Muslimanët e vërtetë nuk mund të jenë terroristë

Islam, në kuptimin e mirëfilltë, do të thotë "nënshtrim." Islami është feja e kënaqësisë, sigurisë dhe paqes. Këto principe janë aq të zakonshme në jetën e muslimanëve sa, kur ata sapo fillojnë lutjet, shkëpusin të gjitha lidhjet me botën, përkulen dhe shtrihen para Zotit dhe atëherë qëndrojnë me duart e tyre shtrënguar në respekt. Kur ata lënë lutjen, është sikur kanë filluar një jetë të re. Ata e përfundojnë lutjen duke përshëndetur të tjerët në të majtë dhe në të djathtë të tyre dhe duke u uruar atyre shëndet, siguri dhe paqe, ngrihen, shkojnë dhe bashkohen me njerëzit e tjerë.

Përshëndetja e të tjerëve dhe urimi i tyre për paqe janë konsideruar të jenë mes akteve më të pëlqyeshme që mund të kryen në Islam. Në të vërtetë, kur Profeti Muhammed, paqja dhe bekimi qofshin mbi të, ishte pyetur se "cili ishte veprimi më i pëlqyeshëm në Islam", ai përgjigjej: "Dhënia e ushqimit për të tjerët dhe përshëndetja e të gjithë atyre që njihni dhe nuk njihni."[1]

Akuzat për terrorizëm

Eshtë e turpshme që Islami, i cili është bazuar në këto parime, është parë nga të tjerët si i njëjtë me terrorizmin. Ky është një gabim i madh historik. Siç treguam më sipër, nëse një sistem i bazuar në paqen dhe sigurinë njësohet me terrorizmin, kjo tregon vetëm që njerëzit akuzojnë pa e njohur thelbin e Islamit dhe janë të paaftë për ta zotëruar atë në shpirtrat e tyre. Islami duhet kërkuar përmes burimeve të tij dhe përfaqësuesve të vërtetë përgjatë historisë, jo përmes veprimeve të një minoriteti të vogël që e shtrembëron atë. E vërteta është që në Islam nuk ka fanatizëm apo detyrim. Islami është feja që përshkohet plotësisht nga mirëkuptimi dhe toleranca. Mbështetës të tillë të dashurisë dhe tolerancës siç janë Rumiu, Junus Emre, Ahmed Jesevi, Bediuzzamani, dhe shumë figura të tjera, e kanë shfaqur këtë aspekt të Islamit në formën më të admirueshme dhe kanë mbetur në histori si shembuj të këtij afeksioni dhe tolerance.

Xhihadi në Islam

Xhihadi është një element i Islamit, i cili së pari përkufizohet si lufta e brendshme e një besimtari kundër gjithçkaje që qëndron midis tij dhe Zotit. Një aspekt i xhihadit, në njërin krah, është bazuar në ca parime specifike me synimin për të zhdukur të gjitha pengesat për të mbrojtur dhe lartësuar emrat e Zotit. Ne mund të citojmë shumë shembuj përgjatë historisë në lidhje me këtë çështje. Do të ketë gjithmonë luftë; ky është një relitet i pashmangshëm për jetën njerëzore. Ndonëse, ajetet në Kur'an në lidhje me kushtet specifike të xhihadit janë keqinterpretuar nga të tjerët dhe janë kuptuar si qëllime fundamentale të Islamit. Në thelb, këta njerëz që kanë dështuar për të depërtuar në esencën e vërtetë të Islamit, janë të paaftë për të vendosur një balancë midis së përgjithshmes dhe çështjeve anësore dhe kjo lidhet me faktin që ata janë rrënuar nga urrejtja që i ka çuar në keqinterpretimin e Islamit. Zemra e një bashkësie të vërtetë Islame është e mbushur me dashuri dhe mëshirë për të gjithë krijimin.

Dashuria lidhet me ekzistencën

Profeti Muhammed, paqja dhe bekimi qofshin mbi të, ishte një njeri i mëshirshëm. Ai ishte gjithashtu i njohur si "habibullah," që vjen nga fjala "habib," kuptimi i së cilës është "ai që dashuron Zotin dhe është i dashuruar prej Zotit." Mistikët e tillë si Imam Rabbani, Mevlana Halid dhe Shah Velijullahu deklaronin që shkalla më e lartë është kjo dashuri.

Zoti e krijoi tërë qenien plotësisht me dashuri dhe Islami e ka qëndisur me delikatesë këtë dashuri. Me fjalët e një mistiku tjetër të madh, dashuria është shkaku i ekzistencës së krijimit. Sigurisht, që me gjithë këto, ne nuk mund të mohojmë që gjendet një element i dhunës në Islam; ai është në emër të frikësimit. Ndonëse disa njerëz i kanë gjuajtur këta elementë, të cilët duhet të jenë dytësorë, duke i konsideruar si të ishin fundamentalë për Islamin, Islami i vërtetë apelon për paqe. Një herë një miku im që kishte të njëjtat mendime, më tha mua, "Ju flisni me gjithsecilin pa imponuar ndonjë kufizim. Ky është një largim i tensionit metafizik që ne kemi, meqë kemi mësuar që në përputhje me Islamin, duhet të shfaqim armiqësinë tonë për ca njerëz, në emër të Zotit." Në të vërtetë, ky mendim buron nga interpretimi i gabuar i kësaj ideje. Sipas Islamit, gjithçka është krijuar për të qenë e dashur në emër të Zotit. Çfarë është për t'u urryer dhe për çfarë ne mund të tregohemi armiqësorë, janë mendimet, ndjenjat e ndyra dhe të pamoralshme dhe blasfemia. Zoti i solli njerëzit si qenie të dashura (shih. el-Isra, 17:70) dhe mund të thuhet që gjithsecili është i bekuar me këto cilësi në shkallë të ndryshme. Ndërsa kalonte funerali i një çifuti, Profeti i Zotit ndaloi për të treguar respektin e tij. Kur ia kujtuan se njeriu që po varrosej ishte një çifut, ai u përgjigj: "Megjithatë, ai është njeri!" Ai demostronte vlerat që Islami i dha njerëzimit!

Po, ky ishte tregues i respektit të Profetit tonë për njerëzit. Arsyet që disa muslimanë apo institucione islame që e kuptojnë gabim Islamin, janë përfshirë në sulme terroriste anembanë botës, duhet të kërkohen jo në Islam, por brenda vetë njerëzve, në keqinterpretimin e tyre dhe në faktorë të tjerë. Ashtu siç Islami nuk është një fe e terrorizmit, çdo musliman që e kupton drejt atë, nuk mund të jetë ose të bëhet një terrorist.

Edhe nëse këto janë natyrisht përjashtime, interpretimet e Islamit nga dijetarët turq janë tolerante. Nëse ne mund ta përhapim kuptimin e Islamit, të mbajtur nga shtyllat e mëshirës si Rumiu dhe Junus Emre, anembanë botës dhe, nëse ne mund ta sjellim mesazhin e tyre të dashurisë, dialogut dhe tolerancës, për njerëzit që janë të uritur për këtë mesazh, atëherë njerëzit nga e gjithë bota do të vijnë duke vrapuar në armatën e kësaj dashurie, paqeje dhe tolerance që ne përfaqësojmë.

Toleranca e Islamit është aq e gjerë, sa që Profeti i ndalonte veçanërisht njerëzit që të flisnin për gjërat që mund të ishin fyese. Pavarësisht nga përpjekjet vetsakrifikuese të Profetit Muhammed, Ebu Xhehli nuk arriti të bëhej musliman dhe vdiq jashtë feje. Prej këtej, emri Xhehl nënkuptohet injorant. Ky njeri injorant dhe i vrazhdë e kaloi të gjithë jetën e tij si një armik i Profetit dhe tani, në mënyrë të trishtueshme, nofka e tij është bërë natyra e dytë e muslimanëve të sotëm. Pak pas pushtimit të Mekës, djali i Ebu Xhehlit, Ikrime, filloi të fliste në këshill kundër babait të tij dhe për këtë u qortua rëndë nga Profeti.

Respekti për njerëzit

Një tjetër hadith shpjegon pse ne nuk duhet të jemi intolerantë me të tjerët. Profeti i këshillonte bashkëpunëtorët e tij të mos mallkonin prindërit e tyre. Bashkëpunëtorët e tij kureshtarë e pyetën pse ndokush nuk mund të shante prindërit e një tjetri. Profeti u përgjigj që, nëse dikush shan prindërit e një tjetri, atëherë ai person do të merrte hak në të njëjtën mënyrë, për pasojë, ky dikushi po shante prindërit e vet!

Ndërsa Profeti gjithmonë shfaqte respekt për të tjerët, fakti që sot njerëzit janë duke thënë që Islami është lëndues për të tjerët, do të thotë që ata nuk kanë kuptuar drejt Profetin. Nuk ka asnjë hapësirë për urrejtje ose armiqësi, si në Islam ashtu edhe në botën universale të përfaqësuesit të tij Muhammed, paqja dhe mëshira qofshin mbi të!

Shërbëtorët e Zotit

Kur'ani është mbështetur plotësisht në mirëkuptimin dhe tolerancën.

…të cilët japin kur janë në kamje dhe kur janë në vështirësi dhe që e frenojnë mllefin, që u falin (të keqen) njerëzve, e Allahu i do bamirësit. (Al-i Imran 3:134)

Eshtë e nevojshme që ta vështrojmë këtë në imtësi. Ju mund të përfshiheni në një incident dhe për pasojë do t'ju vlojë gjaku. Për shembull, njerëzit mund t'ju mallkojnë dhe fyejnë ju. Por ju duhet të përpiqeni në mënyrë të skajshme të ruani gjakftohtësinë dhe të mos reagoni. Kur'ani e përshkruan në ajetin e mësipërm se si njerëzit me moral të shëndoshë duhet të sillen edhe në momentet kur ju dëshironi të humbni përmbajtjen tuaj. Fjalët arabisht nga ky pasazh kanë shumë domethënie. "Kazm" do të thotë, gëlltisni çfarë nuk mund të jetë e gëlltitshme, ndërsa Kazim nënkupton dikë që kapërdin zemërimin e tij. Në një tjetër pasazh, Zoti i urdhëron besimtarët t'i shmangen mendjemadhësisë:

(Robtë e Zotit janë) Edhe ata që nuk dëshmojnë rrejshëm dhe kur (rastësisht) kalojnë pranë së keqes, kalojnë duke e ruajtur karakterin e vet. (el-Furkan, 25:72)

Modeli Islam

Profeti praktikonte gjithçka që ishte treguar në Kur'an. Për shembull, dikush vinte dhe pranonte shkeljen e kurorës bashkëshortore duke kërkuar të pastrohej nga mëkatet e tij, cilido që të ishte ndëshkimi. Profeti i thoshte atij: "Shko në shtëpi dhe pendohu. Nuk ka mëkat që Zoti nuk e fal."[2] Një tjetër hadith tregon se si një person akuzoi një tjetër për vjedhje. Vetëm kur po afrohej momenti për të dhënë ndëshkimin, njeriu ndërroi mendje dhe e fali vjedhësin, vendim për të cilin Profeti i tha: "Pse nuk e fale atë që në fillim?"[3]

Prandaj, kur të gjithë këta shembuj janë parë në imtësi, mund të vështrohet që metoda e adoptuar nga ata që i trajtojnë të tjerët me urrejtje dhe armiqësi, nuk ka vend në Islam. Siç u tregua më sipër, Islami është një fe e dashurisë dhe tolerancës. Muslimanët janë adhuruesit e dashurisë dhe mëshirës, njerëz që u shmangen të gjitha akteve terroriste dhe kanë pastruar trupat e tyre nga të gjitha format e urrejtjes dhe armiqësisë.


* Origjinali i këtij artikulli përmbahet në Turkish Daily News, September, 19, 2001.

[1] Buhari, Isti'zan, 9, 19; Nesai, Iman, 13.
[2] Muslim, Hudud, 17, 23; Buhari, Hudud, 28.
[3] Ebu Davud, Hudud, 14 (4394); Nesai, Sarik, 4 (8, 68); Muvatta, Hudud, 28 (2, 834).

Pin It
  • Publikuar më .
© 2022 Faqja e internetit të Fethullah Gylenit . Të gjitha të drejtat të rezervuara, Faqja zyrtare në gjuhen shqipe e mendimtarit Fethullah Gylen.
fgulen.com, është faqja zyrtare e mendimtarit Fethullah Gylen.