Katër punë që kërkojnë një vullnet të hekurt

Fethullah Gylen: Katër punë që kërkojnë një vullnet të hekurt

Pyetje: Në veprën “Paralajmërimet”[1], një fjalë që thuhet se i përket Aliut të nderuar (r.a.) thotë: “Këto janë katër cilësitë që janë më të vështirat për t’u arritur: të falësh kur je i nevrikosur, të tregosh bujari edhe në kohët kur je ngushtë, ta ruash nderin edhe teksa je vetëm për vetëm me mëkatin dhe t’ia thuash të vërtetën ashtu siç është edhe njeriut të cilit i frikësohesh apo je i lidhur në interesa me të.” A mund të na i shpjegoni dhe më imtësishëm këto katër punë të çmuara dhe shpërblimin që vjen prej tyre?

Përgjigje: Kur i hedhim një sy fjalëve që i atribuohen Aliut tonë të nderuar (r.a.), fjalëve të tij që gjenden në “Rrugën e drejtë të retorikës”, stilit dhe gjuhës që ka përdorur, të vjen disi të thuash se “ngjan disi e pamundur që këto fjalë kaq të thella të jenë thënë prej një njeriu që jetoi në një kohë kur sapo kishin dalë prej injorancës, kur nuk ishte zhvilluar ende metodologjia dhe terminologjia e shumë disiplinave si ato të sotmet, kur nuk ekzistonte ende një literaturë retorike me plot kuptimin e kësaj fjale. Ka gjasa që të kenë qenë njerëzit që kanë jetuar tri-katër shekuj më vonë, kur kishin filluar të lulëzonin fusha të ndryshme të shkencës dhe dijes, që ia kanë atribuar atij këto fjalë.” Mirëpo, ka gjithashtu gjasa se po të kemi parasysh se Aliu ynë i nderuar (r.a.) ishte një personalitet tejet i lartë, i hapur kah bota shpirtërore, me frymëzime entuziaste në çdo çast të jetës së tij dhe njëherazi atë i gjithë zinxhirit të njerëzve të lartë e të dashur për Zotin, mund të themi se të gjitha këto fjalë të tij janë drejtëpërsëdrejti fryte të një frymëzimi hyjnor. Ashtu siç është e mundur që disa njerëz, në kohën kur nisi të konsolidohej njëfarë terminologjie dhe kur fjalës joautoriale t’i atribuohej autorësi, t’ia kenë atribuar atij këto fjalë, është poende e mundur që të kenë shprehur të njëjtën përmbajtje duke përdorur një gjuhë më të pasur sipas terminologjisë së re dhe të sofistikuar. Duke qenë se është e pamundur që kjo të kalohet pa u reflektuar, do të ishte më me vend që të themi se “është Zoti Ai që e di të drejtën e çdo gjëje”, të kalojmë tek katër punët e sipërpërmendura.

Që në fillim, Aliu i nderuar (r.a.) shprehet se punët më të vështira janë katër. Thelbësisht çdo punë a veprim ka vështirësitë e veta. Të marrësh abdes pesë herë në ditë, të falësh namazin, të agjërosh në ditët e gjata dhe të nxehta të verës nga mëngjesi gjer në mbrëmje, të ndash me të tjerët prej asaj që ke fituar me djersën e ballit, të kryesh adhurimin e haxhit, t’ua plotësosh të gjitha të drejtat prindërve pa lënë shkas qoftë edhe njëherë të vetme që ata ta mrrolin fytyrën, pa iu ankuar atyre qoftë edhe njëherë të vetme janë të gjitha punë që po t’i shohesh mirë, secila prej tyre ka vështirësitë e veta shumë të mëdha. Ma merr mendja se askush nuk do të dilte dot e të thoshte: “Këto janë fare të lehta.” Ndaj, edhe Aliu i nderuar (r.a.), më sipër, do të na tregojë se katër punët e përmendura janë ndër më të vështirat edhe mes të vështirave:

1. Të falësh kur je i nevrikosur

I pari i këtyre parimeve, që është shprehur me fjalët “të jesh falës në çastet e zemërimit.” Në fakt, mundja e zemërimit dhe falja e tjetrit në ato çaste kur nevrikosja dhe zemërimi shkumëzojnë si magmë përbëjnë një çështje, e cila trajtohet gjerësisht në Kuran dhe u këshillohet të gjithë besimtarëve që ta kryejnë. Për shembull, me fjalën e tij fisnike “Ata të devotshëm që shpenzojnë për Allahun, si në kamje, si në kohët kur ndihen ngushtë; që edhe kur janë të nevrikosur (megjithëse kanë forcë për t’u hakmarrë) e shtypin zemërimin dhe i falin të tjerët (njerëzit).[2] Allahu na tregon se kjo është një prej tipareve dalluese të besimtarëve të devotshëm; madje, duke e vënë në pah se shtypja e zemërimit është diçka po aq e vështirë sa përtypja e një cope kaktusi. E patjetër, që edhe shpërblimi për një njeri që arrin t’ia dalë diçkaje të këtillë do të jetë i shumëfishtë.

Për një njeri të qetë, që nuk shqetësohet lehtë prej gjërave përreth, që njerëzit e duan dhe e vlerësojnë, është shumë e lehtë që të jetë falës. Arritje e vërtetë është kur dikush shqetësohet prej dikujt, i bëhet ndonjë padrejtësi prej tij, nevrikoset ku s’ka më, por, prapëseprapë nuk e humb, përkundrazi e përdor siç duhet vullnetin e tij dhe, në vend që të përgjigjet me të njëjtën monedhë, tregohet falës. Në thelb, njeriu nuk është një krijesë që t’i nxjerrë menjëherë brirët dikujt që e prek disi me brirët e tij. Allahu (xh.xh.) nuk i ka lënë asgjë të mangët apo të metë në krijimin e tij njeriut, në mënyrë që ai të mund të përparojë pafundësisht në rrugëtimin e tij drejt përkryerjes. I ka falur atij një vullnet të atillë, që nëse e përdor ashtu siç duhet, mund t’ia dalë mbanë edhe gjërave më të vështira në dukje, sa që mund ta marrë nëpër këmbë edhe mërzitjen apo nevrikosjen më të rëndë dhe të kërcejë mbi to.

Siç e dini, fjala arabe “afv” bart kuptimin e “fshirjes së diçkaje”. Domethënë të bësh sikur nuk i ke parë sjelljet e të tjerëve, të cilat mund t’ju shqetësojnë apo nevrikosin, njësoj sikur t’u hidhnit bojë të bardhë sipër e t’i keni fshirë; të mos lejosh që diçka e pahijshme të mos zërë vend në mendjen tuaj apo të lërë gjurmë në neuronet tuaja; edhe sikur t’ju bezdisin gjer në një pikë që për ju duket e padurueshme, “fshirje~falje”, duke i hequr menjëherë prej korteksit, në mënyrë që të mos i sillni dot më asnjëherë në kujtesë. Ja pra, sjellja kësisoj është diçka me të vërtetë shumë e vështirë për t’u arritur. Mirëpo, nëse dikush ka një natyrë që i harron menjëherë të këqijat që i bëhen, atëherë edhe kthimi mbrapsht i tyre ka për të qenë i ndryshëm. Ka gjasa që për hir të sjelljes së tij vazhdimisht falëse, ai të mos e përjetojë dënimin hyjnor për një sërë mëkatesh apo gabimesh që mund të ketë bërë. Kësisoj, në këmbim të faljeve të tij të njëpasnjëshme, ai të falet prej Allahut (xh.sh.).

2. Të tregohesh bujar edhe në kohët kur ndihesh ngushtë

Së dyti, Aliu (r.a.), me fjalët “të tregosh bujari edhe në kohët kur je ngushtë” na tregon vështirësinë dhe rëndësinë njëherësh të sjelljes prej bujari edhe në kohët kur je të ka pllakosur nevoja dhe ndihesh ngushtë edhe për vete. Bujaria e njeriut të pasur, të cilit nuk i pakësohet asgjë prej stokut apo pasurisë prej asaj që u fal të tjerëve është e lehtë. E çfarë humbet nëse jep një lirë të vetme dikush që zotëron njëmijë lira! Ashtu si falja në çastet e zemërimit i bën thirrje emrit “Afuv~Falës” të Allahut (xh.sh.), edhe bujaria e treguar në kohë të vështira i bën thirrje emrit “Xheuad~paskajshmërisht Bujar” të Tij.

Në njëfarë mënyre, Aliu i nderuar (r.a.) na e tërheq vëmendjen kah ndjenja e “të menduarit për të tjerët para vetes”. Sepse, edhe pse një prej llojeve të saj, kjo ndjenjë ka kuptimin e dhënies tjetrit të asaj ç’ke për të ngrënë, edhe pse vetë mund të jesh i etur dhe i uritur. Që, edhe vetë Allahu (xh.sh.) është shprehur: “Ata, që nuk ndiejnë asnjë shqetësim brenda vetes së tyre për ato që mund t’iu jepen besimtarëve dhe, edhe pse mund të jenë vetë nevojtarë, ata zgjedhin të tjerët para vetes.”[3]

Në betejën e Jermukut, një prej sahabëve që ishte tejet i uritur dhe, për më tepër, edhe i plagosur, i sjellin ujë për të pirë, mirëpo atij i kap veshi që aty pranë ishte edhe një tjetër sahab që po kërkonte ujë, ndaj kërkon menjëherë që t’ia çojnë atij ujin që ishte për të. Po kështu, edhe ky i dyti dëgjon një tjetër prej sahabëve që kërkonte ujë, ndaj nuk pranon që ta pijë ai ujin e prurë. Mirëpo, asnjëri prej sahabëve nuk pi dot prej atij uji, sepse bien që të tre dëshmorë. Kjo është një nga historitë më të veçanta, më të bukura dhe më të goditura që e ilustrojnë pastërtisht shpirtin e “zgjedhjes së tjetrin para vetes”, e të jetuarit për t’u dhënë jetë të tjerëve dhe e qëndrimit përhere i lidhur fort pas vlerave të mirfillta njerëzore.[4]

Hazreti Ali (radıyallahu anh) وَالْعِفَّةُ فِى الْخَلْوَةِ ifadesiyle günahla baş başa kalan bir insanın iffetli olmasını da gerçekleştirilmesi zorlardan zor üçüncü amel olarak zikretmiştir.

3. Ta ruash nderin edhe kur gjendesh fare pranë mëkatit

Me fjalët e tij “ta ruash nderin edhe teksa je vetëm për vetëm me mëkatin”, Aliu i nderuar (r.a.) përmend edhe ruajtjen e nderit prej besimitarit edhe kur ka mbetur vetëm për vetëm me mëkatin si një prej punëve më të vështira për t’u arritur.

Në një hadith të Tij të bekuar i Dërguari i Allahut (pqmT) thotë se në ditën e Kiametit, kur nuk do të ketë askund hije, janë shtatë grupe njerëzish, të cilëve do t’u bëhet hije mbi krye dhe pjesëtarët e njërës prej tyre do të jenë ata njerëz, të cilëve edhe pse femra të bukura dhe të pasura do t’i kenë thirrur në mëkat, ata do të refuzojnë menjëherë duke thënë: “Jo, unë i frikësohem Allahut!”[5]

Në njëfarë kuptimi, të dukesh i ndershëm në prani të njerëzve është diçka e lehtë. Sepse, në një ambient kur sytë e njerëzve janë aty dhe ju i shikoni të tjerëve është e vështirë të hyhet në mëkat. Kurse një njeri që e gjen veten të mbërthyer prej kurthit të mëkatit dhe një njeriu që përpiqet ta nxjerrë nga binarët, por prapëseprapë e kthen veten në një statujë të moralit dhe, njësoj si Jusufi i nderuar (a.s.), ulërin: “Unë kërkoj mbrojtje prej Allahut (prej rënies në këtë mëkat)![6]; të mbash një qëndrim të prerë karshi një mëkati të atillë që mund të të lërë pa mend në ato çaste dhe mund të ta errësojë shikimin, është goxha e vështirë. Qëndrimi i palëkundur, me ngurtësinë dhe qëndrueshmërinë në të tilla pozita kur po shtyhet drejt diçkaje që është e kobshme për të, është diçka që kërkon një vullnet të çeliktë. E, nuk ka dyshim që ai që arrin t’i bëjë ballë një vështirësie të këtillë po aq të madh ka për të pasur edhe shpërblimin.

Në kohën e Omerit të nderuar (r.a.), një grua e shthurur ia vë syrin një djaloshi tejet të pashëm e simpatik dhe përpiqet që një ditë ta zërë medoemos në kurth. Kështu, një ditë ia arrin qëllimit që ta bëjë atë që të hedhë një hap për në shtëpinë e saj. Ia arrin kësaj, mirëpo në gjuhën e djaloshit nis të përsëritet një ajet fisnik: “Ata që e jetojnë jetën me devotshmëri; (atyre) iu kujtohet Allahu me t’u ardhur ndonjë shigjetë a ndonjë vesvese prej shejtanit dhe sytë u hapen kah e drejta.”[7] Djaloshit, mu në atë çast, i ndal zemra dhe ndërron jetë në vend. Sahabët druhen që t’ia tregojnë Omerit të nderuar (r.a.) se ç’ka ndodhur, kështu që e marrin xhenazen e atij djaloshi dhe e varrosin. Mirëpo Omeri fisnik e ndien mungesën e djaloshit që zinte vend përherë prapa tij në namaz dhe i pyet sahabët nëse e kanë parë, pse kish ditë që s’kishte ardhur. Aty sahabët i tregojnë se si qëndronte çështja. Me ta dëgjuar historinë, Omeri (r.a.) rend menjëherë për te varri i tij dhe, me të mbërritur, nga goja i del ky ajet: “Për atë që ka frikë se do të kthehet pranë Zotit të vetë ka dy Xhenete.”[8] Ndërsa, prej varrit, krejt mrekullishëm jehon zë që thotë: “O prijës i besimtarëve, unë këtu gjeta dy herë atë që thua ti!”[9]

Edhe kjo ndodhi na tregon se sa e vështirë dhe e ashpër është ruajtja e nderit edhe kur gjendesh vetëm për vetëm me mëkatin, të ndaluarën, por që mund të kthehet në diçka tejet të çmuar dhe të rëndësishme. Mirëpo, këto shekujt e fundit i kanë fshirë shumë prej vlerave më të çmuara, duke e lëkundur jashtëzakonisht shumë botëkuptimin tonë për nderin; kështu ne ramë në një gjendje të mjeruar. Janë ngritur disa dhe duan që të fusin gjithfarë imoralitetesh në atmosferën tonë, e gjitha gjoja në emër të lirisë. Megjithatë, ne kemi besim të plotë tek Allahu, se Ai do të veprojë me të gjitha cilësitë e Tij të patëmeta me të gjithë ata që arrijnë ta mbrojnë dhe ruajnë nderin e tyre edhe sot, pavarësisht gjithçkaje, i nderon ata me dy prej Xheneteve të Tij, duke i kurorëzuar me kënaqësinë, pëlqimin dhe vështrimin e Tij të bukur.

4. Të thuash të vërtetën edhe në çastet më të vështira

Ndërsa punën e fundit që është më e vështira ndër të vështira, Aliu i nderuar (r.a.) e ka shprehur me fjalët “t’ia thuash të vërtetën ashtu siç është edhe njeriut të cilit i frikësohesh apo je i lidhur në interesa me të.” Këto fjalë kanë këtë kuptim: që njeriu të thotë përherë të vërtetën, qoftë edhe kur gjendet përballë njerëzish të cilëve u frikësohet apo pret diçka prej tyre. Nëse njeriu nuk mban një qëndrim të drejtë përballë një njeriu, të cilit i frikësohet apo pret disa të mira që ky i fundit i ka premtuar, por angazhohet për të, vjen një çast që ai që e ka në dorë këtë pushtet i vë prangat, kularin në qafë, këmbët ia lidh me zinxhirë, duke e kthyer kështu në një skllav që nuk e do as vetë lirinë, derisa të mund t’i kërkojë atij ç’të dojë për të bërë. Siç e vërejmë edhe sot në plot raste, ky është një faktor tejet i rëndësishëm që përpiqet gjithnjë t’i vërë frerë njeriut që vepron në rrugë të drejtë, ia paralizon vullnetin, ia lidh duar e këmbë dhe ia këput krahët.

Po kështu, pritshmëritë e shpresuara e kthejnë njeriun në një shejtan pa gjuhë përballë drejtuesve të tij jo të drejtë; bëjnë që ai ta shtrembërojë të vërtetën, pavarësisht se si është ajo dhe i çel shtigje që të flasë dhe të bëjë gjëra të gabuara. Dhe, jo vetëm që kemi parë mjaft raste të kësaj natyre, kur, për hir të të mirave që u janë ofruar, pritshmërive apo ëndrrave imagjinare që kanë thurur në kokë apo prej frikës dhe shqetësimit, njerëz thonë sot krejt të kundërtën e asaj ç’kanë thënë dje; njësoj si kameleonët ndërrojnë ngjyrat njëra pas tjetrës sipas ndryshimit të rrethanave dhe kryejnë sa e sa krime që do të mjaftonin për t’u shkatërruar, si jetën në këtë botë, si në tjetrën. Ata jetojnë një jetë prej skllevërish, nga një angazhim në tjetrin, nuk veprojnë dot kurrsesi të lirë dhe nuk bëhen dot kurrë të tillë. E prapëseprapë, të thuash gjithnjë të vërtetën, edhe në një kohë kur ligjin e bën frika dhe interesat, është një heroizëm i vërtetë. Ndaj, as që mund të ketë dyshim se ky lloj heroizmi do të marrë shpërblimin e merituar.

Si përfundim, shpërblimi dhe të mirat e punëve jepen ndryshe sipas kohës dhe hapësirës në të cilën ato kryhen. E shkak i mirfilltë për shumëfishimin e shpërblimit të punëve që bëhen me më shumë mundime dhe vështirësi mund të jetë veçse ruajtja e të njëjtit sinqeritet përherë, pa u përfshirë në kurrfarë ankimesh të drejtpërdrejta apo të tërthorta. Me fjalë të tjera, njeriu nuk duhet të ankohet për mundimet, vuajtjet a vështirësitë, por duhet, që cilatdoqofshin rrethanat, të shtrëngojë dhëmbët e të bëjë durim, të mos e i kundërvihet assesi kaderit të tij dhe ta kryejë me dëshirë dhe duke i buruar nga zemra punën e mirë, në mënyrë që të shpërblehet sipas vështirësive që ka hasur gjatë kryerjes së saj.

[1] Shih: Münebbihât.
[2] Al-i Imran, 3/134.
[3] Hashr, 59/9.
[4] El-Hakim, el-Mustedrek 3/270; Ibni Abdilberr, el-Istiab, 3/1084.
[5] Buhari, zekat, 16; Muslim, zekat, 91.
[6] Jusuf, 12/23.
[7] Araf, 7/201.
[8] Rahman, 55/46.
[9] Ibni Kethir, Tefsiru’l-Kuran, 2/280.

Pin It
  • Publikuar më .
© 2024 Faqja e internetit të Fethullah Gylenit . Të gjitha të drejtat të rezervuara, Faqja zyrtare në gjuhen shqipe e mendimtarit Fethullah Gylen.
fgulen.com, është faqja zyrtare e mendimtarit Fethullah Gylen.