Edhe armiqte e Hz. Muhammedit janë deshmitare te drejtesise se tij

1. Fakti që njerëzit të cilët gjer në moshën 40-vjeçare e patën thirrur atë Muhammed Emin e që ia patën besuar pa lëkundje të gjitha amanetet, iu bënë armiq sapo u shfaq si profet, e kundërshtuan dhe e mohuan, s’është gjë tjetër veçse shfaqje e kontradiktës së tyre me vetveten! Me këtë qëndrim, këta njerëz që e quanin veten të mençur, të kulturuar dhe mendimtarë, a nuk e pranonin se ishin gënjyer dhe vënë në gjumë për dyzet vjet me radhë? Atëherë, mohimi i tyre kishte një synim të caktuar, sepse nuk kishte ndryshuar dhe kthyer Profeti, por kishin ndryshuar dhe kthyer ata vetë; ishin ata vetë që kishin mbyllur sytë për të mos e parë Diellin!

2. Armiqtë nuk e akuzonin për gënjeshtar, nuk ia mohonin mesazhin që kishte sjellë, vetëm i thonin magjistar, poet, i marrë. Kurse mesazhit të tij mrekullor që s’ia mohonin dot ekzistencën dhe vërtetësinë, i thoshin thjesht “magji”!

3. Politeistët, të cilët s’deshin t’ia pranonin kurrsesi profetësinë, thoshin se “Muhammedi flet drejt”, por, krenarë dhe mendjemëdhenj, justifikoheshin duke thënë se “pse nuk iu dha profetësia këtij apo atij nga parësia, por një jetimi!”

4. Fakti që, megjithëse politeistët mekas kishin arritur, në atë kohë, nivele të larta në poezi dhe oratori dhe, megjithëse Kur’ani i sjellë nga një person që s’dinte shkrim e këndim, i sfidonte ata duke i ftuar të mblidhnin të gjithë përkrahësit e tyre për të bërë një libër të ngjashëm, ose edhe vetëm një sure, politeistët mekas nuk zgjodhën kundër Kur’anit dhe kauzës profetike rrugën më të lehtë për ta, ku ata ishin më të aftë e ndikues, luftën me fjalë, por rrugën më të rrezikshme, atë me shpatë, ky fakt, pra, është një argument krejt i hapur i profetësisë së tij!

5. Politeistët gjithashtu mbeteshin të paaftë kur ishte puna për të debatuar, për t’ia gjetur të metat dhe dobësitë si rruga më e mirë për t’ia mbyllur gojën. Pa dyshim, po t’i gjenin qoftë edhe një gënjeshtër ose pikë të dobët, menjëherë do t’ia shpallnin botës!

6. Edhe fakti që armiqtë e betuar, ata që kishin nxjerrë shpatën kundër tij dhe i kishin bërë çdo të keqe, me kohë u zbutën një e nga një, u përgjunjën dhe u futën në rrethin e tij duke u bërë muslimanë, është argument i veçantë i drejtësisë dhe ndershmërisë tek ai, i pafajësisë, zgjuarsisë dhe tërheqjes së tij. Armiqtë më të betuar të tij, si Safvan, Ebu Sufjan, Amr Ibnul As, Halid, Ikrime, Hind, Vahshi dhe sa e sa të tjerë, u përulën më në fund para drejtësisë së tij dhe, për më tepër, u bënë kumtues të shquar të asaj drejtësie!

Pin It
  • Publikuar më .
© 2024 Faqja e internetit të Fethullah Gylenit . Të gjitha të drejtat të rezervuara, Faqja zyrtare në gjuhen shqipe e mendimtarit Fethullah Gylen.
fgulen.com, është faqja zyrtare e mendimtarit Fethullah Gylen.