria dhe Besueshmëria

Linjat themelore të konceptimit Islam të Fethullah Gylenit, në një tjetër aspekt, formohen nga Pëlqimi i Zotit, Pastërtia shpirtërore dhe mënyra e jetesës konform vullnetit të Zotit. Pëlqimi i Zotit ka dy aspekte. Çdo veprim, sjellje e punë ka vetëm një qëllim, pëlqimin e Zotit dhe nuk mund të mendohet asnjë qëllim tjetër përveç këtij. Ky është njëri aspekt dhe njëkohësisht një prej themeleve më të rëndësishëm të adhurimit. Për çdo besimtar kjo është një çështje përsosmërie. Për të arritur në këtë stad, fillimisht duhet një përkushtim e qëllim i fortë dhe i pastër, pastaj duhet purifikimi nga çdo interes vetjak e nga dëshirat materiale, duke u ngjitur gjithmonë pas idealeve të larta morale e shpirtërore dhe ç’është më i rëndësishëm, një aktivitet moral e mendor i pandërprerë, me të cilin mbushen hojet e mendimit për ta njohur Krijuesin sa më mirë. (Fasıldan Fasıla, 1:90; 2:30)

Një tjetër aspekt i pëlqimit të Allahut është njohja e Allahut si Zot, e Islamit si fe dhe e Muhamedit si profet, si dhe kënaqësia e pëlqimi për ta. Pra, pranimi me qetësi shpirtërore i çdo vendimi e gjykimi që merr Zoti për ne, dashuria për Të, respekti i paanë për Të dhe ndërgjegjësimi për të kërkuar e pritur gjithçka prej Tij; për sa i përket të Dërguarit, Profetit Muhamed (paqja qoftë mbi të!), është i domosdoshëm pranimi i tij si profet, dorëzimi i mendjes, logjikës e gjykimit në urdhrin e tij dhe sa i përket Islamit, është e domosdoshme që ai të jetë jeta jonë. (Kalbin Zümrüt Tepeleri, 1:49-50)

Pastërtia shpirtërore është mënyra e jetesës drejt, pastër, kthjellët, larg hipokrizisë dhe çdo gjëje që mund të turbullojë zemrën, si dhe adhurimi me një besnikëri specifike, pastërti ndjenjash dhe vendosmëri mendimi, duke i mbajtur larg ndjenjat e kësaj bote në relacionin tonë me Zotin. Me një fjalë tjetër, pastërtia shpirtërore në adhurim është tërheqja e individit prej çdo gjëje tjetër, përveç bindjes, plotësimit të urdhrave të Zotit e mirësisë, ruajtja e sekretit në relacionin me Zotin dhe kryerja e çdo vepre me vetëdijen se i paraqitet Atij. Gjithashtu, pastërtia shpirtërore imponon kryerjen e çdo detyre dhe përgjegjësie vetëm duke përmbushur urdhrin e Zotit, duke synuar pëlqimin e kënaqësinë e Tij dhe duke e pritur shpërblimin vetëm prej Tij. (po aty)

Sjellja konform vullnetit të Zotit është një tjetër temë e ndjeshme në konceptin Islam të Gylenit, i cili i jep gjithnjë përparësi aspektit moral e shpirtëror. Me përcaktimin e tij për sjelljen konform vullnetit të Zotit, ai sjell një përkufizim të ri, më të gjerë se të mëparshmit për takvanë. Sipas tij, takvaja, ose sjellja konform vullnetit të Zotit, është dydimensionale, sikurse dhe Islami. Nga njëri dimension, Islami është emri i fesë të cilën Allahu e përsosi dhe e dërgoi për njerëzimin me profetin e Tij, Muhamedin, që njerëzit ta pranonin e ta zbatonin me vullnetin e tyre të lirë. Nga ana tjetër, çdo krijesë tjetër, përveç krijesave të vetëdijshme si njerëzit e xhindët, është myslimane në aspektin e bindjes ndaj Zotit, adhurimit dhe mënyrës së ekzistencës dhe përmbushjes së përgjegjësive në përputhje të plotë me urdhrat e Tij, pa treguar as devijimin më të vogël. Kështu, Islami është tërësia e normave dhe e rregullave hyjnore, pra feja, edhe e gjithë qenieve të tjera, përveç njerëzve e xhindëve. Sikurse Zoti ka vënë ligje e rregulla për besimin, mënyrën e adhurimit, moralin e jetën shoqërore të njeriut, po ashtu, Ai ka vënë rregulla e ka krijuar norma edhe për funksionimin e kozmosit dhe tërësinë e natyrës. Këto norma janë ligjet e fizikës, kimisë, astronomisë e biologjisë, shkurt “shkencat pozitive”, të cilat në terminologjinë islame quhen “sheriati tekvinije” (ligjet e gjithësisë) ose “sheriati fitrije”- ligjet e natyrës. Në këtë sens, takvaja, ose sjellja konform ligjeve të Zotit, hyrja nën mbrojtjen e Tij, duke përmbushur urdhrat e Tij e duke u larguar nga ndalesat e Tij, është ngushtësisht e lidhur me njohjen dhe zbatimin tërësor të këtyre normave. Rrjedhimisht, sjellja konform vullnetit të Zotit, është sjellja me përpikëri konform ligjeve që Ai ka vendosur. (Kalbin Zümrüt Tepeleri, 1:74-79)

Njohja e Zotit, pa asnjë dyshim, në terminologjinë Islame shprehet me “jakin”. Si term, ky përfshin arritjen e një njohjeje dhe dije absolutisht të saktë, pa as edhe një fije dyshimi. Në themelet e imanit, “jakini” shpreh njohjen, pranimin e ndjenjën e ekzistencës e njësisë së Zotit, pa as edhe një fije dyshimi dhe njësimin e kësaj ndjenje me qenien njerëzore për të arritur kështu në horizontin më të skajshëm të dijes dhe ndërgjegjes, e cila është një pikë më tej pikave të arritura nga burimet e dijes, ekzistencës me enigmat e saj dhe rrugëve të zbulimit të së vërtetës. (po aty. 1:171-2)

Njohja e Zotit pa asnjë dyshim (jakini), është një cilësi shumë e rëndësishme, që e vendos besimin në të njëjtën platformë me dijen, duke mos e ndarë atë me kufij decizivë, dhe duke mos e trajtuar besimin thjesht si një imitim e lidhje, pa pasur nevojë për konceptimin thelbësor të së vërtetës, sikur ndodh në doktrinat e tjera fetare apo sikur e konceptojnë disa rryma moderne të mendimit. Besimi pa dyshim, i arritur me kërkim e me dije, shpreh besimin në të gjithë principet, në dritën e mendjes, të fakteve, evidencave, observimeve dhe shpalljes. Kurse besimi i shprehur “ajnel jakin”, i cili shpreh një besim të një stadi edhe më konkret, sikur e percepton dhe e sheh me sy, është një mënyrë besimi, të cilin mendimi modern nuk e njeh. Ky lloj besimi shpreh arritjen në njohjen e Allahut me perceptimin e ndjenjave të brendshme, me zbulimin e zemrës e të shpirtit, duke i çuar ata në një pafundësi njohjeje, larg përshkimit me fjalë. Kurse shkalla më e lartë e besimit, e shprehur me “hakkal jakin”, është ajo shkallë ku besimi shfaqet pa perde mendimi e imagjinate, përshkruhet si konceptimi i principeve e të vërtetave pa sipar, madje pa cilësi, tej mendimit, atje ku i krijuari e humb veten dhe egon në aspektin kohor e gjendet pranë Krijuesit. (Kalbin Zümrüt Tepeleri,1;174-5)

Shkurtimisht, njohja, e cila është një nga pikat më të rëndësishme të themelit Islam, që nuk i lë hapësirë imitimit, injorancës, fanatizmit e absurditetit është njëkohësisht edhe një gur kilometri në konceptin islam të Fethullah Gylenit.

Gyleni i jep rëndësinë e duhur secilit kusht të Islamit, në raport të drejtë me vendin që zënë ata në Islam. Në këtë aspekt, ai trajton në mënyrë të veçantë besnikërinë dhe ndershmërinë, si dy tipare të pandara të Islamit, të cilat kërkojnë një interes të veçantë në ditët tona. Të dy këto tipare janë nga tiparet karakteristike të Profetit tonë e të mbarë profetëve. Besnikëria dhe drejtësia janë akset e profetësisë. Vetë profetësia sillet në orbitën e besnikërisë dhe drejtësisë. Çdo fjalë që del nga goja e profetit ka atraksionin e së drejtës me vete. As edhe një çast i tij nuk mund të mendohet larg të drejtës. Duke treguar për madhërinë e disa profetëve, Kurani Famëlartë, i paraqet ata me anë të atributeve të tyre më spikatëse (shih Merjem, 41,54,56,57. Jusuf, 46). Si mund të mendohet që një profet të jetë larg nga e drejta, kur Zoti në Kuran kërkon drejtësi e ndershmëri nga të gjithë njerëzit dhe i lavdëron dhe i lartëson ata që zotërojnë këto cilësi. (shih: Tevbe, 119; Huxhurat, 15; Ahzab, 23), (Dritë e Pashuar, 1:99-100)

Besnikëria është karakterizimi i së drejtës në sjellje, ndjenjë, fjalë e mendime të njeriut dhe kërkimi e respektimi i drejtësisë në çdo dukuri të jetës individuale e sociale, që nga shpallja e dëshmisë, gjer te shakaja më e thjeshtë. Padyshim që drejtësia është rruga më e saktë e më e përsosur për të arritur Të Drejtin Sublim, shpirti i çdo vepre të mirë dhe kriteri më i pagabueshëm i çdo opinioni. Drejtësia është kriteri që ndan besimtarin nga hipokriti, parajsën nga ferri… Kurse besnikëria është përpjekja e tij e gjithanshme për të përsosur sjelljen e mendimin dhe për të arritur harmoninë e shpirtit me materien. (Kalbin Zümrüt Tepeleri, 1-123)

Besueshmëria, është gjithashtu një tjetër cilësi spikatëse profetike. Ajo ka rrënjë të njëjtë me besimin dhe përfshin besnikërinë e të qenit i besueshëm në çdo aspekt. Besimtari është njeriu besnik, i cili nuk e njeh tradhtinë. Profetët janë njëkohësisht edhe kulmi i besimit, edhe maja më e lartë e besnikërisë dhe e drejtësisë. Kurani i Shenjtë e thekson këtë veçori të tyren në disa ajete, për shembull në suren Shuara, ku tregohen njëra pas tjetrës historitë e pesë profetëve: Nuhut, Hudit, Salihut, Lutit dhe Shuajbit, veçoria e parë e tyre që theksohet në Kuran, është qenia e tyre “profet i besuar”. (Shuara, 107, 125, 143, 162, 178)

Mu’min-i besuar, është termi origjinal për besimtarët, po është njëkohësisht edhe një prej emrave të Allahut. Arsyeja e këtij atributi të Allahut është se Ai është burimi i besimit. Edhe besimi dhe besnikëria jonë, tek Ai e kanë burimin. Nga Ai rrjedh besimi, herë pikë-pikë e herë si një ujëvarë. Ai i ka nderuar profetët me cilësinë e besimit dhe Ai i ka lartësuar ata në pozitën e besnikërisë. Ndaj janë këto cilësi, pra, drejtësia, besueshmëria e besnikëria që na lidhin me profetët dhe vetë profetët me Zotin. Dhe kjo lidhje është ura në relacionin krijesë-Krijues. Gjithë këto kuptime janë të shtjelluara brenda termit “besnikëri” dhe kuptimi i tyre më së miri mundëson edhe kuptimin më së miri të temës. Muhamedi Besnik, ishte njëri nga emrat e Profetit tonë, cilësia më spikatëse e të cilit ishte besnikëria. Po ashtu për Xhebrailin, i cili i përcolli Kuranin Profetit tonë, cilësia më spikatëse është besnikëria. Ja, këto janë dhe burimet e sigurta të cilat kanë përcjellë Kuranin te ne... (Dritë e Pashuar, 1: 174-6)

Adhurimi, lutja dhe morali

Islami e ka themelin në besim; edhe cilësitë që përmendëm më lart, si cilësitë kryesore të botëkuptimit islam të Gylenit, rrjedhin nga besimi, bazohen në besim dhe janë rezultat ose fryt i besimit. Në Islam, pas besimit, renditet adhurimi; besimi, bashkë me thellimin në mendim, zhvillohet në tokën e adhurimit, aty piqet dhe aty jep fryte. Rrjedhimisht, ashtu sikur nuk mund të mendohet besimi pa adhurim, ashtu edhe adhurimi pa besim nuk mund të ketë kuptim. Besimi dhe adhurimi janë ata që e lartësojnë potencialin njerëzor drejt të përsosurës dhe treguesi i kësaj është lartësia morale. Profeti Muhamed ka thënë: “Unë jam dërguar për të përsosur moralin e virtytet morale.” Pra, misioni i profetëve është që njerëzit të njohin Zotin, t’i besojnë e ta adhurojnë Atë më së miri dhe rrjedhimisht, të plotësohen me cilësitë më të mira e të meritojnë të qenurit njeri. Nga ky aspekt, të gjithë ata që lexojnë artikujt e Gylenit apo kanë rastin të dëgjojnë bisedat e tij do ta shohin drejtpërsëdrejti ndjeshmërinë e tij në temën e adhurimit, sidomos në kushtet e Islamit siç janë falja, agjërimi, zekati e haxhi, pastaj lidhjet e tyre me cilësitë virtuale të njeriut.

Edhe lutja, e cila në një farë mënyre është emri tjetër i adhurimit të Zotit, rëndësia e së cilës theksohet vazhdimisht nga Gyleni. Në paralelizëm me ajetin “O i Dërguari im, thuaj, çfarë rëndësie do të kishit po të mos ishte lutja juaj?” (Furkan, 77), Fethullah Gylen e trajton lutjen në çdo aspekt, duke i dhënë një rëndësi të veçantë.

Fethullah Gyleni shprehet kështu:”Adhurimi është një mënyrë falënderimi në gjuhën përkatëse, për të gjitha mirësitë që i janë dhënë njeriut, si ekzistenca, jeta, ndërgjegjja, mendja e besimi. Ndërsa mungesa e adhurimit, ndoshta nuk është një verbëri absolute, po padyshim është një mosmirënjohje e rëndë”, duke theksuar se adhurimi është një rrugë dhe mënyrë përsosmërie, të cilën Krijuesi, i cili na ka urdhëruar besimin, për të siguruar me të lumturinë në të dy botët, e shpalos bujarisht përpara nesh. Për sa i përket atyre që nuk e kanë gjetur këtë rrugë, ata do ta kenë të vështirë të gjejnë edhe atë lumturi. Sipas Gylenit, shpirtrat e konsumuar me teori materialiste në rrugën drejt së vërtetës, edhe po të jetojnë një jetë të tërë në mes të ligjëratave më marramendëse e në klimën e fjalëve më fantastike, nuk do të arrijnë të përparojnë as edhe një grimë. Sepse adhurimi është ai burim i bekuar që nxjerr në dritë mendimin pozitiv, bukurinë e mirësinë e shpirtit të njeriut dhe ai eliksir i mistershëm që frenon animin e shpirtit nga ligësia, duke i dhënë atij një nocion engjëllor. Ai njeri që shkon disa herë në ditë te ai burim, me gjuhë e me mendje, numërohet si një njeri që e ka gjetur mbrojtjen prej kurtheve të egos dhe ka hyrë në rrugën drejt përsosmërisë.

Fethullah Gylen e përmend besimin bashkë me veprën dhe i quan të pashkëputshëm nga njëri-tjetri, duke e konsideruar veprën një reflektim të besimit në jetën e përditshme. Gyleni e përshkruan besimin si një “besim solid në parimet e detyrueshme që duhen besuar,” kurse adhurimin e trajton gjithashtu në aspektin e besimit dhe bën këtë vlerësim për të: “Një besimtar mund të jetë vetvetja dhe mund të njësohet me unin e tij vetëm me anë të adhurimit. Edhe shprehja e Kantit që Zoti nuk mund të njihet me mendim teorik, Ai mund të njihet vetëm me mendim praktik, nuk është veçse një thënie ndryshe e këtij realiteti. Një njeri që nuk e ka bërë adhurimin pjesë karakteristike të natyrës së vet dhe nuk është thelluar në të, është gjithmonë i prirur për të devijuar e për të humbur rrugën e tij… Në këtë aspekt, të rinjtë e ndriçuar të shekullit XX e XXI duhet të drejtohen me adhurimin e tyre nga teorikja në praktiken. (Fasıldan Fasıla, 3:132-3)

Në konceptin e tij islam, Gyleni trajton duke i dhënë një rëndësi të veçantë të qenit i dobishëm për njerëzit. Sipas tij, adhurimi më i vyer është njohja dhe dashuria për Allahun, plotësimi i detyrës së adhurimit ndaj Tij dhe të qenit i dobishëm për njerëzit. Në këtë aspekt, maja kulmore arrihet duke e mbajtur pusullën e pagabueshme të ndërgjegjes gjithmonë në drejtimin e Zotit dhe pëlqimit të Tij, kërkimi e përpjekja për të gjetur idealen si besimtar dhe veprimi nën parimin “Bëhu i drejtë, ashtu sikurse je urdhëruar!” (Kriteret ose Dritat e Rrugës, 101-2)

Gjëja e parë që nënkuptohet me adhurimin është namazi-falja. Në Islam falja është kuptuar gjithmonë si vija që ndan besimin me mosbesimin dhe është trajtuar gjithmonë me rëndësinë përkatëse. Thuajse në të gjithë shkrimet e bisedat e tij, Fethullah Gylen, e sjell fjalën te falja, duke tërhequr vëmendjen te thelbi i saj, i cili e bën atë më të rëndësishmin e adhurimeve dhe duke theksuar cilësinë e saj përfshirëse të të gjithë adhurimeve të tjera. Sipas tij, falja është miraxhi i besimtarit, mbartësja dhe drita e tij, thesari e pishtari i zemrave të përkushtuara, afrimi te Zoti dhe rruga për te Ai, stacioni më i afërt për udhëtarin e të përtejmes, kufiri me sublimen...

Sikurse falja, edhe zekati e haxhi janë forma të adhurimit të cilat Fethullah Gylen i trajton veçanërisht; sidomos shkrimet e tij për faljen janë të një karakteri të veçantë. (Sizinti, Qershor 1994)

Fethullah Gylen e përshkruan Islamin si një institucion të përbërë kryesisht nga besimi, adhurimi, morali dhe sjellja. Duke tërhequr vëmendjen te lutja, ai shkruan: “Lutja është një thirrje, një përgjërim nga i vogli te i madhi, nga poshtë lart, nga toka dhe tokësorët drejt qiellit e përtej tij. Një hapje e shpirtit, një kërkesë, një lutje. Ai që lutet është i ndërgjegjshëm për vogëlsinë e vet dhe madhësinë e Atij që i drejtohet. Kur hap duart dhe i drejtohet të Gjithëpushtetshmit, me modesti e me bindje, se do gjejë përgjigje, ai së bashku me gjithë çka përreth, transferohet në një atmosferë qiellore dhe e gjen veten në mes të engjëjve. Me një përkushtim të tillë, besimtari hyn në rrugën drejt përmbushjes së dëshirave të tij, edhe ndihet i sigurt nga shqetësimet e frikët e veta, sepse vendi ku është mbështetur, kështjella ku është strehuar, është më e sigurta.

Gyleni vendos në themel të lutjes respektin për Allahun, besimin dhe dorëzimin në forcën e Tij, bindjen se pushteti i Tij arrin gjithçka dhe një rrëfim të sinqertë të gjendjes individuale. Në lutje, në një farë sensi, njeriu pohon se “Sidoqoftë Zoti i di të gjitha gjendjet e njeriut, po lutja është një deklaratë modeste e krijesave në derën e Tij” Ne paraqesim dëshirat tona në praninë e Zotit dhe i drejtohemi derës së Tij, koordinatës sonë të përjetshme, duke shpalosur gjendjen tonë shpirtërore e duke i hapur zemrën. Ose duke heshtur fort, se ashtu e kërkon “etika e pranisë”, duke përjetuar një qetësi e prehje të tillë, që për disa, në raport me sinqeritetin e puritetin e tyre, është më shprehëse se çdo fjalë e më e qartë se çdo deklaratë. Sidoqoftë Zoti i di gjithë çfarë kemi për të thënë, prandaj në lutje thelbësorja është më e rëndësishme se fjala.

Sipas Gylenit, lutja përfshin gjithë sensin e adhurimit dhe mund të jetë si me fjalë, ashtu edhe me vepër. Lutja me vepër, ose lutja aktive, është përpjekja për të kryer gjithë ç’duhet për të arritur qëllimin. Bota është vendi i shkaqeve dhe i qëllimit në krijim. Për shembull, punimi i tokës dhe mbjellja e saj nga bujku, ose marrja e medikamentit nga i sëmuri, është një lutje aktive. Kjo lloj lutjeje, përgjithësisht pranohet; vetëm nëse vullneti i Krijuesit është në një kah tjetër. Megjithë punën e kryer, mbjellja e tokës mund të dështojë ose i sëmuri mund të mos shërohet. Këtu vullneti hyjnor ka dëshiruar një përfundim tjetër, i cili ka në thelb ndoshta një sprovë, ndoshta një dënim. E rëndësishme është që punimi i tokës, mbjellja e farës, si dhe kërkimi i shërimit nga mjeku specialist, përmes mjekimit përkatës, që konsiderohet lutje aktive, të mos jenë pengesë që njeriu të hapë duart e të lutet me fjalë për atë që dëshiron; përkundrazi, lutja me fjalë dhe lutja me vepra janë dy aksione që duhen bërë së bashku.

Jo gjithmonë njeriu mund të gjejë përgjigje të menjëhershme pas lutjes së tij me fjalë. Nëse lutja e njeriut që përmbush gjithë kushtet dhe pastaj lutet sinqerisht është në të mirë të tij, atëherë Zoti mund t’ia përmbushë atë menjëherë. Po nëse gjëja për të cilën ai lutet nuk është në të mirën e tij, atëherë Zoti nuk ia përmbush atë; ose ia jep atë më vonë, atëherë kur është në të mirën e tij, ose e lë përmbushjen e kësaj lutjeje në botën e përtejme. Atëherë shpërblimi që ai do të marrë në jetën e përtejme për këtë lutje është shumë më i madh se ai që do të merrte në këtë botë. Kjo gjendje i ngjan gjendjes së një sëmuri, i cili kërkon të pijë ujë. Po nëse uji është në dëm të gjendjes së tij, plotësimi i kësaj kërkese është në dëm të tij. Si në këtë rast, Zoti nuk i plotëson çdo dëshirë njeriut, po i plotëson ato që janë në të mirë të tij. “Nuk është e drejtë që ta kuptojmë përmbushjen e lutjes sonë si plotësim i çdo dëshire që kemi,” thotë Gyleni në lidhje me këtë temë dhe e vazhdon kështu shpjegimin e tij: “Shpeshherë ne e ngushtojmë kornizën e dëshirave tona duke i parë ato vetëm në prizmin e të sotmes dhe të asaj që njohim, duke lënë pas dore lidhjen tonë me të nesërmen. Po kështu, mund të mos na kenë rënë në sy edhe shumë faktorë të tjerë. Kurse Ai, bazuar në gjithëdijen e Tij pafund, i përgjigjet kërkesave tona në mënyrë shumë dimensionale, duke marrë parasysh gjendjen tonë dhe të çdo krijese tjetër, të sotmen, të ardhmen e të përtejmen, hap e çliron ato momente kur ne shtrëngohemi në lidhje të kësaj bote e të përtejmes. Ai na ndriçon të tanishmen, po pa na errësuar të ardhmen, pa i shuar dritat e sotme e pa na e mbuluar të nesërmen me errësirë. Ai na ofron mirësi e mëshirë, por pa ia shmangur këto të tjerëve. Ai i përgjigjet çdokujt e çdo gjëje me përgjigjet më të thella, na e bën të qartë në një mënyrë ose në një tjetër se i dëgjon lutjet tona dhe i merr në konsideratë dëshirat tona dhe i jep botës sonë shpirtërore frymëzimet më të jashtëzakonshme, përtej imagjinatës sonë.

Fethullah Gylen e vlerëson periudhën e artë të historisë turke si rezultat i lartësimit shpirtëror dhe atij moral, duke i trajtuar këto dy faktorë si themelet e çdo ringjalljeje të vërtetë. Gjithashtu Gyleni thekson se duke iu robëruar materies, njeriu është rrëzuar nga froni që i takon, si krijesa më e nderuar dhe i ka bërë lëmsh të gjitha vlerat humane.

Në aspektin e besimit, njohjes, dashurisë dhe potencialit shpirtëror, Gyleni e sheh njeriun në një pikë tej engjëllores, ndaj dhe e trajton dashurinë për njeriun si një shprehje të rëndësishme të relacionit me Krijuesin. Në këtë sens, njeriut i duhen rikthyer me çdo kusht ato vlera të larta që materializmi ia ka shkatërruar, në krye të të cilave janë virtyte si besimi, dashuria, pastërtia shpirtërore, drejtësia, ndershmëria, mbajtja e fjalës, guximi civil, respekti për të tjerët dhe lidhjet shpirtërore. (Yeşeren Düşünceler, 184-9)

Sipas Gylenit, morali përfshin disa nga kriteret më të larta të sjelljes së njeriut, të cilat janë të lidhura drejtpërsëdrejti me lartësinë shpirtërore. Kjo është edhe arsyeja pse njerëzit që nuk kanë lidhjet e duhura me shpirtëroren e tyre, e kanë shumë të vështirë të manifestojnë vlera të larta morale. Virtyti që i jep vlerë diturisë, sipas Gylenit, është pikërisht morali. “Të jesh njeri dhe të jesh dijetar janë dy gjëra të ndryshme, shprehet ai. Një dijetar arrin të bëhet njeri i lartë e të shpëtojë nga barra e dijenive të tij vetëm atëherë kur me dijen e tij hyn në shërbim të njerëzimit dhe manifeston njohuritë e tij me moralin e virtytet e veta. Në të kundërt, ai nuk është veç një i mjerë që e ka çuar jetën e vet dëm. Sepse vetëm morali e virtyti janë të aftë ta kthejnë në flori hekurishten e injorancës.”

“Edhe nëse mashtrohesh, mos mashtro asnjëherë”, vazhdon Gyleni. “Edhe pse shpesh mund të bëhet shkak që të humbësh, mos u ndaj asnjëherë nga drejtësia e vendosmëria, sepse janë virtytet më të larta”

Fethullah Gylen mbron norma morale e humane të ndryshme nga ideologjitë moderne të moralit laik, moralit social dhe etikës. Ai thekson vlerat që e lartësojnë njeriun nga pozita e tij si potencial njerëzor drejt lartësisë së njeriut të përsosur dhe pohon se themeli i këtyre vlerave është besimi. Në këtë koncept morali nuk është “një tjetër”, sikur shprehet në teoritë moderne të moralit. Në këtë koncept ka vëllazëri, bile më tej. Në shoqërinë humane, e cila në Kuran përmendet si “një kështjellë e derdhur në plumb” dhe në hadithe “një trup i vetëm”, “tjetri” nuk është veçse vetvetja. Parimi i Profetit “Nuk mund të jetë mysliman i përsosur ai që nuk kërkon për vëllain e vet atë që kërkon edhe për vete” ndoshta duhet të jetë parim për të gjithë njerëzimin. Kurse ajeti “Edhe pse kanë nevojë për vete, ata preferojnë së pari vëllezërit e tyre” (Hashr, 9) tregon më së miri cilësitë e një besimtari të vërtetë. Dhe këto cilësi përbëjnë edhe themelin e konceptit moral të Gylenit.

Me përcaktime të tilla: “Të sakrifikosh interesin vetjak për interesin e të tjerëve është e mundur veç me një shpirt të lartë e me burrëri. Ata që bëjnë mirë pa menduar interesin e përfitimin e vet, do të stepen nga habia dhe mrekullia kur të gjenden para gjithë punëve e mendimeve të mira, pikërisht atëherë kur nuk e presin.” (Kriteret ose Dritat e Rrugës, 154-5) Gyleni e thekson vazhdimisht këtë shpirt përkushtimi. Parimi i të jetuarit për të dhënë jetë dhe vendosja e jetës së tjetrit në boshtin e jetës personale janë për Gylenin dritare nga të cilat mund të njihet e vlerësohet më së miri karakteri i tij. Të njëjtin karakter e paraqet edhe kjo fjalë e tij: “Sikur një pemë që rritet e bleron duke u mbështetur me qëndrueshmërinë e forcën e rrënjëve të saj, ashtu dhe njeriu lartësohet e arrin në qiej për sa kohë që lë pas dore interesin vetjak, egoizmin dhe jeton për dobinë e të tjerëve.”

Fethullah Gylen cilëson si një prej parimeve morale më të rëndësishme falënderimin e mirënjohjen ndaj të mirave të Krijuesit me mirësi të të njëjtit lloj. Për sa kohë që kjo ndjenjë mirënjohjeje është e gjallë, një shoqëri vazhdon ekzistencën e saj në planin individual, familjar, social e shtetëror. Formalizmi në mirësi nuk ka ndonjë rëndësi parësore. Kjo mirësi mund të jetë qetësi, paqe, siguri e begati, po mund të jetë fare mirë edhe zhvillim në fushat shkencore e teknike. Të gjitha, pasuria, pozita, pushteti, dituria, frymëzimi material e shpirtëror, janë një mirësi e Krijuesit ndaj njeriut. Kur individi dhe shoqëria janë të ndërgjegjshëm ndaj këtyre mirësive dhe vazhdojnë të falënderojnë e të jenë mirënjohës për ta, duke përmbushur edhe përgjegjësinë që këto mirësi ngarkojnë, do të thotë se ata vazhdojnë ta meritojnë këtë mirësi e të jenë të denjë për të. Po kur këta parametra ndryshojnë, atëherë edhe gjendja e tyre ndryshon. (Fasıldan Fasıla, 2: 26-7)

Sipas Fethullah Gylen të gjitha vlerat reale humane, ndjenjat, mendimet dhe forca e karakterit janë si një kartë krediti që ka vlefshmëri në çdo vend. Sipas tij, sikur vlerësimi dhe shpërblimi i Zotit, që është sipas atributeve dhe epiteteve të Tij, ashtu edhe mirënjohja e njerëzve është sipas epiteteve të tyre. (Fasıldan Fasıla, 2:130)

Parimet e tjera të Gylenit në lidhje me virtytin mund të renditen pak a shumë kështu:

  • Virtyti është gjendja shpirtërore ku edhe lëvdata e merituar nuk ka ndonjë vlerë, kurse krenaria është të presësh lëvdata edhe kur nuk ke merita.
  • Të gjithë ata që përkujtojnë me respekt por edhe vlerësojnë si duhet ata që e meritojnë, patjetër një ditë do të përkujtohen e do të vlerësohen edhe vetë.
  • Të njohësh vetveten është largpamësi, kurse të shohësh vetveten është verbëri. Ai që e njeh vetveten njihet edhe nga Zoti, edhe nga njerëzit; kurse ai që sheh vetveten, largohet nga të gjithë, përveç egos së vet.
  • Virtyti zë vend edhe në një shilte mes njerëzve, kurse mendjemadhësinë nuk e zënë dot as kolltukët madhështorë. Nëse mendjemadhësia është një kube e kthyer mbrapsht, virtyti është vetë qielli i zbritur në horizont.
  • Injoranca të çon në mendjemadhësi, kurse urtësia në virtyt. Mendjemadhësia është pjella e keqe e injorancës, kurse virtyti është biri fisnik i urtësisë. Mendjemadhësia imponon vartësi kurse virtyti, liri e barazi…
  • Arroganca sillet e vetme dhe kërkon të ngjashëm me veten. Kurse virtyti është mes njerëzve, mes popullit, i qetë se është mes të bashkëmatëshmve. (Kriteret ose Dritat e Rrugës, 93, 156-7)

Relacionet dhe sjellja me njerëzit

Cilësitë të cilave Fethullah Gylen u jep më tepër rëndësi në marrëdhëniet me njerëzit, janë dashuria, toleranca, mirëkuptimi dhe mënyra e jetës në dobi të njerëzimit. “Njeriu, në marrëdhëniet me njerëzit dhe në sjelljet e tij pozitive dhe negative, duhet të marrë si kriter veten e vet dhe çdo veprim duhet ta masë me të; gjërat që i pëlqejnë për vete duhet t’i dëshirojnë edhe për të tjerët dhe ai nuk duhet të harrojë asnjëherë se ato që nuk janë të pëlqyeshme për të nuk janë të pëlqyeshme as për të tjerët.” (Kriteret ose Dritat e Rrugës, 111), shprehet Gyleni dhe thekson se njeriu duhet të përpiqet gjithmonë që të gjejë mënyrën që t’i bëjë mirë të tjerëve. “Mos qorto asnjeri pse nuk u soll njerëzishëm, por kujto rastet që ke humbur për t’u sjellë ti njerëzishëm!” këshillon ai dhe përsërit se përsosmëria e njeriut del në pah më së miri kur ai edhe ndaj njerëzve që i kanë bërë keq, sillet me njerëzi e mirësi, pa cenuar ndershmërinë e karakterit të vet. Sepse të bësh keq, është një cilësi jonjerëzore, kurse t’i përgjigjesh ligësisë me ligësi, është një mungesë dhe deficit i rëndë i karakterit njerëzor. Ndërsa t’i përgjigjesh edhe ligësisë me mirësi, është një cilësi e burrërisë dhe e lartësisë së karakterit njerëzor. Nëse njeriu e sheh bamirësinë e vet si diçka të vogël, po mirësinë e të tjerëve e trajton dhe e vlerëson seriozisht, atëherë ai njeri ka fituar cilësitë e njeriut të përsosur, thotë Gyleni duke e konsideruar mosvërejtjen e gabimeve të të tjerëve si një nga vetitë më të mira të karakterit njerëzor. Sipas tij: “të kërkosh të gjesh të metat e njerëzve, është mungesë edukate, të flasësh për ta lart e poshtë, është një e metë e pafalshme, ndërsa t’ia thuash tjetrit në sy gabimet e ligësitë, është një goditje e rëndë mbi zinxhirin e vëllazërisë që i mban njerëzit të lidhur me njëri-tjetrin. (po aty, 112) Në vazhdim të kësaj Gyleni vazhdon tej: “Të qenit i vlefshëm për njerëzit nuk ka kufi. Një individ i devotshëm mund t’ia përkushtojë jetën aq shumë të tjerëve sa mund të jetë i gatshëm të sakrifikojë për ta edhe shpirtin.” (po aty)

Fethullah Gylen i trajton marrëdhëniet me njerëzit dhe parimet morale në themel të këtyre marrëdhënieve gjithë delikatesë, por ai i jep një rëndësi të veçantë respektimit të së drejtës së njëri-tjetrit dhe të vijës Islame të të lejuarës dhe të ndaluarës në këto marrëdhënie. “Feja është vepër; në tërësi me të lejuarat e të ndaluarat e saj” përsërit shpesh Gyleni. Ai është shumë i përpiktë në çështjen e të drejtave reciproke. Në vitet e shkollës, Gyleni, ende fëmijë, merr borxh një shumë të pakonsiderueshme parash nga një mjeshtër që riparonte minaret. Po mjeshtri largohet nga Erzurumi para se Gyleni të gjente para për të shlyer borxhin. Për vite me radhë ai e kërkon mjeshtrin qytet më qytet dhe më në fund e gjen, ia lan borxhin dhe i jep edhe dhurata, duke i kërkuar t’ia bënte hallall vonesën e borxhit. Një njeri kaq i ndjeshëm në këto pika, patjetër që i këshillon të njëjtën përpikëri edhe audiencës së vet. Sipas tij, një njeri që nga njëra anë flet për të drejtat, po nga ana tjetër ka mundësi për ta shlyer, po nuk e lan borxhin, nuk i shlyen të drejtat që kanë të tjerët mbi ta, nuk është veçse një mashtrues. Një njeri që ka mbi vete hakun e dikujt tjetër, është i detyruar të kërkojë shlyerjen e tij nga ai. Nëse ky hak rrjedh nga ndonjë e folur pas krahëve, shpifje a gënjeshtër qoftë, shlyerjen mund ta bëjë vetëm duke folur sy më sy me personin e cenuar. Nëse rrjedh nga një obligim monetar a material, duhet shlyer që në mundësinë e parë.

Ndër të drejtat reciproke, Gyleni i jep një rëndësi të veçantë të drejtës së prindërve. Sipas tij, në kohën tonë fatkeqësisht, haku i prindërve është haku që neglizhohet më tepër mes myslimanëve. Ndërkohë nëna e babai janë dy qenie të shenjta që meritojnë respektin më të madh. Njeriu që harron të drejtat e tyre, harron edhe të drejtën e Zotit. Që në fillimet e krijimit të tij, kur është ende një krijesë e vogël, njeriu rritet e zhvillohet në krahët e prindërve dhe është gjithmonë në ngarkesën e tyre. Në këtë aspekt është e pamundur të përcaktohet dashuria e mirësia e prindërve ndaj fëmijës së vet, sikurse është e pamundur të numërohen shqetësimet dhe telashet e tyre në lidhje me të. Në këtë sens, respekti dhe dashuria për ta, është edhe një detyrë, edhe një borxh i njerëzve. Kurani e trajton të drejtën e prindërve në të njëjtën vijë me të drejtën e Zotit dhe të Dërguarit të Tij.

“Kur shoh moskokëçarjen e njerëzve për prindërit e tyre por edhe braktisjen e të drejtës së tyre, bëhem dyfish i dëshpëruar nga trishtimi,” shprehet Gyleni. Ata që ia dinë vlerën nënës e babait dhe i shohin ata si një mishërim i rrugës për te mëshira e Zotit, janë njerëzit më fatlumë edhe në këtë botë, edhe në tjetrën. Kurse ata që e shohin praninë e prindërve si një rëndesë dhe iu vjen rëndë t’i përfshijnë në jetën e vet, nuk janë veçse ca të pafat, të destinuar të zvarriten gjatë. Respekti që tregon njeriu për prindërit është në një farë sensi tregues i respektit të tij për Zotin; ata që nuk kanë respekt për ta nuk kanë as respekt e dashuri për Zotin. (Kriteret ose Dritat e Rrugës, 150; Fasıldan Fasıla, 3-104, 105)

Fethullah Gylen i jep kaq shumë rëndësi të drejtës së prindërve, sa trajton gjithashtu me shumë delikatesë edhe të drejtat e fëmijëve dhe ndër të tjera, shprehet kështu në lidhje me këtë temë:

Njeriu që në krijim, është krijuar së bashku me shokun e tij të jetës. Periudha gjatë së cilës ai është i vetëm, është aq e shkurtër sa nuk merret në konsideratë. Kështu, njeriu i krijuar që në pikënisjen e krijimit bashkë me bashkëshortin e vet, tregon se sa natyrale dhe karakteristike është martesa për njeriun. Dhe qëllimi më i natyrshëm i martesës është shtimi i familjes.

Nëna dhe babai kanë të drejtë ta quajnë fëmijën “biri ynë”, për aq sa ata bëjnë për rritjen dhe edukimin e tij të virtytshëm, ndaj edhe ata prindër që neglizhojnë fëmijët e tyre e harrojnë se janë prindër, nuk kanë si ta meritojnë këtë të drejtë. Aq më tepër ata që i mësojnë fëmijës rrugët e ligësisë e të keqes, por edhe ata që e distancojnë atë nga njerëzorja...

Prindërit që edukojnë një fëmijë me cilësi dhe ideale të vlefshme për vete dhe për njerëzit, i dhurojnë shoqërisë një komponent të mrekullueshëm, të vlefshëm në të ardhmen. Kurse ata që bëjnë të kundërtën dhe lënë pas dore ndjenjat e tij humane, fusin në shoqëri jo më tepër se një parazit të rëndomtë.

Edhe një pemë, apo një gjallesë çfarëdo, zhvillohet e riprodhohet për sa kohë që trajtohet dhe tregohet kujdes. Po njeriu, i cili dërgohet në këtë botë me lloj-lloj aftësish e talentesh, a nuk e ka të drejtën të gëzojë trajtim e përkujdesje, të paktën sa një pemë…

Ah, njeri! Ti e sjell atë fëmijë në këtë botë. Ndaj është detyra jote që ta lartësosh atë edhe në botët tejqiellore. Sikur kujdesesh e dridhesh për shëndetin e trupit të tij, ashtu duhet të kujdesesh e të dridhesh edhe për zemrën e shpirtin e tij; ndaj mëshiroje, për hir të Zotit, shpëtoje atë të pafajshëm. Mos lejo të shkatërrohet e të shkojë dëm... (Kriteret ose Dritat e Rrugës, 153-14)

Pin It
  • Publikuar më .
© 2024 Faqja e internetit të Fethullah Gylenit . Të gjitha të drejtat të rezervuara, Faqja zyrtare në gjuhen shqipe e mendimtarit Fethullah Gylen.
fgulen.com, është faqja zyrtare e mendimtarit Fethullah Gylen.