Dialogu ndërfetar si faktor i dialogut ndërkulturor

Dialogu ndërfetar është i ndërvarur nga qëndrimi që mbajnë subjektet e tij ndaj Krijuesit dhe nga botëvështrimi moral që është orientues në jetën e tyre. Ky dialog mund të jetë i suksesshëm, nëse atë e zhvillojnë vetë besimtarët, me procedurat dhe me format që ata i gjejnë të përshtatshme,ose që i përshtasin gjatë dialogimit, por pa e lënduar besimin dhe botëvështrimin moral të njëri-tjetrit.

Themeli mbi të cilin dialogu ndërfetar ndërmjet besimtarëve është i mundshëm dhe i suksesshëm, është pranimi i aksiomës se ekziston një Zot i vetëm për të gjithë njerëzimin dhe për të gjitha botërat. Kjo aksiomë, fetë abrahamike i bën lehtësisht të komunikueshme ndërmjet tyre. Ndërsa, hapja e ventilave të komunikimit ndërmjet besimtarëve, duke respektuar këtë themel monoteist të besimeve, mund të krijojë hapësira të reja të tolerancës, të mirëkuptimit e të solidaritetit ndërmjet njerëzve.

Pas mbylljes së historisë së gjatë të shteteve të strukturuara edhe si projekte fetare, pengesat kyesore të dialogut të mirëfilltë ndërfetar, paradoksalisht vijnë nga strukturat klerikale të vetë feve, të cilat janë të etabluara si instanca pushtetore. Hierarkia klerikale  që e ka zëvendësuar shtetin në çështjet fetare, është bërë njëfarë shteti në shtet, me çka edhe është shndërruar vetvetiu edhe pengesë të dialogut të papengueshëm e të mirëfilltë ndërfetar, meqë e ka koncentuar në duart e veta mandatin e përfaqësimit të besimtarëve, pa u dhënë atyre ndonëj llogari e madje as informatë. Atëherë a është situata e pashpresë?  Besoj se jo.

Në kohën që po jetojmë, të afrimimit të lirisë së zgjedhjes së individit, gjithnjë e më shumë po zvogëlohet nevoja e besimtarit që dikush tjeëtr të jetë ndërmjetës mes tij dhe Zotit, ose që të jetë përfaqësues ideologjik në raport me të tjerët jashtë fesë së tij. Vërtet, duke qenë përgjegjës vetë para Zotit, besimtari i ndërgjegjësuar për këtë fat të tijin, edhe mund ta përfaqësojë fare mirë vetveten, pa pasur nevojë për ndërmjetësi. Ndërsa dobësimi i fuqisë imponuese dhe jollogaridhënëse të klerit, në të trija fetë abrahamike, do të krijonte hapësira  të mirëfillta të dialogimit të besimtarëve, fillimisht ndërmjet dijetarëve.

Detyra e dijetarëve është që me anë e studimeve të feve, të shprishin mjegullat që kanë ngritur interpretimet e njëashme të misionarëve dhe propaganduesve të feve. Inkuadrimi i shkencës në ndriçimin e të vërtetave të mjegulluara nëpër shekuj, do ta bënte dialogun më racional dhe më të logjikshëm. Në fakt, devijimet më të mëdha të interpretimit të shpalljeve dhe të natyrës e të misioneve të profetëve, janë bërë nga strukturat klerikale. Ato edhe e kanë bërë ndarjen tragjike ndërmjet fesë dhe shkencës, me çka u kanë dhënë hapësirë elelementeve mistike e iracionale, gojëdhënave e legjendave, nga të cilat janë  prodhuar keqkuptimet dhe urrejtjet ndërmjet feve.

Ndërsa, mbi interpretimet e njëanshme dhe mbi falsifikimet e misionarëve militantë, nuk mund ta hapen ventilat e komunikimit e të dialogimit. Prandaj, inkuadrimi i dijes shkencore do të hapte mundësi që edhe besimtarët e thjeshtë, të çliruar nga shtrëngesat e interpretimeve dogmatike klerikale, të shkëmbejnë përvojat e tyre personale, gjë që do ta rriste mirëkuptimin e ndërsjellë.

Çështja e dytë që duhet të zgjidhet më mirë është raporti i institucioneve shtetërore ndaj feve, gjë që duhet të gjejë një zgjidhje universale, e jo nga rasti në rast. Një dokumet universal për liritë fetare, i ngjashëm me Konventën për të Drejtat e Njeriut, do të duhej të miratohej nga të gjitha shtetet e botës dhe të respektohej. Praktikat e tashme që në shumë vende ka një fe shtetërore, pashmangshëm që feve të tjera u jep një pozitë inferiore. Shteti nuk mund të jetë monoteokratik, sepse në tërësinë e tij, jetojnë njerëz të feve të ndryshme dhe njerëz që nuk identifikohen me ndonjë besim fetar. Prandaj, shteti duhet të mbrojë liritë dhe të drejtat fetare e njerëzore të të gjithëve, mbi disa parime universale të lirisë e të drejtësisë.

Mbi zgjidhjet e këtilla, do të hapej mundësia që dialogu ndërfetar ta ndihmonte edhe dialogun ndërkulturor, i cili është edhe më i komplikuar se i pari.

Por, dialogu ndërfetar së pari do të duhej të ndihmonte dialogimin dhe bashkëjetesën e kulturave të ndryshme brenda një feje. Fjala vjen, pjesëtarët e fesë islame, janë të shpërndarë në të gjitha kontinentet, janë të racave e të kombeve të ndryshme dhe kanë kultura të ndryshme. Pluraliteti kulturor i tyre duhet të pranohet e të respektohet fillimisht brenda fesë Islame. Tendencat e shfaqura për ta imponuar një lloj arabizimi kulturor të muslimanëve, janë treguar të dëmshme dhe ngulfatëse ndaj kulturave të kombeve të tjera joarabe, po edhe ndaj vetë fesë islame në tërësi.

E para, feja islame nuk është pronë e një kombi, po është e të gjithë besimtarëve islamë, por që në të njëjtën kohë duan që ndjenjat dhe idealiet e veta t’i shprehin në gjuhët e veta dhe brenda formacioneve të veta kulturore.

E dyta, bota arabe nuk ka arritur të formulojë një mesazh kulturor universal, të cilin do t’ua dhuronte mbarë besimtarëve e mbarë njerëzimit. Kultura e tyre në këta tetë shekujt e fundit, është jokonkuruese me shumë nga kulturat e tjera. Në disa raste, si në atë të vehabizmit, thirrja për ndalimin e muzikës, për ndalimin e pikturës e të formave të tjera të shprehjes së ndiesive të njeriut, është anakronike dhe primitive. Është kundër vetë natyrës dhe prirjes së njeriut për të qenë kreativ e ndërtues. Për të qenë mëkëmbës i Zotit në Tokë.

Respektimi i kulturave nacionale të kombeve që kanë pjesëtarë të fesë Islame, brenda vetë ymetit musliman, është një projekt që ende nuk ka filluar të realizohet si një projekt i komunikimit dhe e respektimit të pluralitetit kulturor. Mosnjohja e kulturave të njërit- tjetrit, mosgërshetimi i vlerave kulturore, shumicën e kombeve që i përkasin me shumicë fesë islame,  i ka bërë të varur krejtësisht nga modelet e jashtme ose i ka bërë kulturalisht indiferentë. E prej këndej vjen kompleksi i inferioritetit, frustrimi e madje edhe rebelimi agresiv, në rastin e parë, ose letargjia dhe prapambetja, në të dytin.

Pra, dialogimi i kulturave të vetë këtyre kombeve është hapi i parë i daljes nga dekadenca kulturore.

Ndërsa, hapi i dytë është komunikimi i gjerë, ndërkulturor edhe me kulturat e kombeve që kanë besime të tjera. Nga ky interaksion do të bëhej filtrimi i vlerave të njëmendëta, që janë të bazuara në aksiomat themelore të besimit fetar. Të gërshetuara mbi këto vlera, kulturat do të shpalosnin njohje të reja dhe nxitje të reja të imagjinatës dhe të mundësive reale të njeriut.

Dy procese janë duke e penguar dialogimin ndërkulturor në kohën tonë. I pari vjen nga një pjesë e botës muslimane, kryesisht nga Lindja e Mesme, ku ka ndodhur një ngatërrim i fesë me kulturën dhe me politikën. Në mungesë të projekteve të mirëfillta kulturore dhe politike, disa nga kombet që kanë popullsinë shumicë të fesë islame, arabët në rend të parë, e kanë nxjerrë fenë si të vetmin argument, jo vetëm fetar, por edhe kulturor, politik e ideologjik. Ky ngatërrim nganjëherë merr forma karikaturale. Fjala vjen, ata duan të thonë se mund të hash orizin dhe mishin e deles në mënyrë primitive, me dorë, duke u mjaftuar me bërjen bismilah. Por, mënyra e ngrënies i përket kulturës e jo fesë dhe nuk ka pse ngatërrohet një primitivizëm kulturor me fenë islame, e cila në asnjë mënyrë nuk e ndalon ngrënien në një mënyrë sa më të kulturuar. Manipulime të kësaj natyre bëhen edhe me veshjen, duke dashur ta kontrabandojnë një mënyrë veshjeje arabe, si gjoja islame. Por, në larminë dhe pasurinë e veshjes në botës e sotme, ai model është anakronik për pjesën tjetër të botës, dhe po i kthehet si boomerang fesë islame, duke e prezentuar si të një fe të mbyllur e kulturalisht inferiore.

Mungesa e një letërsie me vlera artistike konkuruese në tregun global të artit letrar, nuk mund të kompensohet me poezinë e mevludit. As me të kaluarën e lavdishme të poezisë arabe e andaluziane. Meqë feja nuk e ka penguar lulëzimin e poezisë muslimane në shekujt e hershëm të Islamit, kur vetë feja ka qenë në kulminacionin e saj, shkaqet e dekadencës letrare e kulturore duhet kërkuar gjetkë e kurrsesi te feja islame. Feja nuk e zëvendëson letërsinë. Ndërsa letërsia mund të jenë e ndërlidhur me vlerat fetare dhe në të njëjtën kohë të jetë me vlera të larta estetike. Veprat e letërsisë europiane, që nga “IIada” e Homerit,  “Komedia Hyjnore” e Dantes, “Parajsa e humbur” e Miltonit, “Fausti” i Gëtes, janë vepra me tematikë dhe me ide fetare, por konsiderohen kryevepra të artit.

Pë mungesën e letërsisë dhe kulturës konkuruese të muslimanëve në këta shekuj,  shkakun duhet kërkuar te konservimi i modeleve e letrare, te pozita e keqe e artistëve në shoqëri, te mungesa e lirisë së shprehjes. Por jo te feja, sepse shumica e shteteve me popullsi shumicë muslimane, në fakt zyrtarisht janë shtete laike.

Procesi i dytë negativ, që e pengon dialogun ndërkulturor, po edhe vetë komunikimin kulturor, vjen nga Perëndimi. Epërsia e dukshme kulturore dhe teknologjike përditë e më shumë po shndërrohet në sjellje arrogante. Prodhimi i filmave me tema antiislame, karikaturat për profetin Muhamed, e rrisin shkallën e paragjykimeve fetare dhe kulturore. Këto projekte ndikojnë që edhe muslimanët e moderuar, ata që janë në favor të komunikimit e të dialogut, të stepen e të humbin terren në raport me ekstremistët, që mezi presin një xixë urrejtjeje nga Perëndimi, për të shpërthyer edhe ata urrejtjen e tyre kundër Perëndimit.

Edhe pse  proceset janë të përkundërta, (në botën arabe keqpërdoret feja, për të shfryrë urrejtje ndaj kulturës dhe qytetërimit perëndimor, ndërsa në Perëndim përdoret kultura,  për të damkosur fenë islame), rezultati është i njëjtë: rritja e paragjykimeve dhe e keqkuptimeve.

Por, duhet të shpresojmë se edhe kjo energji e keqkuptimeve do të shterojë një ditë dhe se agresioni i laicizmit kulturor në njërën anë dhe i ekstremizmit fetar në anën tjetër, do të frenohen. Këtë ditë mund ta afrojë dialogu ndërfetar i mirëfilltë, i cili do t’i eliminonte edhe ndërhyrjet dhe ndërfutjet e kulturës dhe deformimin që ato kanë shkaktuar në relativizimin e aksiomave të besimeve fetare e prej këndej edhe në prodhimin e keqkuptimeve ndërmjet besimeve fetare. Në atë mënyrë do të bëhej filtrimi i besimit fetar dhe do të arrihej më lehtë pajtimi për aksiomat e besimit, para së gjithash për monoteizmin. Ky është minimumi për mirëkuptim ndërmjet besimtarëve.

Dr. Milazim KRASNIQI
Në Tiranë, 17 maj 2008

Pin It
  • Publikuar më .
© 2024 Faqja e internetit të Fethullah Gylenit . Të gjitha të drejtat të rezervuara, Faqja zyrtare në gjuhen shqipe e mendimtarit Fethullah Gylen.
fgulen.com, është faqja zyrtare e mendimtarit Fethullah Gylen.