Pafajësia te profetët e tjerë

Përpara se të kalojmë në shtjellimin e ajeteve që përkojnë me temën, dua të ndalem e t’ju tërheq vërejtjen në disa pika.

Problemi i lapsusit

Së pari: Ka pasur raste kur Profeti ka qenë i detyruar të zgjedhë mes dy alternativave të veprimit dhe të drejtën e zgjedhjes mes “të mirës” dhe “më të mirës së mundshme”, Profeti ta ketë përdorur për “të mirën”. Në aspektin e profetësisë, kjo çështje mund të trajtohet si lapsus. Por kjo gjë nuk është kurrsesi, lëkundje, apo zgjedhje e gabuar, sipas kritereve tona. Sidoqoftë, ai ka zgjedhur “të mirën”. Në këtë pikë, mund të pretendohet se një profet, që është aq pranë Zotit, duhet të zgjedhë “më të mirën e mundshme” në një rast të tillë. Po ky pretendim nuk mund të ngrihet nga ana jonë, ashtu siç nuk kemi të drejtën që ta cilësojmë preferencën e tij si mëkat. Tani le ta konkretizojmë çështjen me një shembull. Mendoni një njeri, i cili ka vendosur ta lexojë gjithë Kur’anin, po nuk është i qartë se për sa ditë duhet ta mbarojë. Para tij ka dy alternativa: E para, ta lexojë Kur’anin me vëmendje, duke u thelluar në kuptimin e duke menduar rreth temave të tij, që në këtë rast i duhen dhjetë ditë. Ose ta lexojë më shpesh, të kontaktojë më shpesh me fjalën e Zotit dhe ta përfundojë për shtatë ditë. Ai mendohet dhe i duket më e përshtatshme alternativa e parë, ndaj vendos ta lexojë për dhjetë ditë.

Tani le të hipotezojmë se miratimi i Zotit ishte që ai ta mbaronte leximin për shtatë ditë, po gjykimi personal i personit e shtyu që ai të merrte një vendim tjetër. Ja, këtu pëlqimi i Zotit është alternativa “më e mirë e mundshme”. Po edhe vepra e atij personi, e kryer sipas vendimit të vet, është, minimalisht “e mirë”.

Është e qartë se në këtë kuptim, këtu nuk bëhet fjalë për ndonjë mëkat, që atij personi t’i thuhet “gabove, u lëkunde, hyre në mëkat”… Më e shumta që mund t’i thuhet atij është se, duke pasur mundësi të kryeje “më të mirën e mundshme”, pse zgjodhe “të mirën?”, po kurrsesi nuk mund të bëhet fjalë për mëkat…

Ja, e tillë është cilësia e veprave që profetët kanë vendosur të kryejnë në bazë të gjykimit të vet. Tani, mbi ç’bazë mund të quhet mëkat kjo zgjedhje e tyre? Më poshtë, do t’i kthehemi sërish kësaj teme…

Së dyti: Para gjithçkaje, profetët janë paria e gjykuesve. Edhe nëse ata nuk kanë marrë një mesazh të paracaktuar nga Zoti në lidhje me një temë, qoftë kjo në lidhje me normat fetare, me jetën e tyre individuale apo me jetën sociale, janë të aftë të gjykojnë e të shprehin pikëpamjet e tyre personale në lidhje me të. Këto gjykime të tyre shumicën e rasteve arrijnë të jenë në përputhje të plotë me vullnetin hyjnor, po ka edhe raste që nuk përputhen plotësisht. Por sidoqoftë, këto gjykime janë absolutisht brenda kornizës së qëllimit dhe vullnetit hyjnor.

Tani, në rastin kur gjykimi i tyre nuk është përputhur tërësisht me vullnetin hyjnor, duke pasur parasysh faktin se profetët janë banorët e përhershëm të pallatit hyjnor, sipari nga sytë e tyre është ngritur dhe pozita e tyre është e tillë saqë ndjejnë edhe gërvishtjen e lapsit që shkruan Fatcaktimin, mund të pranohet mundësia që ekziston njëfarë gabimi. Sepse ata kanë detyrë që gjykimi i tyre të përputhet 100% me vullnetin hyjnor. Po ky “gabim” në gjykimet e tyre nuk mund të pranohet kurrsesi si mëkat; një gjykim i tillë nuk ka të bëjë fare me atributin e pafajësisë te profetët dhe nuk e cënon kurrsesi atë. Gjithashtu, nuk përbën një shkak që profetët të gjykohen. Madje, edhe po ta pranonim se ekziston një mundësi gjykimi, ky nuk u përket njerëzve si ne.

Së treti: Këto lapsuse kanë ndodhur para profetësisë së tyre. Edhe nëse ka pasur ndonjë “lëkundje” të vogël, dua ta theksoj se ajo ka qenë vetëm një lëkundje, kurrsesi rrëzim. Ata që e kanë fytyrën të kthyer vazhdimisht nga Zoti, nuk rrëzohen përtokë. Edhe po u lëkundën pak duke hedhur një hap, në hapin tjetër e mbledhin veten e nuk bien kurrsesi, që të mund të përmendet këtu termi “mëkat”.

Ndërsa tani, këto gjëra që i paraqitëm në vija të përgjithshme, do t’i konkretizojmë me shembuj individualë. Së pari, dua t’ju tërheq vëmendjen te babai i njerëzimit, Profeti Adem (a.s.).

1. Profeti Adem (a.s.)

Në një prej fragmenteve që tregojnë rreth Profetit Adem (a.s.), Kur’ani thotë kështu: “Ademi nuk e zbatoi urdhrin e Zotit të vet, kështu që devijoi (nga rruga e drejtë. Pastaj, Zoti e zgjodhi atë, e pranoi pendimin, e udhëzoi” (TaHa 20/121,122). Fjala e theksuar në ajet, në origjinal është ixhtiba. Ixhtiba është veprimi i të shpëtuarit nga degradimi, nga rënia në fund dhe nga shpërndarja e ajkës. Zoti këtu e shpreh më së miri se si e ruan dhe e shpëton Profetin Adem nga rënia në një gjendje të tillë. Në përkthim, fjalës ASA i dhamë kuptimin rebeloi, ngriti krye, ku edhe ky është një nga kuptimet e mundshëm e të përshtatshëm. Por në analizën që do të bëjmë më poshtë, do ta shohim se veprimi nuk mund të cilësohet rebelim.

Tani le të ndjekim me vëmendje Profetin Adem.

Nëse dikush kërkon shembull për të kuptuar ç’është bindja, atëherë ai duhet të shohë Profetin Adem e ta mësojë bindjen prej tij. Sapo i lëkunden pak këmbët, ai kthehet nga Zoti i vet, i cili e shpëton nga rrëzimi dhe i thotë: ”…O Zoti ynë! Ne e kemi futur veten në gjynah, prandaj, nëse Ti nuk na fal dhe nuk na mëshiron, ne vërtet që do të jemi nga të humburit”. (Araf 7/23). Këtu flitet për një lapsus, për një gabim, që ndoshta ishte dhe i pashmangshëm. Por pas këtij lapsusi, Zoti i tregon menjëherë Ademit rrugën e drejtë dhe e udhëheq menjëherë drejt së mirës. Këtu kuptohet qartë se ky lapsus ka ndodhur para shpëtimit e përzgjedhjes (ixhtiba) që përmendet në Kur’an. Përfytyroni pak sikur atë periudhë Profetin Adem ta ketë prekur paksa një vjeshtë e trishtë, e cila sa ia ka zverdhur paksa majat e degëve, po kurrsesi nuk ia ka rrëzuar gjethet.

Ndoshta ai është shtrirë si gruri para erës dhe, me të kaluar ajo erë, është drejtuar sërish për t’u takuar me shpirtin e tij të dëlirë.

Edhe i Dërguari i Allahut (xh.xh.) e përngjason besimtarin me grurin, kurse ateistin me rrapin, që njëherë duket madhështor, po kur rrëzohet, e ka të pamundur të ngrihet e të drejtohet sërish[1].

Ndërsa po ta trajtojmë nga një aspekt tjetër, kjo ngjarje ka ndodhur para profetësisë së Ademit (a.s.). Ndaj edhe rastet e tjera të ngjashme tregojnë paralelizëm me të.

Veprimi i Profetit Adem, më tepër se rezultat i vullnetit të tij, ishte rezultat i harresës dhe i hutimit.

Allahu (xh.xh.) na e shpjegon këtë gjendje të Profetit Adem, të përforcuar me betim, me këto fjalë: “Ne bëmë besëlidhje edhe me Ademin më parë, por ai harroi, sepse nuk ishte i vendosur”. (TaHa 20/115)

Një nga këndvështrimet e mundshme të ajetit, të paraqitur me anë të përkthimit, është edhe ky. Në një tjetër fragment kur’anor, Zoti thotë kështu: “Ne thamë: “O Adem, jeto ti dhe gruaja jote në Xhenet dhe aty hani sa të doni e kur të doni, por mos iu afroni kësaj peme, se ndryshe do të bëheni të padrejtë” “..., por mos iu afroni kësaj peme, se i bëni padrejtësi vetes!”. (El-Bekare 2/35)(Araf 7/19)

Po ai harroi. Harresa është një pjesë e pandarë e njeriut. Profeti ynë, ndërsa analizon këtë çështje, shprehet kështu: “Harroi Ademi, harruan dhe bijtë e tij”.

Profeti ynë, ai që i njeh më mirë se kushdo karakteristikat njerëzore, bën me këto fjalë analizën më të saktë e më të përpiktë që mund t’i bëhet kësaj çështjeje. Njeriu harron, Profeti Adem është njeri, ndaj dhe ai harron, sikundër dhe harroi. Bashkë me këtë, në fjalët e tij të mësipërme, Profeti cek edhe ndikimin gjenetik mbi karakteristikat njerëzore. Kjo është një e dhënë me rëndësi për profesionistët e kësaj fushe… domethënë harresa, ne na ka ardhur e trashëguar brez më brez, që nga babai ynë i parë. Zoti e ka përcaktuar këtë karakteristikë duke e vendosur në gjenet e në kromozomet e Ademit, ndaj dhe ne nuk e heqim dot nga vetja. Me fjalën “harroi”, Zoti u pret rrugën të gjithë mendimeve që mund të të çojnë në një ide negative për Ademin, pastaj thotë: ”…sepse nuk ishte i vendosur” (TaHa 20/115). Në një mënyrë apo në një tjetër, rruga e fatcaktimit e çoi Ademin në atë drejtim, por sidoqoftë, ai veprim u krye në harresë e sipër dhe Ademi kurrsesi nuk ishte këmbëngulës e i vendosur në atë veprim.

Por cili ishte vallë ky frut i ndaluar? Në këtë temë janë shprehur aq shumë mendime e hipoteza sa, po t’i përmendnim që të gjitha, këtu do të formohej një pemishte e vërtetë. Elb, grurë, oriz, hurmë, rrush, etj., etj. Megjithatë, cilado prej këtyre pemëve të jetë me të vërtetë, nuk mendoj se do të ndikonte në përfundimin e teorisë. Rëndësia në këtë pikë i përket gjendjes së formuar dhe problemit të lindur pas konsumimit të këtij fruti të ndaluar.

Megjithatë, mendimi ynë në lidhje me cilësinë e atij fruti, është pak më i ndryshëm se teoritë e tjera të hedhura gjer më sot.

Fruti i ndaluar mbart domethënien e ndjenjave njerëzore, të cilave nuk u bëhet dot ballë. Janë pikërisht këto ndjenja që përftojnë vazhdimësinë e njerëzimit e shumimin e tij. E njëjta ndjenjë ekziston edhe te nëna jonë, Havaja. Zoti e di më mirë, por, të prekësh atë pemë do të thotë të kryesh pikërisht atë vepër që është shkak për vazhdimin e racës njerëzore…

Megjithatë, ne nuk kemi ndonjë pretendim se kjo tezë është më e sakta. Thjesht mendojmë se edhe kjo tezë duhet analizuar bashkë me tezat e tjera të hedhura gjer më sot. Nëse është e saktë, kjo rrjedh nga mirësia e bujaria hyjnore, po nëse është e gabuar, atëherë i lutemi të na falë e të na marrë nën mbrojtjen e mëshirës së Tij.

Para se të kalojmë në normat e fesë mbi harresën e gabimin, dua të përmend këtu edhe një pikë tjetër.

Në Kur’an, tregimi i ngjarjeve bëhet nëpërmjet disa fragmenteve të lidhur me njëri-tjetrin, por që kalojnë në vende të ndryshme. Edhe kjo çështje është treguar në mënyrë të tillë. Është e qartë se një periudhë kohe, Profetit Adem dhe Hz. Havasë u ishte urdhëruar të mos i afroheshin asaj peme. Po nuk shpjegohet në asnjë vend se sa kohë ka kaluar pas kësaj ndalese. Kuptohet, ka kaluar aq kohë, sa Profeti Adem ka pasur mundësinë ta harronte këtë urdhër. Ai ka harruar, pastaj ka prekur frutin e ndaluar. Harresa është një gjendje e tillë, që lapsi nuk e shkruan mëkatin. Në lidhje me këtë temë, Profeti thotë kështu: “Umeti im nuk mban përgjegjësi në tre raste: Kur harron, gabon dhe kur detyrohet me forcë”.

Edhe në Kur’an mësohemi e udhëzohemi të kërkojmë falje në të tilla raste. Ajeti është ky: “Zoti ynë, mos na ndëshko për atë që harrojmë ose veprojmë pa qëllim!” (Bekare 2/286)

A nuk është kjo një lutje që ne e bëjmë çdo natë?

Profeti Adem ka harruar, ka gabuar dhe i është drejtuar atij fruti. Edhe gruaja, pa dyshim që ka pasur ndikimin e saj. Sipas hadithit të mësipërm, kjo gjë ka ndodhur në një çast që lapsi nuk shkruante as gabim, as mëkat. E atëherë, si mund të themi se kjo vepër e Profetit Adem është një mëkat? Aq më tepër që edhe njerëzit e thjeshtë mundohen të ruhen e të rrinë larg prej gjërave të ndaluara, që Zoti i ka quajtur faj a rebelim, si mundet që të zgjedhurit e Tij, profetët, të mos ruhen prej këtyre gjërave? Është gabim i madh të pretendosh të kundërtën!

Të mëdhenjtë në fushën e dijes, ajetin e mësipërm nuk e interpretojnë sikur e interpretuam ne. Ai ajet mund të lexohet “Ademi rebeloi ndaj Zotit të vet dhe ngatërroi rrugën”, po nuk është aspak me vend të përsëritet e të merret bazë për një qëllim të caktuar e të bëhet kapital për lloj-lloj keqinterpretimesh. Sepse Profeti Adem është një profet. Dhe nuk është aspak e drejtë dhe as e drejta jonë të flasim për profetët sikur flasim e marrim nëpër gojë njerëzit e rëndomtë.

Përveç këtyre, stilistika e Kur’anit rreth profetëve nuk përbën një pikëpamje për sjelljet e tyre, sepse ajo duhet vlerësuar nga këndi i komunikimit të Allahut (xh.xh.) me ta, marrëdhënia mes tyre dhe afërsia që kanë profetët me Zotin.

Të hershmit e përmblidhnin këtë temë me këto fjalë: “Ajo gjë që mund të jetë e pranueshme për njerëzit e thjeshtë, është e papranueshme për njerëzit që ndodhen afër Zotit”.[2]

A nuk vlen i njëjti parim edhe në ligjet e normat njerëzore? Nëse fajtori është nëpunës shteti, ndëshkimi për të rëndohet më tepër. E nëse është prokuror, gjykatës, avokat apo diçka tjetër, që ka kontakt të vazhdueshëm me drejtësinë e ligjin, dënimi rëndohet edhe më. Kështu ndodh edhe me profetët, të cilët janë nëpunësit e Zotit dhe e njohin doktrinën e mëkatit e të së drejtës më mirë se kushdo; normalisht, për të tillë njerëz mëkati mund të ketë rezultate më të rënda se për të tjerët. A nuk trajtohet më ashpër se të tjerët një mëkat që kryhet në Qabe? (Haxhxh.) 22/25). A nuk thuhet në Kur’an se, nëse bëjnë ndonjë mëkat gratë e Profetit, ndëshkimi për to do të jetë i dyfishtë? (Ahzab 33/30)

Kjo sepse Qabeja është simboli i afërsisë me Zotin. Njeriu që ndodhet në atë vend të shenjtë, numërohet si mysafir te Zoti. Po ashtu, edhe bashkëshortja e Profetit pranohet më afër Zotit se njerëzit e tjerë, sepse shtëpia e Profetit është e mbushur çdo çast me frymën e shpalljes hyjnore. Aty Xhebraili hyn e del vazhdimisht. Natyrisht, ndëshkimi për mëkatet e kryera në një vend të tillë dhe në një shtëpi të tillë, do të jetë më i rëndë e më i dyfishuar. Sa më i madh të jetë trofeu, aq më e madhe është dhe vështirësia e betejës.

E tillë është edhe gjendja e profetëve. Ata janë elita e nderuar e njerëzimit, e rrethuar me aprovim e me qetësi shpirtërore. Engjëlli i shpalljes takohet me ta vazhdimisht dhe zemra e tyre është gjithmonë e gatshme për të pranuar shpalljen. Ndaj dhe në një gjendje të tillë, është normale që edhe gabimi më i vogël të duket si faj e të trajtohet si mëkat. Sepse pozita e lartë ku ata ndodhen, imponon një trajtim të tillë. Por dua të theksoj sërish se ky faj a mëkat nuk është i një lloji të tillë që ne të mund ta vlerësojmë me këndvështrimin tonë. Kjo është një lëkundje, një lapsus, i cili mund të trajtohet si mëkat vetëm duke u nisur nga pozita superiore e profetëve. Ndaj nuk është aspak me vend që ne të gjejmë të drejtën në vetvete për t’i emërtuar këto lapsuse si mëkat.

Përveç këtyre, le të pranojmë edhe hipotezën sikur Allahu (xh.xh.) e kishte urdhëruar Profetin Adem të agjëronte përballë seksit tjetër… kurse Profeti Adem, ai të cilit i ishin mësuar të gjithë emrat, e dinte pak a shumë në njëfarë kuptimi atë që do t’i ndodhte. E dinte se shtjella nga kishte hyrë, do ta sillte, do ta vërtiste, por prapëseprapë do ta çonte në pikën e paramenduar, aty ku e drejtonte kushtëzimi i natyrës së tij.

Ai thjesht përballoi me nënshtrim atë çast, kur vullneti njerëzor takohet mistershëm me vullnetin hyjnor, takohet e ndikon direkt në rezultatin e veprës; edhe nëse nuk është një çast harrese – që Kur’ani e quan harresë – mund të jetë njëfarë mungesë qëndrese nga ana e tij dhe shkak për gabimin që flasim… por, më falni, a mund të flasim këtu për mëkatin?

Meqë ra fjala, më duket me vend të përmend këtu një ngjarje të transmetuar nga Buhariu dhe Tirmidhiu.

Profeti ynë thotë: “Në botën qiellore takohen Profeti Adem e Profeti Musa me njëri-tjetrin. Profeti Musa i thotë: Ti që je babai i njerëzimit! Na dëbove të gjithëve nga parajsa e na zbrite në tokë!

Ademi i përgjigjet: Ti që je “kelim”, profeti që ke folur drejtpërdrejt me Allahun (xh.xh.), a nuk e ke hasur në Tevrat këtë shprehje: “Dyzet vjet para se Ademi ta hante atë frut, kjo ngjarje ishte shkruar në fatin e tij”.

Pasi shpjegon këtë ngjarje të botës së shpirtrave, Profeti përsërit tre herë radhazi këtë fjali: “Ademi e bëri Musain të heshtte!”[3]

Nga njëra anë, kjo fjalë është njëkohësisht dhe pohim i pafajësisë së Profetit Adem (a.s.), që do të thotë se vepra e kryer nga Ademi nuk mund të cilësohet si mëkat.

Profetit Adem i janë mësuar të gjithë emrat, rrjedhimisht dhe çdo gjë që është emërtuar. Gjithë jetën ai ka jetuar thuajse i magjepsur në botën e mistershme të emrave… si është e mundur që të mendohet që një person i tillë të kryejë me vullnet të lirë e me qëllim çfarëdo lloj mëkati?

Një mundësi tjetër është që ai frut të ketë qenë i ndaluar për një kohë të caktuar dhe Ademi e ka ditur këtë. Ndoshta ai gjykoi, vendosi sipas mendjes së vet dhe e zgjati dorën drejt atij fruti, duke e prishur kështu agjërimin e tij para kohe. Kështu ai akt, që sot është vepër e këshilluar dhe sevap, kur kryhet brenda kornizës ligjore të lejuar[4], atë kohë, për pozitën në të cilën ndodhej Ademi, ishte përkohësisht i ndaluar. Një ndalesë që e kishte zanafillën te pozita e afërt që kishte ai me Zotin. Prandaj dhe kjo vepër është quajtur lapsus.

Këta parametra që u munduam të paraqisnim rreth Profetit Adem, janë të vlefshme edhe për konceptimin e rasteve përkatëse të profetëve të tjerë. Në këtë mënyrë do e shtjellojmë dhe e konceptojmë më së miri se si profetët janë të pajisur me atributin e pafajësisë dhe se si ata lapsuse apo lëkundje të vogla, që paraqiten si të tyret nuk janë aspak gabime ose mëkate.

2. Profeti Nuh (a.s.)

Shkaku që i tërhiqet vëmendja Profetit Nuh, është se ai i lutet Zotit për t’i shpëtuar të birin. Në pamje të parë, kjo mund të tingëllojë si diçka e gabuar për një profet. Tani le ta përqendrojmë vëmendjen te babai i dytë i njerëzimit, Profeti Nuh (a.s.) dhe të mundohemi ta njohim këtë njeri të madh, të paktën në kornizën e kësaj ngjarjeje, ashtu siç e shpjegon Kur’ani.

Në Kur’anin Famëlartë, lutja e Profetit Nuh dhe përgjigja që i jep Zoti, shpjegohen në këto ajete: “Pastaj Nuhu iu lut Zotit dhe i tha: “O Zoti im, biri im është nga familja ime, premtimi Yt është i vërtetë dhe Ti je Gjykatësi më i drejtë!” (Hud 11/45)

Ndërkohë, Profeti Lut është i emocionuar e në ankth prej stuhisë së paralajmëruar, që po i vjen popullit të tij. Ai është veçanërisht shumë i shqetësuar për të ardhmen e djalit të vet, një shqetësim i tillë, që e bën njeriun të dridhet e të tmerrohet i tëri. Vallë çfarë është ajo që e shqetëson dhe e tremb më tepër Profetin Nuh, mbytja e të birit në stuhi, apo vdekja e tij si ateist?

Padyshim që Profeti Nuh, i cili e njihte botën e përtejme, lumturinë e përjetshme e ndëshkimin etern, i cili e kishte dëshmuar vetë edhe mëshirën edhe ndëshkimin e Zotit, nuk shqetësohej thjesht për trupin, materien e jetën kalimtare të kësaj bote për të birin. E aq më tepër, cili është ai baba që nuk rënkon e nuk bëhet copë prej shkatërrimit aq real e aq të dhimbshëm të të birit?

“O Zot! Ti më premtove se nuk do ma shkatërroje familjen time e njerëzit e mi! Ata që nuk do hipin në këtë anije, nuk do ti shpëtojnë kurrsesi fundit fatal; dhe im bir ndodhet mes tyre.” Kjo është lutja që bën Profeti Nuh.

Këtij përgjërimi të tij, Zoti i përgjigjet me këto fjalë, duke e qetësuar e duke i treguar se si qëndronte thelbi i çështjes: “(Allahu) tha: “O Nuh, ai nuk është nga familja jote, ai ka bërë punë të keqe. Mos më pyet për atë që ti nuk e di. Unë të këshilloj që të mos bëhesh nga të paditurit”. (Hud 11/46)

Ai nuk është nga të tutë. Ai mund të jetë raca jote, mund ta ketë lindur gruaja jote, është rritur në djepin tuaj, me ninullat tuaja. Po familja jote e vërtetë janë ata që janë në rrugën tënde. Ai bëri diçka të keqe, hyri në rrethin e të humburve. Ai rebeloi dhe u rendit në radhët e atyre që nuk besuan, të cilët edhe e shtynë drejt mbytjes. Mbytja në këtë stuhi e çoi atë në mbytjen fatale, të përjetshme. Ndaj mos kërko gjëra të cilat nuk i di mirë. Ti po këshillohesh, që të mos bëhesh prej injorantëve. Ti je njeriu i dijes së vërtetë dhe i dashurisë sublime. Një profeti si ti, që ndodhet kaq pranë me Zotin, nuk i shkon një lutje e një kërkesë e tillë.

Ja, ky është gabimi që i numërojnë Profetit Nuh në jetën e tij nëntëqind e pesëdhjetë vjeçare! I është lutur Zotit t’i shpëtojë të birin nga përmbytja, kjo është e gjitha!

Vallë cili është shkaku që Profeti Nuh lutet e përgjërohet me ato fjalë?

Së pari: Sikur shpjegohet edhe në ajet, Zoti urdhëron Nuhun të marrë në anije njerëzit e vet e besimtarët. “Kur arriti urdhri Ynë e uji nisi të gufojë nga sipërfaqja e tokës, Ne i thamë: “Ngarko në anije nga çdo lloj gjallese nga një çift, familjen tënde - përveç atyre kundër të cilëve ka qenë fjala e dënimit – dhe besimtarët!” (Hud 11/40)

Ky është një premtim që Profeti Nuh e merr prej Allahut (xh.xh.) dhe duke u bazuar në këtë premtim, ai i bën Zotit një lutje të tillë. Gjer në atë moment, ai nuk e di se për të birin është vendosur e kundërta. Ndaj ai nuk kërkon diçka të veçantë prej Zotit, veç premtimin e Tij.

Profeti Nuh e ndërtoi anijen ashtu si e mësoi zbulesa hyjnore dhe i ftoi njerëzit të hynin me urdhër të Zotit. Padyshim që mes atyre që ftoi, ndodheshin edhe pjesëtarët e familjes së vet. Allahu e kishte urdhëruar ta merrte familjen me vete në anije. Ashtu i kishte thënë, po mu para syve të tij, i biri përpiqej me dallgët. Në këtë çast të vështirë, kur gjithë rrugët e shpëtimit ishin mbyllur tashmë, ai i drejtohet të Vetmit që mundet ta ndihmojë të zgjidhë çdo nyjë, i lutet dhe i kërkon shpëtimin e të birit. Sido që të ishte, ai nuk kishte një degë tjetër ku të mbahej, veç lutjes.

Kur e mori vesh se i biri nuk ishte me të, sa nuk i ra pika. Sepse ai nuk e dinte këtë, ai mendonte se i biri ishte në radhën e tij, ishte familja e tij, njeriu i tij…Nuk kishte si të ishte ndryshe, nuk kishte si ta dinte, ndaj dhe sapo e mori vesh të vërtetën, pa humbur as edhe një çast kohë, iu kthye Zotit të vet dhe i kërkoi falje i penduar, duke iu përgjëruar me këto fjalë: O Zoti im, mbështetem tek Ti për të të mos kërkuar gjëra, për të cilat nuk kam dijeni. Nëse Ti nuk më fal dhe nuk më mëshiron, do të jem nga të humburit” (Hud 11/ 47).

Këtu del qartë se Profeti Nuh nuk e dinte të vërtetën rreth të birit më përpara. Ndaj dhe sapo e mëson, heq dorë nga kërkesa e tij dhe kërkon falje.

Kjo është një sjellje që e mrekullon ndërgjegjen e njeriut, një sjellje e lartë, që zë vend tej në horizont, një sjellje që nuk ka se si të cilësohet gabim.

Së dyti: Çfarë ishte ajo që kërkoi Nuhu prej Zotit? Ai mund të kërkonte që Zoti t’i tregonte birit të tij rrugën e drejtë dhe kjo është gjëja më e natyrshme për një baba. Aq më tepër për një baba që është njëkohësisht profet, që ka një strukturë shpirtërore që nuk i përngjet kurrsesi njerëzve të tjerë dhe që përpiqet me mish e me shpirt për shpëtimin e gjithë njerëzve. Për një njeri të tillë, kaq shpirtmadh e kaq të mëshirshëm, është sa e natyrshme, po aq edhe e virtytshme që të lutet për të birin e për shpëtimin e jetës së tij të përtejshme. Këtu ndodhemi përballë mëshirës e dhembshurisë profetike. Këto ndjenja te ata janë tej kufijve të imagjinatës sonë dhe tepër, tepër të veçanta; përndryshe si do ishte e mundur që ata t’i rezistonin peshës së rëndë të detyrës profetike mbi shpatulla?

Mendoni një nënë, cilëndo prej tyre. Me çfarë dashurie e mëshire të jashtëzakonshme është pajisur ajo që të mund të shtrëngojë në gjoks fëmijën e saj e të rendë pa u lodhur pas çdo nevoje që ai ka. Po një profet, madje njëri nga më të shquarit e profetëve, që ia ka hapur gjoksin gjithë njerëzimit e përpiqet pa u kursyer për asnjë çast, të plotësojë çdo nevojë e kërkesë të tyren, edhe të kësaj bote, edhe të të përtejmes…

Ndërsa Kur’ani Famëlartë tregon gjendjen e Profetit tonë e hidhërimin që ai ndjen përballë ateistëve, shprehet me këto fjalë: “A mos vallë do të vrasësh veten nga pikëllimi, nëse ata nuk besojnë në këtë Fjalë (Kuran)?” (Kehf 18/6)

Profeti ynë e shpjegon vetë gjendjen në të cilën ndodhet në të tilla raste, me këta fjalë: “Shembulli im e i popullit tim i ngjan shembullit të njeriut që ndez një zjarr. Insektet e mizat nisin të vërtiten rreth zjarrit. Po! Unë ju tërheq nga rrobat, po prapë ju shkoni drejt zjarrit që keni para hundës.[5]

Ja, kjo është dashuria e dhembshuria profetike. Edhe Nuhu është profet, edhe ai bart të njëjtat ndjenja…

Po ai, sa dëgjoi atë këshillë hyjnore, u kthye menjëherë nga Zoti i tij, hoqi dorë nga kërkesa e vet dhe kërkoi menjëherë falje.

Kurse tani do të shohim lutjen e Profetit Adem e lutjen e Profetit Nuh e do të dëshmojmë ngjashmërinë ekzistente mes përgjërimit të tyre.

Që të dy e kanë kuptuar se diçka nuk ec, i janë kthyer menjëherë Zotit të tyre dhe kanë nisur të luten në të njëjtën atmosferë, me të njëjtën mënyrë, me të njëjtin përkushtim. Sepse ata që të dy janë njerëz të të njëjtit karakter, të brumosur me të njëjtën maja’. Që të dy kanë mësuar në të njëjtën shkollë, nga i njëjti Mjeshtër. Ndaj dhe distancimi nga gabimi është pak a shumë i njëjtë për të dy.

Në Kur’an, distancimi i menjëhershëm nga gabimi dhe kthimi imediat te Zoti i këtyre dy profetëve, ndonëse me fjalë të ndryshme, shprehet me të njëjtën stilistikë.

Së treti: Në fe ekziston një parim: “Gjykimi bëhet në bazë të evidentes”. Pikërisht në bazë të këtij parimi, i Dërguari i Zotit, edhe pse e dinte mirë se Abdullah bin Ubejj bin Selul ishte nga munafikët, ka marrë pjesë në varrimin e tij, në bazë të këtij parimi Ai nuk i ka rënë ndesh e nuk i ka demaskuar sa e sa munafikë të tjerë[6]. Sepse në dukje, këta falen, agjërojnë dhe zbatojnë vazhdimisht detyrat fetare. Me mundësi të madhe edhe i biri i Profetit Nuh sillej në këtë mënyrë. Ndoshta edhe ai në dukje shtirej si besimtar, po në të vërtetë ishte munafik, mik me ateistët dhe fytyra e vërtetë i kishte dalë sheshit pikërisht atë çast. Edhe Profeti Nuh kishte gjykuar sipas të dukshmes dhe e kishte pranuar të birin si pjesë të frontit të vet. Të gjykosh sipas evidentes nuk ka qenë ndonjëherë, e as mund të jetë, as faj dhe as mëkat. Në këtë rast, Profeti Nuh, jo që nuk ka bërë mëkat, po ka bërë atë që i takonte të bëjë. Imagjinoni atë profet të madh, i cili për 950 vjet me radhë është munduar e është përpjekur, e kanë tallur, i kanë thënë i çmendur, po ai nuk është lëkundur aspak. Numri i atyre që e besuan ishte shumë i vogël, Kur’ani e bën të ditur këtë me këtë ajet: “Shumë pak kanë qenë të atillë që kishin besuar” (Hud 11/40).

Ai që kërkon ta kuptojë më mirë Profetin Nuh, le ta lexojë atë në suren Nuh. Atëherë do ta kuptojë më së miri se ai profet i nderuar është i pastër, i virtytshëm e larg nga mëkati, sa qielli me tokën. Zoti i Madh e mëshiroftë atë dhe Profetin tonë! Amin!

3. Profeti Ibrahim (a.s.)

… Dhe babai i profetëve, i Nderuari, Miku i Zotit, Ibrahimi… Njeriu që nuk diti kurrë ç’është frika, që nuk iu drodh syri para askujt. Ai shpirt, që edhe kur e hodhën të gjallë në zjarr, gjeti edhe aty prehje e shpëtim. I Zgjedhuri i të Zgjedhurve, që e mbante parajsën në shpirt dhe e kthente në parajsë çdo vend ku shkelte, edhe po të ishte ferri vetë. Ndërsa të gjithë krenoheshin me afërsinë e përngjasimin që kishin me të Dërguarin e Allahut, ai lumturohej me ngjashmërinë që kishte me Profetin Ibrahim e thoshte: “Unë i ngjaj atit tim, Profetit Ibrahim[7].

Dhe tani le të bëjmë dhe një udhëtim në kufijtë e pastërtisë e pafajësisë së tij dhe le ta shohim shpalosjen e virtytit edhe te ai.

aa) Yjet, hëna dhe dielli

Gjatë gjithë jetës së tij, Profeti Ibrahim nuk ka hyrë asnjëherë në shirk duke adhuruar yjet a çfarëdo qoftë tjetër. Veprimi i tij, duke parë me radhë yjet, hënën e diellin e duke iu drejtuar atyre me radhë “Rabbi - Zoti im”, nuk ka asnjëfarë lidhjeje, as me shirkun dhe as me adhurimin e tyre. Tani le ta ndjekim ngjarjen nga ajetet Kur’anore në lidhje me këtë temë.

“Kur ra nata, ai pa një yll dhe tha: “Ky është Zoti im! Por, kur perëndoi ylli, ai tha: “Nuk i dua ata që perëndojnë. Kur pa Hënën duke lindur, tha: “Ky është Zoti im!”. Por, pasi ajo perëndoi, ai tha: “Nëse Zoti im nuk më udhëzon në rrugën e mbarë, me siguri do të bëhem njëri nga të humburit. Kur vërejti Diellin duke lindur, ai thërriti: “Ky është Zoti im, ky është më i madhi!” Por, pasi dielli perëndoi, ai tha: “O populli im, unë jam larg nga idhujt që ju ia shoqëroni Allahut në adhurim!” (En’am 6/76-78).

Që kur kishte lindur, Profeti Ibrahim kishte lindur si Hanif. As që mund të mendohet se ai i drejtohet yllit, hënës e diellit në sensin e mirëfilltë “Zoti im”. Për të pranuar një gjë të tillë, do të na duhej të anullonim tërësisht këtë ajet, që kalon para këtyre që paraqitëm, në të cilin thuhet: “Ibrahimi i tha atit të tij, Azerit: “A do t’i adhurosh idhujt si zotat e tu?! Unë vërtet po shoh se ti dhe populli yt jeni në humbje të madhe”. (En’am 6/74).

Në ajetin në vazhdim thuhet kështu :”Dhe kështu, Ne ia treguam Ibrahimit mbretërinë e qiejve dhe të Tokës, që ai të bëhej nga ata që besojnë vendosmërisht”. (En’am 6/75).

Është e pamundur që një profet i tillë, me të tilla ndjenja e mendime, të hapura përballë çdo metafizike, të njohë një yll si Zot, qoftë edhe për fare pak kohë. Le të thonë ç’të duan librat e mbushur cep më cep me tregime e historira, bindja jonë është kjo dhe nuk ndryshon. Për më tepër që Profetit Ibrahim nuk i ishte bërë e ditur vetëm bota materiale, po edhe ajo shpirtërore, pra i ishte bërë e ditur edhe perdja në thelbin e ekzistencës. Ndaj kështu, ai kishte arritur dijen absolute. Bile ndodhej në shtresën më të lartë të saj, në atë orbitë ku dija bëhet një me të vërtetën dhe ekzistenca jetohet e dëshmohet në nivelin më sublim. Rrjedhimisht, pasi që në ajetet e para tregohet se si Profeti Ibrahim ishte bërë një me të vërtetën sublime dhe se si ishte krejt pa perde para dijes absolute, është e qartë se me fjalët e tij, që zënë vend në ajetin e mëposhtëm, ai ka për qëllim t’i japë një mesazh bindës e konkret popullit të vet. Atëherë është e domosdoshme që ta trajtojmë ngjarjen nga ky këndvështrim dhe ta marrim atë në dorë nga e para.

Së pari, populli i Ibrahimit adhuronte yjet. Sikur njerëzit e epokës së injorancës, që adhuronin yllin Sirius, ose Shira, në gjuhën e tyre. Sipas të dhënave astronomike të asaj kohe, Sirius dukej më i madh e më i ndritshëm se yjet e tjerë, ndaj dhe kjo veçori e tij kishte mjaftuar që njerëzit e asaj epoke të errët të nisnin ta adhuronin atë. Edhe në Babiloninë e lashtë hasim në adhurimin e yjeve. Për këtë arsye, Profeti Ibrahim e hedh fillimisht vështrimin nga ky yll. Me fjalë logjike e bindëse, të përshtatshme me anën e jashtme të temës, ai i bënte një vërejtje të vogël, po shumë të rëndësishme njerëzve të vet. Çdo fjalë që thoshte ishte e saktë, nuk përdorte as edhe një material të rremë. Bile në çdo fakt që parashtronte, synonte të hidhte poshtë një idhull të tyre në qiell e shëmbëlltyrën e tij në tokë. Kështu, në themele logjike e të arsyeshme, ai po i rrëzonte një e nga një të gjithë idhujt e tyre; sepse misioni i tij ishte të shembte idhujt. Disa interpretues nënkuptojnë një pjesëz pyetëse në krye të fjalisë “Kjo është perëndia ime[8]” duke i dhënë kështu një sens negativ shprehjes, të cilën ne mund ta përkthenim “A kjo është perëndia ime?!”, që në bosht të saj ka kuptimin “Jo, nuk ka se si”. Edhe ky që shprehëm është një nga komentet që ka gjetur pasues, i bërë në lidhje me këtë temë. Po shpjegimi ndaj të cilit ne duam të tërheqim vëmendjen tuaj, është në këtë mënyrë:

Profeti Ibrahim, me stilin e tij, është sjellë fillimisht sikur i vlerëson idhujt e tyre dhe i ka tërhequr idhujtarët kështu në fushën e vet të diskutimit. Aq më tepër që nuk ekzistonte një mënyrë tjetër dialogu me ta!”Ky po flet për idhujt tanë!” thanë dhe pranuan ta dëgjonin pa e kuptuar aspak diskutimin e rëndë që i kishin hyrë, diskutim që do të mbaronte me fjalët e bukura të Profetit Ibrahim dhe me ngadhënjimin e frontit të besimit ndaj frontit të mohimit.

Kështu ai i mori ata për dore dhe i shëtiti me radhë, te ylli, hëna, dielli… duke u kujtuar atyre se ata që të gjithë ishin kalimtarë, perëndonin, iknin. Sepse natyrisht që objektet e krijuara nën disa norma e ligje, e që ekzistojnë e asgjësohen në varësi të këtyre normave e ligjeve, nuk mund të kenë pushtet mbi gjithësinë. Si mund të kenë pushtet mbi gjërat e përkohshme, të tjera objekte të përkohshme? Fjala “Nuk i dua ata që perëndojnë e shkojnë”, e thënë nga Profeti Ibrahim në fragmentin e parë, ishte njëkohësisht edhe vërejtja e parë. Nuk duhet të zënë vend në zemra ata që janë të përkohshëm! Ata nuk e meritojnë as të ndiqen dhe as të adhurohen, sepse herët a vonë ata do të ikin. Unë dua një dashuri që nuk perëndon! Kjo dashuri duhet të jetë e tillë, që ta ndiej pranë në çdo çast, më pranë se veten time. Ajo duhet të njohë të gjithë aspiratat e shpirtit tim, duhet të jetë e gjithëpushtetshme të plotësojë këto aspirata e duhet të jetë me mua çdo çast.

Më pas hedh edhe një hap tjetër. Tregon hënën. Po edhe ajo pas pak do të humbë, do të perëndojë. Dhe në këtë fazë të ligjëratës, ai nuk i drejtohet direkt popullit të vet, po prek tërthorazi gjendjen e keqe në të cilën ndodhen duke thënë: “Padyshim, po të mos më udhëhiqte Zoti në rrugë të drejtë, edhe unë do të isha një prej fajtorëve!”

Në fazën e tretë, ai i drejton sytë nga dielli. Sipas bestytnive të tyre, dielli është perëndia më e madhe. Duke u nisur nga më i vogli, ai i shembi me radhë dy idhujt e parë. Tani është radha e më të madhit. Si të ikë e të perëndojë edhe ai, atëherë Ibrahimi do t’u thërrasë ndërgjegjeve të të pranishmëve: “Unë distancohem nga gjithë ata që ju adhuroni!”

Tani është radha e fjalës së fundit dhe Ibrahimi, me gjithë sinqeritetin e tij, thotë: “Unë e kthej fytyrën time nga Ai që i ka krijuar qiejt dhe Tokën, duke qenë besimtar i vërtetë dhe nuk jam nga idhujtarët” (En’am 6/79)

Po ta thoshte këtë fjali të fundit, të parën, atëherë asnjë nuk do ia vinte veshin fjalëve të tij. Së pari, Profeti Ibrahim iu drejtua atyre ashtu si e kërkonte niveli e botëkuptimi i tyre. Kështu ata pranuan ta dëgjonin. Padyshim që po të mos e kishte rregulluar dozën e fjalëve sipas kriterit “hap pas hapi”, ai kurrsesi nuk do të arrinte të kishte kaq ndikim te ata. Profeti Ibrahim ndoqi këtë rrugë të diktuar nga zgjuarsia e tij profetike, me qëllim që ta përcillte në çdo zemër të vërtetën “Nuk ka zot tjetër, veç Allahut - La ilahe il’lallah”. Kjo metodë e Profetit Ibrahim është tërësisht në përputhje me logjikën Kur’anore. E si mund të jetë ndryshe, kur edhe ai është frymëzuar nga i njëjti burim shpalljeje e ka përcjellë të njëjtat të vërteta?

Këtu dëshiroja t’ju tërhiqja vëmendjen edhe në një pikë tjetër. Po të vërehet me kujdes, Profeti Ibrahim thotë kështu: “Unë jam distancuar nga ata çka ju adhuroni”. Në origjinalin arabisht, kjo shprehet me një fjali, që quhet fjali emërore, veçoria e të cilave është se shprehin vazhdimësi, stabilitet, pandryshueshmëri në gjendje. Atëherë del ky kuptim: “Unë edhe në të shkuarën, që në fillim, edhe tani, me gjithë qenien time, me sjelljen time e me veprat e mia, që kanë për qëllim mirësinë për të gjithë, jam shumë larg nga besimi juaj”. Pra siç duket qartë, Profeti Ibrahim nuk ka kryer as ndonjë vepër dhe as ka thënë ndonjë fjalë që mund të kuptohet si “shirk”. Kjo mënyrë e tij e të shprehurit, ashtu si e vërtetuam më sipër, është një nuancë e zgjuarsisë së tij profetike. Në këto fjalë nuk ka as edhe gjënë më të vogël që mund të cënojë pafajësinë e tij.

bb) Ringjallja e të vdekurve

Çështja e dytë që trajtohet si lapsus i Profetit Ibrahim, është kërkesa që i bën Allahut për të parë se si Ai u jep jetë të vdekurve.

Kur Ibrahimi tha: “O Zoti im! Tregomë si i ngjall të vdekurit!” Zoti i tha: “A nuk beson?” “Besoj”, iu përgjigj Ibrahimi, “por dëshiroj të më qetësohet zemra”. (Bekare 2/260)

Profeti Ibrahim është një hero që nuk di të ngopet me dije e me njohje. Ai do ta njohë Artistin e Madh gjithnjë e më tepër. Ky profet i madh e ka zemrën të hapur ndaj dijes sublime, po kërkon të njohë edhe më tepër, do të kapërcejë etapa të reja, të përshkojë thellësi të tjera. Ai e njeh jetën në mënyrë fizike e metafizike. E njeh edhe vdekjen. Po kapaciteti i tij përballon edhe më tepër. Ai është në kërkim të thellësive të reja, ndaj do që të shohë edhe ringjalljen, ta dijë, ta njohë edhe atë.

As që mund të bëhet fjalë se Profeti Ibrahim mund të kishte ndonjë dyshim në çështjen e ringjalljes. Kurrsesi! Ai i lutet Zotit që t’ia tregojë konkretisht ringjalljen, ai e di shumë mirë këtë çështje, veçse etja e tij për njohje kërkon më shumë, tej dijes. Lutja e tij nuk është kurrsesi një pyetje që mbart nuanca dyshimi, si “A mundesh Ti që t’i ringjallësh të vdekurit?”, por është një kërkesë për të mësuar, për të njohur më tepër.

I Plotfuqishmi e njeh mirë robin e vet, ndaj dhe ia plotëson këtë kërkesë dhe, sikur shpjegohet në ajet, i thotë të marrë katër zogj, t’i mbajë pranë vetes e t’i mësojë pas vetes, pastaj t’i presë ata që të gjithë e secilën copë të tyre ta çojë në maja malesh të ndryshme. Më tej e lajmëron se kur t’i thërrasë këta zogj, ata do t’i vijnë pranë fluturim (Bekare 2/260). Në fakt, me këtë ngjarje, Allahu (xh.xh.) tregon vetëm njërin nga mijëra shembujt e mrekullisë së ringjalljes, të cilët i shpalos çdo pranverë. Po në këtë rast, Ai nderon profetin e vet duke ia plotësuar kërkesën e duke ia ofruar kupën e dijes sublime që ai kërkon.

Profeti Ibrahim i thotë: “U dogja nga etja, më jep pak ujë!” dhe pi e pi pa u ngopur nga sherbeti i magjishëm që i ofrohet. Me këtë ide, ai profet që është përmendore e jetesës së vendosur, larg dyshimit e dilemës, kërkoi të shihte me sytë e vet mrekullinë e ringjalljes. Ajo kërkesë nuk shprehte në asnjë mënyrë as dyshim dhe as mosbesim. Kjo kërkesë është e njëjta gjë, sikur një person i kërkon piktorit që admiron të pikturojë një tablo në praninë e tij, që ai ta shohë me sy artin që shpalos piktori ndërsa pikturon. Ose t’i thotë kaligrafit “shkruaj diçka, të shoh pak se si shkruan”!

Në asnjërën prej këtyre kërkesave nuk ekziston as grimca më e vogël e dyshimit ndaj veprës së artistit. Përkundrazi, pohohet e vlerësohet mrekullia e paraqitur në atë vepër arti, sepse këtu del në pah dëshira e prirja për të ndjekur e admiruam veprën e artit në çdo fazë të saj. Ajo që kërkohet këtu, është cilësia dhe mënyra e ringjalljes, si mundësia e ekzistencës së saj.

Së dyti, Profeti Ibrahim, të cilin Allahu (xh.xh.) na e prezanton me epitetet Halim, Selim, Evvah (këtu citojmë Sejjid Kutubin), kërkon që të njohë më tepër e të mbytet në lotë para ekzekutimit të përsosur të veprave të Atij Artisti Suprem.

Sikur ky zë mik, i drejtohet Mikut të vet: “O Zoti im, ashtu siç ringjall pranverën, ngjalli edhe të vdekurit para syve të mi, ringjalli, që të njoh edhe thelbin e Artit Tënd, ta dëshmoj Atë me gjithë qenien time e të shkrihem mes ndjenjave magjepsëse!”

Përveç të tjerave, Profeti Ibrahim dëshironte edhe një ngopje në nivelin e kapacitetit të tij. Njeriu pa shkollë, sapo i cik koka në kubenë e dijes së vet, kujton se ka arritur në skajin ekstrem të diturisë, mendon kështu e beson se nuk ka rrugë tjetër më tej.

Muhjiddin ibn Arabi, në një gjendje përhumbjeje prej pasionit hyjnor, thotë se i fundmi i evlijave i jep mësim të fundmit të profetëve. Përse? Sepse koka e tij atë çast has në kubenë e paracaktuar për të, e ndërsa hyn me turr nga ajo portë që ishte i destinuar të hynte, merr me vete edhe kornizën e derës, edhe pragun… po ç’e do se edhe ajo portë hapej në një qeli të vogël në krahasim me pallatin gjigand të njohjes. Ndërsa porta nga kalon Profeti Ibrahim, është porta madhështore e një kështjelle qyteti. Kubeja e tij është një kube qiellore, nga vështron yjet, hënën, diellin. Mbi kokën e tij, Allahu (xh.xh.) ka lartësuar një të tillë kube dije e njohje, sa edhe horizontet e njohjes, të arritura nga më të shquarit e evlijasë, nuk janë para saj veçse një grimcë e zbehtë.

Ose me fjalë të tjera, nëse ne arrijmë të shuajmë etjen me një kanë ujë, ai zotëron një të tillë kapacitet, sa nuk e ngopin as oqeanet…

Aq i pamatë është horizonti i tij i njohjes…, ndaj dhe ai njeri i lartë, sa herë dëshmon aktivitetin hyjnor, e humb veten e shkrihet në lotë, si një foshnje.

Muhjiddin ibn Arabi e pyet Mevlanën: “Kush është më i madh, Profeti Muhamed (a.s.), i cili thotë: “Nuk të njohëm si e meriton, o i Famshëm!”, apo Bejazid Bistami, i cili thotë: ”Jam i patëmeta, sa i lartë që jam!” (Bistami këtu arrin në një shkrirje të tillë, sa e sheh veten pjesë e pandarë e Providencës Hyjnore).

Përgjigja e Mevlanës është fantastike: “Edhe këto fjalë e bëjnë të qartë se sa lart qëndron profeti nga Bistami. Profeti zotëron një potencial të tillë ndjenje e njohje, si të jetë oqean. Si oqeanet që nuk mbushen e nuk ngopen kurrë, ashtu edhe kapaciteti i ndjenjës së tij, nuk soset! Po kapaciteti i ndjenjave të Bejazidit është sa një kanë uji, ndaj dhe është mbushur e ka gufuar menjëherë!”[9]

Dhe mendoni që kur jep këtë përgjigje, Mevlana është ende një fëmijë që luante në rrugë. Që atëherë, ibn Arabi e kupton thellësinë e mendjes e të shpirtit të tij.

Edhe Profeti Ibrahim i tillë është, nuk di të ngopet. Rrjedhimisht, kërkesa e tij nuk është aspak shprehje dyshimi, a dileme. Me shumë mundësi, ai kërkonte më tepër, donte të njihte gjithë ç’kishte në emër të njohjes: “Më tepër, O Zot, unë dua më tepër!”

Ndaj dhe Profeti ynë, në një hadith të transmetuar nga Buhariu dhe Muslimi, thotë kështu: “Nëse te Ibrahimi kishte sadopak dyshim, e drejta për të dyshuar na përket ne më shumë!”[10]

Që do të thotë: nëse ne nuk kemi dyshim te ringjallja - që nuk kemi - atëherë për Profetin Ibrahim as që mund të bëhet fjalë…

cc) Tre aludimet e Profetit Ibrahim

Ndërsa shtjellojmë temën e pafajësisë së Profetit Ibrahim, do të jetë me vend të flasim edhe për tre gënjeshtrat, më saktë dredhitë, ose aludimet që pretendohet t’i ketë thënë ai. Sepse tema jonë është pafajësia e profetëve në masë të përgjithshme, kurse gënjeshtra është një mëkat i rëndë që nuk pajtohet aspak me këtë koncept. Rrjedhimisht, gënjeshtra për një profet është e kundërta e pafajësisë dhe e besueshmërisë që e karakterizon. Gënjeshtra është një fjalë mohimi, një aspekt i kufrit dhe nuk mund të strehohet kurrsesi në zemrat e mbushura me besim.

Në një hadith, Profeti ynë thotë kështu: “Gjatë jetës së vet, Ibrahimi tha tre herë “kedhb”’[11]

Po fjala ‘kedhb” këtu nuk është përdorur në kuptimin gënjeshtër, po në kuptimin dredhi. Ndoshta nga ana leksikologjike mund të jetë e vështirë të zgjidhet menjëherë ky kuptim, po ky kuptim del qartë kur të trajtojmë hollësisht temën dhe pikëpamjen e përdorimit të shprehjes. Gjatë shtjellimit të temës, do qartësohet edhe kuptimi i kësaj fjale në këtë shprehje. Është shumë e rëndësishme të tregojmë kujdesin e duhur në mënyrën e të shprehurit. Ashtu sikur nuk mund të thuhet për Profetin Ibrahim “gënjeu”, edhe kuptimi i “kedhb” në këtë fragment nuk mund të kufizohet me kuptimin leksik. Megjithëse në pamje të parë këto që po them mund të duken pak si larg mendsh, po të trajtohet tema me kujdes, do shihet se fjalët e Ibrahimit nuk janë aspak gënjeshtra. Ato janë aludime, ose më e shumta, dredhi.

Profeti ynë ka bërë shpesh shaka, po gjithmonë materiali që ka përdorur në to, ka qenë plotësisht i saktë. Për shembull, Hz. Enesit i është drejtuar: “O person me dy veshë!”[12]

Njëherë e ka thirrur një grua :”O gruaja e sybardhit!”, kurse ajo i është përgjigjur: ‘O i Dërguari i Zotit, po im shoq nuk është sybardhë!”

Atëherë Profeti i është përgjigjur: “Çdo njeri ka të bardhë në sy”, duke i pohuar asaj të vërtetën që kishte marrë për bazë kur kishte bërë shaka.

Një tjetër herë, vjen një grua plakë dhe i thotë Profetit: “O i Dërguari i Zotit! Lutu për mua, të shkoj në parajsë!”

Atëherë Profeti i përgjigjet me humor: “Të moshuarit nuk shkojnë në parajsë.”

Gruaja e moshuar nuk e kupton aludimin e shakanë e Profetit dhe mërzitet shumë… kokulur merr rrugën e kthimit. Po Profeti e thërret dhe i shpjegon atë që aludonin fjalët e tij dhe gruaja sa nuk fluturon nga gëzimi: “Të moshuarit nuk hyjnë në parajsë, se rinohen kur shkojnë atje…”[13]

Kështu, edhe kur bënte humor, Profeti i zgjidhte me shumë kujdes fjalët… Pozicioni i tyre i lartë nuk e pranon kurrsesi gënjeshtrën, qoftë ajo edhe një grimcë në shaka. Ata ndodhen në një pozitë të tillë para njerëzve, që duhet të jenë shembull me çdo sjellje e veprim të tyre. Nëse në fjalët e tyre do të gjendej edhe nuanca më e lehtë e gënjeshtrës, qoftë edhe për shaka, ky fakt do u jepte guxim njerëzve të tjerë që t’i drejtoheshin gënjeshtrës seriozisht. Po për Profetin është largmendsh të bëhet shembull i gabuar për njerëzit. Profeti Ibrahim ka lindur larg të shtrembrës, me besimin në një Zot të vetëm dhe armik i idhujtarisë. Edhe para se t’i ngarkohej misioni profetik, ai ka luftuar pa pushim kundër idhujtarisë e kundër bestytnive të lidhura me të. Madje një ditë, ai merr një vendim në kokë të vet e thyen gjithë statujat e idhujve që ndodheshin në faltore. Ishin pikërisht këto bestytni të asaj kohe, që i shtynin njerëzit të shihnin yjet e të nxirrnin lloj-lloj parashikimesh sipas pozicioneve të tyre. Sepse sipas botëkuptimit të atëhershëm, perënditë ndodheshin në qiell, mes yjeve, ndaj dhe yjet kishin ndikim të drejtpërdrejtë te njeriu dhe jeta e tij. I nisur nga botëkuptimi i tyre, Profeti Ibrahim u drejtohet yjeve. Në fakt, këtë e bën vetëm për të bindur të pranishmit e për t’i tërhequr ata në qendër të mendimit të vet. Sepse Ibrahimi nuk mendonte kurrsesi si populli e si fisi i vet. Pasi sheh yjet, ai thotë “Unë jam i sëmurë” (Saffat 37/89).

Kjo është ngjarja e parë e dredhia e parë. Si e pse, do e shpjegojmë më poshtë - me leje të Zotit. Dredhia e dytë është kjo: pasi thyen idhujt në faltore, var sëpatën në qafën e më të madhit prej tyre dhe kur e pyesin: “Kush ua ka bërë këtë gjë idhujve tanë?”, ai tregon idhullin më të madh e u thotë: “Këtë e ka bërë ky i madhi i tyre. Pyesni ata, nëse flasin!” (Enbija 21/63)

Kurse rasti i tretë nuk kalon direkt në Kur’an. Është një rast, kur i thotë së shoqes: “Kur të të pyesin se kush je, thuaju se je ime motër[14]

Ja, këto janë tri dredhitë e Profetit Ibrahim. Tani do t’i shtjellojmë një e nga një këto ngjarje, për të kuptuar më së miri se edhe në aspektin e këtyre ngjarjeve, pafajësia e tij është e pacënuar.

“Jam sëmurë”

Ngjarja e parë në Kur’an shpjegohet kështu: “Padyshim që një nga ithtarët e (besimit të) tij (Nuhut) ishte Ibrahimi. Ai i erdhi Zotit të vet me zemër të pastër, kur i tha babait dhe popullit të vet: “Çfarë adhuroni ju? Vallë, a dëshironi hyjni të rreme në vend të Allahut? Çfarë mendoni ju për Zotin e gjithësisë?” Pastaj u hodhi një shikim yjeve e tha: Unë jam i sëmurë”. Ata u larguan prej tij, duke e lënë pas”. (Saffat 37/83-90).

Më shprehjen “Unë jam i sëmurë” Profeti Ibrahim theksonte njëkohësisht shqetësimin e tij në një temë të caktuar. Që kur kishte hapur sytë në këtë botë, atë e shqetësonin idhujt. Pa i dhënë fund ekzistencës së tyre, nuk do të merrte fund as sëmundja dhe as shqetësimi i tij. Ai tha: “Unë jam i sëmurë”, dhe të pranishmit menduan se ai ishte i sëmurë fizikisht, ndaj dhe e lanë të qetë. Përndryshe ata do e merrnin me vete me çdo kusht në ceremonitë e tyre fetare për të adhuruar idhujt. Sapo ata të largoheshin, Profeti Ibrahim do t’u drejtohej idhujve, duke e bërë të qartë se ç’ishte në të vërtetë shqetësimi i tij. Po për t’ia arritur qëllimit, ai përdori një aludim të tillë, që njerëzit do ta kuptonin ndryshe atë që ai do të shprehte. Ai kurrsesi nuk gënjeu, vetëm aludoi. Po fisi i tij, që nuk e dinte qëllimin e vërtetë të Ibrahimit, i mori tjetër për tjetër fjalët e tij. Po të mos kishin qenë aq të cekët, po të kishin pasur fatin ta njihnin sadopak të Vërtetën, ndoshta do ta kishin kuptuar atë që thoshte Ibrahimi. Po ata e vazhduan inatin një jetë të tërë, këmbëngulën në të tyren dhe nuk pranuan qoftë një herë të vetme, ta dëgjonin të drejtën e të vërtetën; ja ky ishte gabimi i vërtetë që do t’i çonte në humbje fatale. Në fjalët e Profetit Ibrahim kishte një aludim, një dredhi, po jo një gënjeshtër. Por atë njeri aq të drejtë, edhe ky aludim do ta shqetësojë aq shumë ditën e gjykimit, sa do t’u përgjigjet atyre që vijnë për t’i kërkuar ndërhyrje për mëshirë te Zoti me këto fjalë: “Unë kam gënjyer tre herë në jetë, ndaj nuk jam i denjë për ndërmjetësim!”[15]

Po të marrim parasysh se në ditët tona edhe njerëzit më të devotshëm, ata që i janë kushtuar me mish e me shpirt shërbimit në rrugë të Zotit, mund të jenë të detyruar ose jo të thonë disa herë në ditë ato lloj fjalësh a aludimesh, si të Profetit Ibrahim, e jo më njerëzit e tjerë, atëherë besoj se do ta kemi më të qartë për ta kuptuar se sa i pafajshëm është ky profet në aludimin e tij. Kështu, meqenëse në ditët tona rruga mes të vërtetës e gënjeshtrës është lehtësuar shumë, duhet menduar shumë, para se t’ia lejojmë vetes një aludim fare të vogël. Sepse e vërteta dhe gënjeshtra tashmë shiten në të njëjtin market, janë bërë thuajse të pandara. Meqë ra fjala, dua të theksoj edhe një herë se edhe në ata tre raste ekstreme, kur profeti e ka lejuar gënjeshtrën, duhet të jemi shumë korrektë me veten, para se ta gjemë në vete të drejtën për ta përdorur. Sepse në Shekullin e Lumturisë ekzistonte një humnerë e vërtetë midis së vërtetës dhe gënjeshtrës. Pasuesit përfaqësonin të vërtetën, kurse Musejleme e njerëzit e vet, gënjeshtrën. Ja, kaq e madhe ishte distanca mes së vërtetës e gënjeshtrës. Për fat të keq, sot gjendja është krejt ndryshe, prandaj dhe njerëzit që përfaqësojnë të vërtetën nuk duhet t’i lejojnë asnjë grimë vend gënjeshtrës, as në jetën shoqërore dhe as në atë individuale. Ky është kushti i parë që një njeri të jetë i besueshëm. Edhe ne nga gënjeshtra, edhe gënjeshtra nga ne, duhet të jemi sa më larg të jetë e mundur. Tani, nëse edhe jemi kaq të kujdesshëm e korrektë në çështjen e gënjeshtrës, mendojeni vetë se sa larg janë profetët nga ajo. Ata profetë, të cilët na kanë mësuar të Vërtetën… E sidomos nëse ai profet është ati i më të Drejtit të të Drejtëve, Profetit Muhamed (a.s.), Profeti Ibrahim (a.s.)…

Ndoshta e ka bërë ai!

Kjo është ngjarja e dytë, e cila në Kur’an shpjegohet kështu:

“Betohemi se, ne i dhamë Ibrahimit pjekuri që më parë (atë që është në përshtatje me shpirtin e me mendjen). Ne e dinim këtë. Ibrahimi i tha të atit: “Ç’janë këta idhuj që që ju po i adhuroni kaq shumë?”, ata thanë: “Baballarët tanë i adhuronin këta.” (Ibrahimi) tha: “Me të vërtetë, ju dhe baballarët tuaj keni qenë në humbje të qartë.” Ata thanë: “A po na sjell të Vërtetën apo je nga ata që tallen?”Ai tha: “Jo, por Zoti juaj është Zoti i qiejve dhe i Tokës. Është Ai që i ka krijuar ato, ndërsa unë jam njëri prej atyre që e dëshmojnë këtë. (Betohem) për Allahun, se do t’i flak idhujt tuaj, posa të largoheni ju!”Dhe i bëri ata copa-copa, përveç idhullit të tyre më të madh, kështu që ata t’i drejtoheshin atij. Disa thanë: Kush i bëri kështu zotat tanë? Me të vërtetë, ai është keqbërës!” Të tjerët u përgjigjën: “Dëgjuam një djalosh që i përgojonte, quhej Ibrahim.” “Atëherë silleni atë para syve të botës, që ata të dëshmojnë” – thanë ata. Ata e pyetën: “Ti i bëre kështu zotat tanë, o Ibrahim?” Ai tha: “Jo! Këtë e ka bërë ky i madhi i tyre. Pyesni ata, nëse flasin!” (Enbija 21/52-63)

E pyesin Profetin Ibrahim: “Ti i bëre kështu zotat tanë?” Ai përgjigjet: “Këtë e ka bërë ky i madhi i tyre.” Dhe këtu e lë fjalën. Edhe në Kur’an kjo fjalë shoqërohet nga shenja e pikësimit që tregon ndalesë. Me përemrin “ai”, Profeti Ibrahim nënkupton personin që ata i luteshin. “O Ibrahim”, pra ai nënkupton vetveten. Po me aftësinë e tij të të shprehurit, ai arrin të tërheqë vëmendjen e tyre te statuja e ishullit të tyre më të madh. Në fakt, këtu janë dy fjali të pavarura nga njëra-tjetra, po në shqiptim janë bashkuar me njëra-tjetrën, si të ishin një e vetme, ndaj dhe bashkëfolësit nuk i kanë konceptuar dot mendimet e tij. Fjalia e parë është “Jo”, e dyta “Këtë e ka bërë ky i madhi i tyre”. Kur këto dy fjali thuhen së bashku, del ky kuptim: “Ja i madhi i tyre, ndoshta ai e ka bërë…”.

Kjo është një dredhi, një aludim. Bile këtu ka edhe një farë tallje drejtuar idhujtarisë e mohimit. Profeti Ibrahim thotë “I madhi i tyre” duke u tallur kështu në një farë mënyre me botëkuptimin e tyre. Po koka e tyre është ngulur keq në idhujtari, ndaj ata nuk e kapin aspak këtë shpotitje të tijën. Për ta mjaftonte që Ibrahimi kishte thënë “I madhi” për idhullin e tyre. As që iu bënte përshtypje se çfarë kishte dashur të thoshte

Ime motër

Pasi ta analizojmë me kujdes edhe ngjarjen e tretë, do të shohim më së miri se këtu as nuk bëhet ndopak fjalë për gënjeshtër. Bile edhe dredhi nuk mund të quhet. Sepse, megjithëse ka një farë aludimi, ajo që është thënë është e vërtetë e qartë, si drita e diellit.

…Nëse Nemrudi ose njerëzit e tij do e pyesnin, Sara e nderuar (bashkëshortja e tij) do t’u thoshte “Unë jam motra e Ibrahimit.” Po të pyesnin Ibrahimin, ai do t’u thoshte për të “Është ime motër!”

Kjo, sepse po t’u tregonte të vërtetën, me mundësi të madhe ata do t’i bënin Sarës diçka të keqe. Kështu Profeti Ibrahim e bashkëshortja e tij do të viheshin në një pozitë shumë të vështirë e ndoshta do të detyroheshin të largoheshin përgjithmonë nga ai vend. Vetëm se këtu sërish fjalët që thotë Profeti Ibrahim, janë të përshtatshme me të vërtetën. Sepse Zoti që të gjithë besimtarët i quan vëllezër e motra. (Huxhurat 49/10). Pika e parë ku takohen të gjithë njerëzit besimtarë, është lidhja e besimit. Njerëzit që nuk kanë një të tillë lidhje mes tyre, sado që të kenë lindur nga të njëjtët prindër, nuk mund të jenë motra e vëllezër në këtë sens. Kurse vëllazërinë e besimit nuk e pengon as përkatësia etnike, as diferenca kohore. Të gjithë besimtarët janë motra e vëllezër, pa dallim, mashkull a femër. Të gjithë afërsitë e lidhjet e tjera vijnë pas kësaj lidhjeje. Burrë e grua mund të divorcohen, kështu afërsia e tyre në aspekt të lidhjes së kurorës merr fund, po vëllazëria e tyre në besim është e vazhdueshme. Edhe ajo që aludon Profeti Ibrahim, është pikërisht kjo lidhje. Duke i thënë Sarës “ime motër”, ai nuk shpreh aspak diçka të paqenë. Në këtë kuptim, kjo fjalë është më se e vërtetë. Nuk është as dredhi, as lojë fjalësh. Por ata njerëz që i kanë hequr perde syve dhe i kanë taposur veshët para detajeve të tilla, këtë të vërtetë nuk do të mund ta kuptojnë asnjëherë. Nga shtjellimi i kësaj teme, ne arrijmë në këto konkluzione:

1. Profeti Ibrahim nuk ka gënjyer asnjëherë.

2. Njerëzit që ia kushtojnë jetën shërbimit në rrugë të Zotit e ndjekin vijën e profetëve, janë të detyruar të jenë të mbyllur para çdo gënjeshtre.

Besimtar i vërtetë është ai që e vret ndërgjegjja një jetë të tërë e nuk i thahen lotët e syve edhe nga një haram që i ka hyrë dikur në sy, edhe nga një fjalë jo e vërtetë që i shpëton pa dashje.

Çfarëdo niveli që t’i përkasë, një udhërrëfyes është i detyruar të jetojë një jetë engjëjsh.

dd) Lutja për të Atin

Së fundmi do të trajtojmë një tjetër çështje që e kanë konsideruar lapsus të Profetit Ibrahim e që konsiston në një lutje që bën ai për të atin. Vallë, cili është shkaku që Profeti Ibrahim i kërkon Zotit mëshirë e falje për të atin, i cili ishte haptas në rrugën e humbjes? A nuk është detyrë e një profeti të mjaftohet me ata njerëz që pranojnë mesazhin e tij? Pse u mor ai kaq shumë me të atin i cili nuk besonte, pse iu lut e iu përgjërua Zotit aq shumë për të? A përbën kjo gjë një lëkundje? Nëse po, a mundet një profet, horizonti i të cilit është tërësisht i mbyllur ndaj gabimeve të tilla, të bëjë një gjë të tillë? Atëherë si mund të jemi të sigurt se profetët nuk janë gabuar edhe në tema të tjera, si mund ta ndjekim rrugën e tyre me zemër të qetë? Ja, kjo është përmbledhja e ideve të atyre pyetjeve keqdashëse, që bëhen vetëm për të turbulluar mendjet e njerëzve nga heretikët e djeshëm e nga ateistët e kohëve tona.

Lutja e Profetit Ibrahim është kjo: “Fale babanë tim, sepse ai është njëri nga të humburit” (Shuara 26/86)

Në Kur’an është shpjeguar edhe shkaku që e shtyn Profetin të bëjë këtë lutje.

Ndërsa lutja e Ibrahimit për faljen e babait të tij, ka qenë vetëm për shkak të një premtimi, që i kishte bërë. Por, kur iu bë qe qartë se i ati ishte armik i Allahut, ai u nda prej tij. E megjithatë, Ibrahimi ishte njeri i dhembshur dhe i butë”. (Tevbe 9/114)

Po çfarë i kishte premtuar Profeti Ibrahim të atit? Edhe këtu, përgjigjen më të saktë e gjejmë në Kur’an.

“Shembull i mrekullueshëm për ju është Ibrahimi dhe ata që kanë qenë me të, kur i thanë popullit të vet: “Ne shkëputemi nga ju dhe nga ato që ju i adhuroni në vend të Allahut; ne ju mohojmë dhe armiqësia e urrejtja midis nesh është e përhershme, derisa të besoni tek Allahu Një dhe i Vetëm.

Përjashtim (nga ky shembull) bën fjala e Ibrahimit për të atin: “Unë do të kërkoj falje për ty, por nuk kam kurrfarë mundësie për të të mbrojtur para Allahut”. (Mumtehine 60/4).

Në këtë ajet shprehet qartë konflikti i përjetshëm mes besimit e mohimit. Shpirti i mohimit e ka karakteristike urrejtjen e përhershme ndaj besimit. Kjo është dhe pika ku duhet ta kërkojmë shkakun pse mohuesit nuk i duan kurrsesi myslimanët.

Kur’ani e thotë qartë se i ati i Ibrahimit është në rrugë të gabuar. Po kjo gjendje e të atit nuk përbën as mangësi dhe as ndonjë të metë për Profetin Ibrahim. Edhe prej etërve të Profetit tonë kishte prej atyre që nuk kishin arritur të besonin në një Zot të vetëm.

Ne nuk mund ta dimë se si e konceptonin monoteizmin Abdulmuttalibi, Hashimi e Luejji. Po mund të themi me bindje se ata ishin njerëz të një periudhe pa profet, pa udhërrëfyes, ndaj edhe gjykimi i tyre do të bëhet në bazë të parimeve përkatëse të kësaj periudhe. Megjithatë, nuk mund të bëhet fjalë që ndonjë gabim apo e metë e tyre e mundshme të pengojë zgjedhjen e Muhamedit (a.s.) si profet.

Së pari duhet të theksojmë se nëse Azeri është babai i Ibrahimit dhe nëse Profeti Ibrahim thotë për të se ai është në humbje, kjo gjë nuk ka asnjëfarë ndikimi në misionin e tij si profet.

Ndonjëherë Allahu (xh.xh.) krijon Ibrahimin prej Azerit, Kenanin prej një shpirti të bekuar si Nuhu! Sikur thotë edhe populli, nga trëndafili del ferra, nga ferra del trëndafili. Ndonjëherë në fole njerëzish-djaj ngrohen vezë engjëjsh, ndonjëherë njerëz-engjëj mëkojnë në gjirin e tyre djaj…

Allahu nxjerr të gjallin nga i vdekuri e të vdekurin nga i gjalli. Fuqia e pushteti i Tij arrin gjithçka dhe askush nuk mund t’i kërkojë Atij përsenë.

Nga një i vdekur si Azeri, Ai mundet të krijojë një njeri si Ibrahimi, të tillë që u fryn jetë njerëzve; e krijon dhe e bën burim dy gjeneratash të arta. Që të dy bijtë e Ibrahimit janë profetë. Soji i Is’hakut përfundon më Isanë (a.s.,) ai i Ismailit arrin horizontin e qëllimit të njerëzimit me Mbretin e Dy Botërave, Profetin Muhamed (a.s.).

Së dyti, lutja e Ibrahimit për të atin është një sjellje krejt e natyrshme dhe shumë njerëzore. Edhe Profeti ynë e ka ftuar në besim xhaxhain e vet, Ebu Talibin, duke iu lutur e përgjëruar, pastaj i ka thënë: “Nëse nuk do të ndalohem, gjithmonë do i kërkoj falje Zotit për ty!”[16]

Ai Ebu Talib, që njëzet vjet me radhë e ka mbrojtur e i ka qëndruar pranë Profetit, ka ndarë me të çdo hall e nuk e ka lënë vetëm as gjatë Bojkotit të shpallur nga Kurejshët. Sa logjik e i natyrshëm është fakti që Profeti është përpjekur me të gjitha mundësitë ta bindë xhaxhain e vet, i cili e ka mbrojtur e i ka shërbyer në çdo çast të jetës, të besojë e të pranojë Islamin, po aq e natyrshme është edhe lutja e Ibrahimit për të atin. I ati është bërë shkak për ekzistencën e tij. Ai e ka rritur, e ka ushqyer për një deri sa u rrit dhe është përballur me të gjitha nevojat e tij. Aq më tepër që çfarëdo besimi a ideje që të kenë, Islami e ka ndaluar t’i thuhet prindërve, qoftë edhe “ufff!”

Së treti; kumtimi është qëllimi i ekzistencës së profetëve. Po, besimi i njerëzve dhe hyrja e tyre në rrugë të drejtë, nuk është diçka që u përket kompetencave të tyre. Detyra e tyre është të shpjegojnë pa pushim të drejtën e të vërtetën, duke përdorur për këtë çdo mënyrë e formë të lejuar. Edhe Profeti Ibrahim, në këtë sens, përpiqet të zbusë zemrën e të atit e ta përgatisë atë për të besuar. Premtimi që i bën të atit, me mundësi të madhe, është një prej mënyrave të këtij misioni, sepse edhe lutja mund të bëhet shkak për shpëtimin e njeriut. Ndaj dhe nuk duhet të sillemi pesimistë rreth besimit të njerëzve, nuk duhet të humbim shpresën se ata një ditë mund të besojnë. Megjithëse në ajetin 216 të sures Bekare thuhet hapur se disa prej tyre nuk do të besojnë kurrsesi, Profeti ynë i ka vizituar shpesh ata mohues të thekur, si Ebu Xhehili e Ebu Lehebi dhe i ka ftuar vazhdimisht ata në rrugë të drejtë. Shpëtimi është në dorë të Zotit… edhe Profeti Ibrahim, duke e ditur shumë mirë këtë, provon çdo rrugë, deri të lutja, që i ati të sillet në rrugë të drejtë. Ndaj dhe i përgjërohet Zotit që i ati të besojë. Sepse ai vetë beson dhe kërkon që edhe të tjerët të shijojnë mrekullinë e besimit.

Porse ai, sapo mëson të vërtetën e vullnetit hyjnor, heq dorë nga lutja dhe thotë: “Vullneti i gjithëpushtetshëm i përket vetëm Allahut.” Profeti Ibrahim kishte ardhur me një mesazh universal, që zgjatej deri te Profeti Muhamed (a.s.); detyra e tij ishte ftesë e mision i njëjtë për të gjithë, ndaj ai nuk kishte pse ta përjashtonte të atin prej këtij misioni. Aq më tepër që detyrës së tij i shtohej edhe lidhja e gjakut, ai profet këmbëngulte edhe si bir, edhe si i Dërguar, duke e dëshiruar dyfish shpëtimin e të atit.

Sa bukur shpjegohet në këta ajete si dridhej e përgjërohej Profeti Ibrahim për të atin, pa marrë aspak parasysh ashpërsinë që i tregonte i ati. Si e thërriste gjithë dashuri: “I shtrenjtë baba”, si e ftonte në të gjitha mënyrat në rrugë të drejtë!

“Trego në libër për Ibrahimin. Ai ishte njeri i së vërtetës dhe profet. Ai i tha të atit: “O babai im, përse adhuron atë që as nuk dëgjon, as nuk sheh e as që mund të të sjellë ndonjë dobi? O babai im, mua më ka ardhur prej diturisë, çfarë s’të ka ardhur ty; andaj ndimë mua dhe unë do të të udhëzoj në rrugën e drejtë!

O babai im, mos adhuro djallin, sepse ai është gjithmonë i pabindur ndaj të Gjithëmëshirshmit. O babai im, unë kam frikë se mos të vjen ndonjë dënim nga i Gjithëmëshirshmi e kështu të bëhesh i afërm i djallit!” (Merjem 19/41-45)

Profeti Ibrahim e përhap mesazhin e tij të shndritshëm pa u kursyer, edhe në rrugët që kalon i ati, duke u përpjekur për të me mish e me shpirt. A mund të ketë një bir, që nuk përpiqet me mish e me shpirt, kaq seriozisht, kaq sinqerisht për shpëtimin e të atit? Aq më tepër kur ai bir është i urti, i drejti, i ndjeshmi Ibrahim!

Së katërti: Disa komentues tërheqin vëmendjen se fjala arabisht -eb- që kalon në tekst, nuk ka thjesht kuptimin “baba”. Me këtë fjalë shprehen etërit dhe paraardhësit e dikujt, të pakufizuar me babain. Kështu dhe personi të cilit Profeti Ibrahim i drejtohet “i dashur baba” mund të mos jetë i ati, por ka gjasë xhaxhai, gjyshi, apo ndonjë tjetër i afërm.

Shumësi i fjalë -eb- është -Aba- dhe në Kur’an kalon në kuptimin “të parët, etërit”. Për shembull Profeti Jusuf thotë kështu: “Unë besoj fenë e të parëve të mi – Ibrahimit, Is’hakut dhe Jakubit” (Jusuf 12/38). Sikur shihet edhe në këtë ajet, termi është përdorur në kuptimin “etërit, të parët”.

Edhe shprehja “të parët tanë” është një shprehje e lidhur me këtë term, që kalon shpesh në Kur’an.

Në këtë rast ekziston dhe mundësia që Azeri të mos jetë babai, po gjyshi ose xhaxhai i Ibrahimit. Sepse është dhe një transmetim, në të cilin thuhet se babai i tij ishte Tarah. I ati i tij mund të jetë edhe dikush tjetër. Këto i shprehim për të zgjeruar rrethin e hulumtimit, se kur zgjerohet ai rreth, e kuptojmë më qartë se Ibrahimi nuk ishte një njeri që rrinte në hijen e të atit dhe as që kërkonte falje për të, pasi që Zoti i kishte bërë të ditur gjendjen e tij. Në Kur’an jepet edhe kjo lutje e tij dhe na urdhërohet ta praktikojmë sa më shpesh: “O Zoti im, më fal mua, prindërit e mi e gjithë besimtarët në ditën e gjykimit”.

Termi i përdorur këtu është “validejje”, që do të thotë “prindër”, edhe nënë edhe baba. Po të thellohemi edhe pak drejt thelbit të çështjes, do e shohim edhe më qartë se Profeti Ibrahim ishte i kulluar, i pafajshëm dhe i virtytshëm, një profet i lartë, i mbrojtur nga çdo mëkat. Ai ishte një i shenjtë nga të shenjtët, që kishte thënë gjithmonë të vërtetën dhe ishte gjendur gjithmonë pranë të vërtetës.

Profeti Ibrahim ishte njeriu i besimit të palëkundur në një Zot të vetëm, ndaj dhe lidhja e tij me Zotin ishte në majat më të larta të saj. Kjo është arsyeja që Allahu i kishte dhuruar atij afërsinë e miqësinë e vet, “hillet”, dhe Allahu e kishte zgjedhur mik Ibrahimin. (Nisa 4/125). Shprehja në këtë ajet e paraqet më së miri kuptimin e “Hillet”.

Çfarëdo çmimi që të paguante, ai nuk do të lëvizte aspak nga urdhrat e Zotit, madje edhe kur ishte urdhëruar që të sakrifikonte të birin, nuk kishte treguar as dilemën më të vogël. (Saffat37/102-103).

Sapo i kishte zbritur urdhri: “Lëre gruan e djalin tënd në një shkretëtirë të zbrazur!” ai nuk kishte ngurruar aspak, e kishte zbatuar menjëherë këtë urdhër dhe ishte larguar që andej pa kthyer as kokën.

Në një tjetër ngjarje, sprova për të kishte qenë vetë jeta e tij, ishte hedhur në mes të një zjarri, si zjarr ferri, po prapë, ai nuk kishte përjetuar as ngurrimin dhe as lëkundjen më të vogël. Ndërkohë, një engjëll kishte zbritur pranë tij dhe i kishte ofruar ndihmën e tij, po megjithatë, Ibrahimi nuk kishte pranuar. “Ai e di” kishte thënë ky mik i Allahut dhe kishte pritur vetëm ndihmën e Mikut të vet. E natyrisht, që kjo lidhje e tij me Zotin, që ia kishte kthyer shpirtin në një kopsht paqeje, do të ndikonte edhe zjarrin e do ta kthente në një kopsht freskie e shpëtimi…

Ja, i tillë profet ishte Ibrahimi, e tillë ishte lidhja e tij me Zotin. Ndaj dhe, megjithë këto fakte, ideja se ai mund të ketë bërë mëkat e mund të ketë cënuar pafajësinë e tij, nuk është veçse injorancë, keqinterpretim, mosnjohje dhe qëllim i keq. Ai është shembulli i gjallë i mëshirës dhe kjo mëshirë e tij e kishte shtyrë të lutej për shpëtimin e të atit, ishte lutur, po sapo e kishte mësuar si qëndronte e vërteta, kishte hequr dorë menjëherë nga kërkesa e tij.

Sipas një transmetimi, në botën e përtejme Allahu (xh.xh.) do t’ia tregojë Ibrahimit shëmbëlltyrën e të atit dhe gjendjen e tij të hidhur dhe ai, me të parë atë fytyrë, do të heqë dorë nga çdo lidhje familjare e fisnore me të.

Allahu (xh.xh.) di më mirë gjithçka…

Simboli i nderit e i virtytit, Profeti Jusuf

Tevrati sot është një tekst i mbushur fund e krye me shpifje për Profetin Jusuf. Ç’të ketë shpifje e intriga që mezi i rrok mendja e njeriut, janë bërë lëndë e parë për të paraqitur Profetin Jusuf në këtë libër si një njeri të ulët e me moral të dobët (mos qoftë e thënë!).

Po ai, në kundërshtim me shpifjet që rreshtohen aty për të, është fizikisht e moralisht i pastër, i lartë, i bukur… Edhe ai, sikur gjithë profetët e tjerë, është i pafajshëm dhe është i mbrojtur në mënyrë specifike nga mëkati. Vetëm se në këtë pikë, më duhet të pohoj me keqardhje se edhe disa nga dijetarët tanë, të ndikuar nga doktrina hebraike ose nga citimi i pakujdesshëm i Tevratit, kanë bërë disa vlerësime fare pa vend, që nuk i shkojnë aspak atij profeti të lartë e “ismetit” të tij.

Edhe këtu, do veprojmë ashtu siç kemi vepruar në analizimin e çështjeve të profetëve të tjerë që kemi përmendur dhe do t’i ndjekim ngjarjet në lidhje me Profetin Jusuf nga burimi më i saktë, Kur’ani, duke u munduar të gjejmë vërtetimin e moralit e pafajësisë së tij nëpërmes ajeteve Kur’anore. Ky shpjegim që do të bëjmë ne, nuk është asgjë më tepër se nxjerrja në pah e të vërtetës. Sepse e gjithë kjo çështje është shpjeguar hollësisht e shumë qartë në Kur’an. Edhe njeriu më i zakonshëm, mjafton ta lexojë një herë të vetme Suren Jusuf, duke menduar pak mbi kuptimin e saj dhe do të arrijë të gjejë lehtësisht gjithë temat që ne do mundohemi t’i paraqesim më poshtë. Mjaft që të mos e nisë leximin me paragjykime e me logjikë të verbuar nga idetë e turbullta.

Kur është ende fëmijë i vogël, të vëllezërit e kanë zili Jusufin, ndaj dhe vendosin ta hedhin në pus. Pasi shpëtohet që andej, çohet në tregun e skllevërve dhe blihet si skllav nga një vezir në Egjipt, i cili e do jashtëzakonisht dhe lidhet me të sikur ta ketë bir në shpirt. Jusufi kalon ditë të qeta në gjirin e familjes së re, po kur ai nis e piqet e nuk është më një fëmijë i bukur, por një djalë i ri tërheqës, bukuria e të cilit do të qarkullonte nga brezi në brez, bashkëshortja e vezirit fillon të ushqejë ndjenja të tjera ndaj tij. Kështu, sikur shpjegohet edhe në Kur’an, një ditë ajo mbyll gjithë dyert e shtëpisë dhe kërkon me këmbëngulje që Jusufi t’u përgjigjet tërësisht ndjenjave të saj. Po Jusufi rrënqethet, lemeriset para një propozimi të tillë, që nuk i kishte shkuar ndonjëherë ndërmend. Dhe kërkon të largohet menjëherë që andej. Po gruaja e ndjek prapa, e arrin dhe e kap për këmishe. Jusufi ndalet, ndërsa këmisha i është grisur. Në atë çast hapet dera dhe përballë tyre ndodhet veziri, i zoti i shtëpisë. Një tjetër sprovë nis tani për Jusufin… sapo sheh të shoqin, gruan e zë paniku dhe ia hedh fajin Jusufit, duke shpifur aty për aty: “Çfarë dënimi meriton ai që kërkon t’i bëjë të keqe gruas sate, përveç burgosjes apo dënimit të dhembshëm?” (Jusuf 12/25)

Fjalët e gruas kundërmonin shpifje, një shpifje që do ta demaskonte vetë atë.

Tani, duke ndjekur detajet e ajeteve, le ta marrim edhe një herë në dorë ngjarjen që transmetuam e të nxjerrim pikat që vërtetojnë më së miri pafajësinë e Jusufit.

Por ajo, në shtëpinë e së cilës gjendej ai, nisi ta joshë në kundërshtim me dëshirën e tij. Ajo ia mbylli të gjitha dyert dhe tha: “Jam e gatshme për ty!” Kurse ai tha: “Allahu më ruajt! Me të vërtetë, Zoti im ka treguar kujdes për mua dhe, padyshim, keqbërësit nuk do të shpëtojnë kurrë.” (Jusuf 12/23)

Së pari, Kur’ani nuk përflet askënd, as merret me thashetheme. Në Kur’an nuk përmendet askund emri i gruas, ajo përmendet thjesht “zonja e shtëpisë”. Ajo që mbyll gjithë dyert, është e zonja e shtëpisë. Ftesa e parë dhe tërheqja e parë, vjen prej saj. Kurse përmendorja e virtytit i përgjigjet prerë: “Allahu më ruajt!”

Ja, shembulli që duhet të ketë parasysh e gjithë rinia, ja, virtyti që duhet kopjuar, deri Ditën e Gjykimit.

Në ajet shprehet qartë se sjellja e Jusufit përballë mëkatit është e prerë: ai shpalos gjithë vendosmërinë e tij dhe nuk i afrohet mëkatit. Në ajet, Jusufi përdor termin “Rabb”. Për kë e ka fjalën Jusufi? Me këtë shprehje ai ndoshta thotë Zoti im, duke përmendur gjithë të mirat që Zoti i ka dhënë dhe duke theksuar se ç’mosmirënjohje do të ishte që ai të bëhej bukëshkalë pas gjithë asaj bujarie të Zotit. Ose thotë “imzot” për vezirin, duke u ndier mirënjohës për sjelljen e tij njerëzore e bujare. Sepse edhe në ajetin përpara përmendet sjellja e mirë e vezirit ndaj Jusufit. Vërtet që i zoti i asaj shtëpie, burri i asaj gruaje, i kishte bërë shumë të mira Jusufit, e kishte si bir në shpirt. Si mund t’i përgjigjej me kaq mosmirënjohje sjelljes së tij? Po këtu ka edhe diçka tjetër që duhet theksuar. Distancimi i Jusufit nga mëkati nuk bëhet thjesht për një mirënjohje ndaj Allahut (xh.xh.) apo ndaj vezirit, për të mirat që ai ka parë prej tyre. Kjo është vetëm njëra anë e çështjes dhe i theksohet gruas, duke e mëshuar fjalën në atë sens që ajo mund ta kuptojë. Shkaku kryesor i largimit të Jusufit nga mëkati spikat në fjalinë e tij të parë, që i del spontanisht prej goje: “Maazallah! - Zoti më ruajttë!” Pra është e qartë se distancimi i tij nga mëkati është i lidhur drejtpërdrejt me dashurinë e tij për Allahun (xh.xh.), me lidhjen e fortë që ai ka me Të e me frikën që ndjen prej Tij. Ja, ky është kriteri që duhet të ketë çdokush për mbrojtjen nga mëkati.

Jusufi është njëkohësisht krejtësisht i ndërgjegjshëm edhe për rezultatet që mund t’i sjellë atij ky mëkat. Çdo mëkat është një krim, dhunim i një kufiri ose një të drejte dhe kalim në një rreth të ndaluar. Rezultati i tij është disfatë, edhe në këtë botë, edhe në botën tjetër.

Baza e keqkuptimeve në lidhje me Profetin Jusuf qëndron në komentin e ajetit që vjen menjëherë pas këtij që shtjelluam, sure Jusuf, 12/24.

Para se të japim përkthimin e ajetit, i cili kurrën e kurrës nuk mund të shprehë kuptimin origjinal, dua të ndalem te disa fjalë kyçe që kalojnë në ajet. Fjala kryesore, që i jep kuptimin ajetit është “hemme”.

Hemme” është folje e kohës së shkuar, e cila ka disa kuptime të ndryshme, preferenca ndaj të cilëve është në varësi të kryefjalës. Në leksikologji është një parim, nëse nuk ka një fakt të kundërt, ose shkëputje me temën, kuptimi i preferuar dhe themelor i termit, është kuptimi i parë i tij. Me gjithë ndryshimet dialektike, kuptimi kryesor që i jepet kësaj fjale, është “bie në vuajtje shpirtërore, apasionohet, digjet nga malli”.

Nëse këtu pranojmë si kryefjalë Zelihanë, përkthimi i mundshëm i ajetit është pak a shumë kështu:

“Zelihaja ra në vuajtje shpirtërore e u dogj nga malli për Jusufin”. Natyrisht, edhe Jusufi, ra në trishtim e u mbyt në vuajtje shpirtërore. Fundja ai banonte në atë shtëpi, ishte blerë në pazar të skllevërve dhe i kishte këmbët e lidhura aty. Edhe po të ikë, do ta kapnin te dera e do ta kthenin mbrapsht. Përveç këtij fakti, gruaja i është qepur keq. Ndaj sikur gruaja që vuan shpirtërisht nga dëshira që ka për të, edhe Jusufi vuan shpirtërisht nga këto që i ndodhën, për gjendjen ku ka mbetur e për pafajësinë e tij. Deri në çastin që Zoti fakton pafajësinë e tij, ai nuk e di nëse është në gjendje ta vërtetojë atë, nëse është i mbrojtur, apo jo. Po Allahu (xh.xh.) nuk do të lejojë kurrsesi që t’i hidhet baltë Jusufit. Ai ndodhej nën mbrojtje, i rrethuar me faktet e të vërtetës. Por, derisa ai të vinte në vete e ta kuptonte këtë mbrojtje, do të jetonte mes frikës, ndrojtjes e ankthit.

Për mendimin tim, pika e parë ku duhet të ndalemi kur trajtojmë këtë çështje, është pikërisht kjo. Ndaj edhe interpretimet që i janë bërë këtij ajeti, duhet të rikontrollohen me këtë këndvështrim.

Së dyti: Zelihaja ishte e vendosur dhe këmbëngulte pa pushim. Ajo i kishte vënë një qëllim vetes: Jusufi do të bëhej patjetër i saji. E gjithë kauza e saj ishte kjo gjë. Në një tjetër ajet, gjendja e sa shprehet me këto fjalë: “Asaj i ka rënë vërtet në kokë dashuria për të.” (Jusuf 12/30)

Kurse gjendja e Jusufit shprehej kështu: “Kështu e larguam nga e keqja dhe vepra e shëmtuar, sepse ai, në të vërtetë, ishte nga robërit Tanë më të sinqertë.” (Jusuf 12/24), duke e paraqitur atë simbol virtyti me të tilla komplimente e me të tilla fjalë të mira.

Edhe termi “muhlas” që kalon në ajet, të cilin ne e përkthyem “i dlirë”, është shumë domethënës. Ky epitet këtu përdoret muhlas”, në shkallën e tij sipërore, ashtu sikur përdoret kur paraqiten virtytet e çdo profeti. Në gjuhën e përditshme, ky term përdoret “muhlis”, që do të thotë njeri i dlirë, i pastër shpirtërisht. Një epitet i tillë shenjon njeriun që çdo vepër e bën vetëm për të fituar pëlqimin dhe aprovimin e Zotit. Në këtë sens, njeriu “muhlis” është njeriu që i mban të gjitha lidhjet me Zotin të bazuara në sinqeritet e pastërti shpirtërore. Ky njeri endet e mundohet, kërkon të përqendrohet në këtë rrugë e të jetë gjithmonë i fiksuar në të. Po ta trajtonim në sensin mistik, ky njeri është në rrugën drejt Allahut (xh.xh.) dhe mundohet që me çdo sjellje të tijën, të përparojë edhe pak në këtë rrugë. Kurse “muhlas” është ai, i cili ka kapërcyer gjithë ankthet e rrugës dhe ndodhet i ulur në fronin e dëlirësisë. Rrugën ku ndodhet “muhlisi” ai e ka përshkuar me kohë, udhëtimin drejt Zotit e ka përfunduar me sukses dhe tani ndodhet pranë Tij. Për një njeri të tillë as që mund të mendohen devijime e lëkundje si tonat, jo më mëkati. Sepse këto gjëra nuk i shkojnë as “muhlisit”. Ndaj është e pamendueshme që të tilla gjëra të mendohen për një “muhlas”, si Profeti Jusuf.

Ndër të tjerë, në Kur’an thuhet: “Kështu i shpërblejmë Ne (punëmirët)“muhsinët (Jusuf12/22), duke na u bërë e ditur se Profeti Jusuf ishte “muhsin”.

Ne, me besim arrijmë të bëjmë vepra të mira. Me vepra të mira, arrijmë besimin e vërtetë. Kjo është një rrugë e gjatë dhe vetëm në fund të saj ne mund të arrijmë në shkallën e -ihsan-it.

Kjo shkallë e fundit, që është paracaktuar si maja më e lartë për ne, për një profet nuk është veçse pikënisja dhe guri i parë i rrugës së tij.

‘Ihsan” shpjegohet në një hadith kështu: Ta adhurosh Zotin, sikur e sheh Atë.[17]

Ja, kjo gradë që është skaji më i lartë e pika më e largët për ne, u është ofruar profetëve që në krye të punës dhe udhëtimi i tyre nis pikërisht në këtë nivel, që për ne është më ekstremi. Ndaj dhe kur analizojmë pozicionin e profetëve, duhet t’i shohim çështjet nga ky këndvështrim. Përndryshe, nëse i krahasojmë ata me veten, veçse do të gabohemi e nuk do të arrijmë kurrsesi në një përfundim të saktë. Zelihaja dhe Profeti Jusuf janë njerëz të dy botëve krejtësisht të ndryshme. Njëra është verbuar nga pasioni, vullneti i saj është paralizuar krejtësisht dhe jeton pa pengesë vetëm ndjenjat e veta, kurse tjetri, me sy të hapur nga e përtejmja, është i ndërgjegjshëm për bujarinë e mirësinë e Zotit të vet. Një profet që ka arritur në kulmin e virtytit, ndërsa rreh flatrat në klimën e vet fantastike.

Për të dy përdoret termi “hemme”, po gjendja që ata pësojnë nga kjo fjalë, është aq e ndryshme, sa e ndryshme është bota e tyre e qëllimet e tyre, ndaj dhe në kuptimin e kësaj fjale, duhet marrë parasysh diferenca e strukturës, botës, mendimit e shtresës kulturore të tyre. Sidoqoftë, ndryshimi mes tyre do të bëhet edhe më i qartë në tablonë që do paraqesim më poshtë.

Ndërsa Jusufi vrapon drejt përkushtimit e virtytit, Zelihaja shket drejt pasionit e mëkatit, sikur të jenë në garë me njëri-tjetrin. Ndërsa Jusufi largohet, ajo e ndjek nga pas. Po të kishte pasur sado pak prirje te Jusufi, Zelihaja nuk kishte pse ta ndiqte. Ja ku e kuptojmë se vullneti, qëllimi e vendosmëria e Jusufit janë tepër ndryshe… Ai vrapon drejt një qëllimi sublim. Kjo do të kuptohet më qartë kur të trajtojmë atë çka ndodh mes tyre. Jusufi largohet aq rrëmbyeshëm, sa kur Zelihaja e kap e nuk do ta lejojë që ai të dalë nga dhoma, këmisha e tij griset në shpinë, i mbet në dorë. Pikërisht atë moment, Jusufi përfiton nga rasti, hap derën e mundohet të ikë, po gruaja është sërish pas tij. Në ndjekje e sipër, ndeshen me vezirin. Gruaja, e topitur nga një gjendje e tillë, nuk di çfarë të thotë e çfarë të veprojë, ndaj kalon menjëherë në vetëmbrojtje dhe ia hedh fajin Jusufit. Po i shoqi nuk i beson fjalëve të saj, aq më tepër që Zelihaja nuk u beson vetë atyre që thotë. Mbi të gjitha, gjendet një fakt që e dëshmon në heshtje aq qartë të vërtetën, sa bën të mbyllin gojën gjithë oratorët: Këmisha e Jusufit e grisur nga mbrapa! Një nga të afërmit e gruas (disa thonë se ishte një fëmijë që ende nuk dinte të flasë), vë firmën e tij mbi këtë fakt. Tashmë çështja është krejt e qartë, Jusufi as që është kthyer ndopak nga mëkati, jo më të jetë përlyer në të. Këmisha është e grisur nga mbrapa; po të ishte Jusufi fajtor e gruaja në vetëmbrojtje, ajo këmishë nuk do të mund të grisej kurrsesi në atë mënyrë. Atë çast, Jusufi e vë re menjëherë shenjën e mbrojtjes hyjnore. Me një këmishë të grisur, Zoti kishte faktuar pafajësinë e tij, duke e përgatitur kështu për një hap edhe më të sigurt drejt së ardhmes. Ndaj dhe këtu, tjetër vuajtje shpirtërore është ajo e Jusufit e tjetër është për Zelihanë, që vuan pasionin e vet. Ndaj dhe një grup dijetarësh gabohen rëndë kur lënë pas dore këtë fakt e peshojnë në të njëjtën peshore vuajtjen shpirtërore “hemme”, të një njeriut që ka arritur afërsinë hyjnore, të një profeti që ndodhet në pozitën më pranë Zotit, me një vuajtje pasionale të një gruaje që i janë verbuar sytë nga dashuria e i trajtojnë të dy njëlloj, në të njëjtën mjegullnajë mendimi, duke mos marrë parasysh aspak cilësitë e tyre morale e botërat e tyre aq të ndryshme.

Një korrigjim i tillë, kam idenë se do të lumturonte pa masë edhe dijetarët e interpretuesit e mëdhenj, aq të sinqertë në punën e tyre, po fatkeqësisht, të ndikuar tepër nga doktrina hebraike. Kushedi se çfarë frymëzimeve u është bërë pengesë një gabim i tillë! Sepse ne besojmë se ata që e trajtojnë një profet të njëjtë me një njeri dosido, e nuk shohin vetitë e tij specifike, mbesin larg nga klima e mrekullueshme e këtyre vetive dhe nga atmosfera e tij jetëdhënëse. Fjalë të tilla si: “Jusufi ishte gati ta pranonte me gjithë zemër propozimin e Zelihasë, vetëm se atë çast i erdhi para syve Jakubi a.s. Ai kishte vënë duart në buzë dhe shihte i habitur Jusufin.”, që nuk janë veçse gjepura e sajesa të teksteve të ndryshuara të Librave të kaluar, duhen nxjerrë sa më parë nga literatura jonë.

Në komentin e ajetit të mësipërm, dijetari i madh Abdulaziz Debbag shprehet kështu: “Zelihaja veproi si i tha mendja e pasioni i vet, ndërsa Jusufi u mundua ta bënte të hiqte dorë. Kushedi, në pozita të tjera ai mund ta qëllonte Zelihanë, mund ta shtynte tej, mund ta godiste atë, ndaj edhe vuante shpirtërisht.”[18] Dhe e sheh kuptimin e “hemme” nga një tjetër këndvështrim.

Edhe sa fjalë të tjera si kjo, i ka frymëzuar atij atmosfera hyjnore për të ndriçuar horizontet e mendjeve të rëndomta!

Si mund të mendohet ndryshe për një individ të tillë, për të cilin Profeti ynë shprehet kështu, kur i thonë “Ti je bujar e i shenjtë, o Profet!”

“I shenjtë bir i të shenjtit, bir i birit të të shenjtit, bir i birit të birit të të shenjtit, është Jusufi, bir i Jakubit, birit të Is’hakut, birit të Ibrahimit, mikut të Allahut[19]. Stërgjyshi i tij është Profeti Ibrahim, gjyshi i tij Profeti Is’hak dhe babai i tij, profeti Jakub. Ja, i tillë është Profeti Jusuf, bir i të shenjtit, birit të të shenjtit… dhe me këto fjalë Profeti ynë e ngre në një të tillë pikë Profetin Jusuf, sa as imagjinata jonë nuk e arrin dot. Ndaj është krejt larg mendsh të mendosh se një profet i tillë, i krijuar nga ajka e ekzistencës, të pranojë të ulë veten në një mëkat të tillë, që as ne, njerëzit e rëndomtë, të krijuar jo nga ajka, po ndoshta nga llumi i qenies, nuk e çojmë nëpër mend. As mendja dhe as fjala nuk e pranon një gjë të tillë! Ai profet i virtytshëm, që kur dredhitë e grave për ta bërë për vete e ftesat e tyre joshëse arrijnë në të tjera masa, i lutet Zotit: “O Zoti im, më shumë e dua burgun se atë ku më shtyjnë ato.” (Jusuf 12/33) dhe braktis jetën luksoze e plot dëfrime të pallateve e pajtohet me jetën e vështirë, pa ajër e pa dritë të burgut, vetëm për të ruajtur nderin e moralin. A nuk mjafton fakti, që për nëntë vjet me radhë ai i bën ballë jetës së vështirë të burgut, vetëm për të ruajtur nderin e për të vërtetuar pafajësinë e tij? Ndërsa ato gra, që kur kishin parë bukurinë e tij, sa nuk u kishte rënë të fikët e kishin prerë gishtat nga mahnitja, (Jusuf 12/31), ato gra, që për ta vënë në pozitë të vështirë, kishin përfolur lart e poshtë dashurinë e Zelihasë për të dhe nuk kishin lënë lojë pa bërë, vetëm e vetëm për t’iu gjendur pranë Jusufit (Jusuf12/30). Po ja që çdo herë, ai djalosh me besim graniti, kishte ditur t’i refuzonte, pa rënë asnjëherë në kurthin e tyre.

Ai u lut e u përgjërua. Iu lut papushim Zotit që të mos hynte në rrethin e mëkatit dhe Zoti nuk ia ktheu lutjen, po e mori në mbrojtje në burg. Pas tij, dyert e burgjeve mbetën të hapura për idealistët e përvuajtur të çdo kohe, të cilët i kthyen burgjet në një Shkollë Jusuf’iane për ushtarët e të vërtetës e për shërbëtorët e Kur’anit. Aq i rëndësishëm ishte për të nderi e morali, sa kur erdhi një ditë e i thanë: “Dil nga burgu!”, ai këmbënguli në të tijën: “Nuk dal pa iu bërë e ditur gjithkujt pafajësia ime!” (Jusuf 12/50)

Të jetosh ndershëm është tjetër, po ta vërtetosh atë e ta shpallësh para gjithkujt, është diçka krejt e veçantë. Që të dyja këto, kishin një rëndësi kyçe edhe për misionin që do t’i ngarkohej atij në të ardhmen. Ai nuk pranoi të dilte nga burgu… Zelihaja doli para një grupimi njerëzish, ku ndodhej e gjithë paria e qytetit dhe gjithë aktorët e ngjarjeve të padrejta ndaj Jusufit dhe u tregoi të vërtetën fije e për pe. Në fund, shtoi:” Ai vërtet është një simbol i nderit e i virtytit”

E çfarë mund t’u thuash tani atyre që i veshin petkun e mëkatit këtij profeti aq të lartë, kur edhe Zelihaja, pranon fajin e vet dhe botës i shpall se sa larg është ai nga mëkati….


[1] Buhari Merda,1. Tevhid 31; Muslim Munafikun 58-59
[2] Keshfu-l Hafa 1/428
[3] Buhari, Tefsir, 3; Tirmidhi, Kader, 2; Musned, 2/287
[4] Ebu Davud, Tatavvu, 12; Edeb, 160.
[5] Muslim, Fedail, 17;
[6] Buhari, Tefsir (9), 12, 13.
[7] Muslim, iman, 271
[8] Kurtubi, 7/19
[9] Nefehatu-l Uns
[10] Buhari Enbija
[11] Buhari, Enbija, 8, 9; Muslim , Iman, 327-328
[12] Tirmidhi Menakib, 46; Ebu Davud, Edep, 84
[13] Ibni Kethir, Shemail
[14] Buhari, Enbija; Muslim, Fedail
[15] Buhari, Enbija; Muslim, Iman
[16] Buhari, Xhenaiz, 81
[17] Buhari, Iman 37; Muslim, Iman 57; Tirmizi, Iman, 4.
[18] Abdulaziz el- Debagg, el-Ibriz
[19] Buhari, Enbija, 19; Menakib, 13: Musned, 2/96

Pin It
  • Publikuar më .
© 2024 Faqja e internetit të Fethullah Gylenit . Të gjitha të drejtat të rezervuara, Faqja zyrtare në gjuhen shqipe e mendimtarit Fethullah Gylen.
fgulen.com, është faqja zyrtare e mendimtarit Fethullah Gylen.