Kauza madhore e popullit tonë

Mbarë bota, është duke lëvizur tashmë, drejt pranverës. Pavarësisht disa problemeve, pothuajse gjithkush pajtohet me idenë se e ardhmja është e ndritur. Në vend që të ndalemi në këtë fenomen, unë mendoj se është më e rëndësishme të marrim në konsideratë gjendjen e atyre të cilët do ta bëjnë realitet këtë të ardhme, me anë të vendosmërisë, vullnetit dhe efikasitetit në punën e tyre. Preokupimi për të ardhmen e vendit dhe të popullit të vet, përbën pa dyshim një detyrim për çdo individ inteligjent dhe mendjendritur. Megjithatë, unë nuk mund të them me siguri nëse gjithkush është i ndërgjegjshëm dhe i gatshëm për të mbartur një përgjegjësi të tillë. Ajo që unë di, është se një numër njerëzish në vendin tonë, përgjatë viteve kanë jetuar ditë dhe natë duke punuar vazhdimisht dhe duke u shqetësuar për shkak të aspiratave të tyre për të ardhmen. Duke përdorur, shpenzuar dhe sakrifikuar gjithçka që ata kishin, me shpresën se një ditë rruga që ata ishin duke ndërtuar do të mund të sheshohej.

Ky vend dhe komb, për të cilin miliona njerëz, dikur, kanë sakrifikuar jetën e tyre në mënyra të ndryshme, ndodhet në një epokë nxitëse të kalimit nga e shkuara, drejt së ardhmes, i shoqëruar nga një numër i madh bijsh besnikë. Kjo ka ndodhur edhe më parë, ndaj ky vend dhe njerëzit e tij tani janë të mbushur me besim dhe thellësisht të ndjeshëm dhe entuziastë në lidhje me idenë e përparimit të popullit të tyre. Kjo është kaq e vërtetë, saqë kur ata kryejnë punët e zakonshme ditore me një dorë dhe një këmbë, me dorën dhe këmbën tjetër përpiqen të hartojnë plane dhe projekte për të ardhmen, duke vënë në zbatim ndjenjat dhe vetëdijen nën urdhrat e idealeve të tyre. Kështu ne mund të themi se kauza madhore të cilën ka mbrojtur dhe ruajtur kombi ynë fatlum dhe i lavdishëm dhe kjo histori e madhërishme dhe e nderuar, një kauzë e cila është formuar dhe zhvilluar për mbi një mijë vjet, po ndez edhe njëherë në shpirtrat e njerëzve të tij një emocion të thellë, një emocion të ngjashëm me atë të përmallimit dhe padurimit për t’u rikthyer në shtëpi. Shumë nga brezat e sotëm, me ndjenjën e tyre të bashkimit dhe solidaritetit, vendosmërinë dhe kujdesin për ta parë kombin e tyre në krye të epokës, duket se përbëjnë shfaqjen e dukshme të kësaj kauze, gjithashtu edhe përfaqësuesit e këtij misioni. E për sa kohë të mos fryjë ndonjë erë e kundërt dhe të shkatërrojë gjithçka, ka të ngjarë që e ardhmja të jetë e tyre.

Kjo kauzë u përhap nga njerëzit e parë të mëdhenj të Islamit në të katër cepat e botës, për një kohë mjaft të shkurtër dhe mori një dimension të ri me dinastitë Emevi dhe Abbasi, një vlerë më të madhe me Selxhukët dhe në fund, u bë çështje e një rëndësie parësore me osmanët, megjithëse për një periudhë të caktuar ajo qe subjekt i një fatkeqësie të madhe. Ky hov ka filluar të përjetohet edhe njëherë, si një proces që shtrihet nga fshati tek qyteti, nga familja tek shteti, nga rruga tek shkolla, nga arti tek shkenca, nga puna tek morali dhe bëhet i mundur falë atyre, të cilët e kanë zgjuar kombin me thirrjet dhe entuziazmin e zemrave të tyre, e kanë ngjyrosur dhe ujitur hartën e vendit me lotët e tyre të vazhdueshëm. Ndaj, pavarësisht gjithçkaje, drita e dobët, por e dukshme e agimit, ka nisur të shfaqet gradualisht, duke bërë që të ndriçohet gjithçka. Në njëfarë mënyre, megjithëse ne kemi qenë kohë pas kohe subjekt i mashtrimit të agimeve të rreme, janë po këto agime të rreme dëshmitari më i besueshëm, që dëshmon se dielli do të lindë së afërmi.

Gjatë kësaj periudhe fatkeqe, çështje si: lakmia për të mira materiale, dëshira për pozitë, pasioni për jetë, dëshira për famë dhe dëshira për të qëndruar gjithmonë në këtë botë, zuri vendin e kauzave tona intelektuale dhe shpirtërore, duke bërë që gjërat më të ulëta të vihen në piedestal. Megjithatë, tani shpirti dhe thelbi, apo realiteti, janë orientuar drejt detyrës dhe gjërat po zënë vendin e tyre. Në vend të mendimeve të papjekura dhe fantazive të asaj kohe dhe të njerëzve të cilët mburreshin me thirrjet e tyre se do ta shpëtojnë vendin dhe do ta përparojnë atë në nivelet e standardeve perëndimore - një pretendim i cili në pamje të parë dukej se ishte me vend, por që në fakt rezultoi asgjë më tepër sesa një falsitet - sot ekzistojnë, madje në një numër mjaft të madh, përfaqësues të çmuar, apo kandidatë, për të qenë të tillë së shpejti, të shkencës, dijes, artit, moralit dhe virtytit, të cilët janë trashëgimtarët e vërtetë të të gjitha vlerave që mbart e kaluara jonë e lavdishme.

Nga ana tjetër, është e vërtetë se ekzistojnë luftëra të pamëshirshme që bëhen në fushat e politikës, arenat e interesave dhe në dyert rrotulluese të përfitimit. Madje disa mburren me fjalët “Të shpëtojmë vendin!”, “Të ndriçojmë popullin!”, “Të përparojmë kombin!”. Ne gjithmonë paguajmë haraç për trillet dhe pasionet e atyre që kanë gatuar përralla, që e kanë kequdhëzuar popullin tonë, duke e udhëhequr kombin drejt kaosit. Megjithatë, unë ju pyes juve seriozisht: A mund të gjendet një periudhë gjatë së cilës nuk kanë ekzistuar dhe nuk kanë ndodhur gjëra të tilla? Gjëra të tilla kanë ekzistuar gjithmonë dhe do të vazhdojnë të ekzistojnë gjithmonë, edhe sot, nesër dhe përherë. Historia nuk është vetëm histori e njerëzve të mirë. Bashkë me historinë e njerëzve të mirë, ekziston edhe historia e atyre të cilëve shajnë, brejnë, gërryejnë, thurin gracka, tradhtojnë dha akuzojnë njëri-tjetrin. Ju nuk duhet të lodheni shumë për ta gjetur atë. Nëse i hedhim një sy të shkuarës sonë të afërt, do ta vërejmë këtë fenomen dhe do të dridhemi për faktin se sa shumë herë janë vrarë shpirtrat në emër të demokracisë, sa shumë herë sektorët e ndryshëm të shoqërisë janë kthyer në ujqër të gatshëm për të shqyer njëri-tjetrin dhe sa herë zemrat tona kanë qenë të detyruara të pinin helmin e urrejtjes, keqdashjes dhe dhimbjes.

Duke hedhur një sy në shumë sektorë të shoqërisë dhe në disa çështje, gjërat që ne jemi duke bërë sot, nuk janë shumë të ndryshme nga ato të djeshmet dhe veprat e së nesërmes, nuk do të kenë ndonjë ndryshim, nga të sotmet. Edhe në shoqëritë më të pastra dhe më ideale, kanë ekzistuar dhe do të ekzistojnë ca shpirtra të errët, të cilët vazhdimisht do të shpifin dhe përgojojnë, duke sjellë përçarje, dhunë dhe shtypje, që do të ndërrojnë vazhdimisht maskat në fytyrat e tyre, duke qenë të aftë ta fshehin vetveten dhe identitetin e tyre të vërtetë. Por krahas tyre, është më se e vërtetë, se ndodhet një shumicë e madhe njerëzish pozitivë dhe me prirje pozitive...

Sot, lëvizja për edukim është realizuar nën emra dhe tituj të ndryshëm dhe përpjekjet për dashuri, tolerancë dhe dialog, përbëjnë përpjekje mjaft të rëndësishme për bashkimin e pjesëve të ndryshme të shoqërisë dhe përqendrimin e burimit të fuqisë së saj shpirtërore, që të jetë e aftë të lëvizë dhe të funksionojë. Mjafton që brezat e tendosur nga aspekti metafizik, që realisht besojnë në këto objektiva, të rivalëvisin flamurin e anijes së kombit tonë, një anije e cila ka nisur t’i largohet cekëtinës dhe të lundrojë në ujëra më të thella. Nuk ka dyshim se brezat e sotëm, të cilët kanë qenë keqtrajtuar dhe keqpërdorur përsa i përket anës shpirtërore e karakteriale dhe të cilët kanë pësuar humbje të mëdha, të vazhdueshme në sferën e moralit, virtyteve, mendimit, artit e madje edhe në të gjitha vlerat e tjera njerëzore, do të arrijnë të përjetojnë një ringjallje të re, falë lirisë së tyre shpirtërore dhe stabilitetit intelektual.

Shekulli i nëntëmbëdhjetë dhe ai i njëzetë u shndërruan në epoka dezintegrimi dhe na kthyen mjaft pas. Për një kohë të gjatë, arsyet e vërteta të këtij fenomeni nuk kuptoheshin dhe pikëpamjet në lidhje me këtë çështje ishin krejtësisht të gabuara. Për pasojë, “kryevepra” e prapambetjes së vërtetë, u prodhua dhe u shfaq në fushat e fesë, shkencës, artit dhe estetikës dhe ndonjëherë rastësisht, rryma të veçanta në formën e konfliktit të ideve, u shndërruan në rryma të nihilizmit dhe ateizmit. Këto konflikte idesh lindën për shkak të fantazisë dhe konfuzionit. Kjo ishte kaq e vërtetë, saqë vendin e gjenialitetit shkencor, e zunë rrengjet dhe mashtrimet, vendin e ndriçimit, e zuri iluzioni dhe vendin e luftës dhe vendosmërisë e zuri shpifja, duke bërë që këto vese të bëhen të pëlqyeshme. Ata të cilët e konsideronin mashtrimin si aftësi, harxhonin të gjitha energjitë dhe përpjekjet e tyre për të hedhur poshtë të gjitha të vërtetat historike, nëpërmjet fabrikimit të gënjeshtrave, keqinterpretimeve të qëllimshme, shpifjeve, përgojimeve dhe nxitjeve dashakeqëse. Vëreni manifestimin e Caktimit Hyjnor. Sot, ato dinamika historike dhe rrënjë shpirtërore të popullit, qëndrojnë ende në këmbë, ndërsa mashtrimet, falsifikimet, shpifjet e gënjeshtrat janë shembur përtokë.

Ky komb, i ripërtërirë në gjurmët e Profetit, po pëshpërit këngët e ekzistencës më të re e të rilindjes më të freskët. Kjo i ngjan lulëzimit të luleborës, gjatë flladeve pranverore. Ne sot dukemi më të gjallë, më aktivë dhe më të vendosur, më me shpresë, më paqësorë dhe më të hareshëm në realizimin, në gjetjen dhe në kthimin te vetvetja. Unë dëshiroj që çdo përpjekje nga ana jonë, çdo lot që derdhim tash e tutje, të shndërrohet në ilaç për plagët tona të thella dhe dritë për të nesërmen që duket kaq e errët.

Tani, në shekullin e njëzetenjëtë, e ardhmja e jonë dhe e popujve që kanë lidhje me ne, qëndron nën krahët e nurët të pëllumbit besnik të armatës së dritës. Të kësaj armate që përfaqëson në shkallën më të lartë dijen, virtytin e moralin dhe që i është përkushtuar mësimdhënies dhe edukimit. Ne shpresojmë se këto breza të bekuar do të jenë udhërrëfyesit tanë me zërin e dritës dhe me idetë ndriçuese, duke na bërë që të rifitojmë të gjitha vlerat historike që i kemi humbur, por edhe duke i bërë njerëzit tanë të aftë të kuptojnë dhe të marrin mbi supe të gjitha përgjegjësitë që u dikton koha.

Kauza dhe qëllimi i ekzistencës sonë nuk ka të bëjë fare me dhunën, apo me forcën. Ne mendojmë se pushteti që i është dorëzuar dhe nënshtruar të Vërtetës, e ka plotësisht arsyen e vet të ekzistencës. Me gjithë zemër e njohim dhe e respektojmë nevojën për teknikë dhe teknologji, domosdoshmërinë dhe nevojën imediate për industri, vlerën e shkencës dhe të dijes. Në mbështetje të këtyre, ekziston një perspektivë e gjerë e mendimit tonë, e pranimit tonë të rolit udhëheqës dhe interpretimit të artit, si dhe parimet që synojnë zbatimin e drejtësisë së vërtetë. Ajo është një fushë tejskajshmërisht e ndjeshme dhe gjithashtu e besimit në ndjenjën e detyrës për t’i shërbyer popullit tonë, për të ushqyer dhe mbështetur të gjitha sa thamë më lart. Prandaj, ne sot kemi nevojë më tepër se për gjithçka tjetër për mendje të shëndosha, për pikëpamje të gjerë dhe për mësues shpirtërorë me horizont të gjerë, të cilët të mund të vendosin ekuilibrin e duhur për të gjitha këto, për t’i shërbyer kombit dhe popullit tonë. Këta njerëz do të mund të ngrenë këtë popull dhe komb në majat më të larta të mendimit, do ta drejtojnë atë drejt rrënjëve dhe esencës së tij shpirtërore dhe do t’u japin shpirtrave tanë mundësinë për të nisur një fillim të ri, sepse kanë nevojë dhe kanë dëshirë të përjetojnë dashurinë sublime.

Në vend të partive politike, apo tarafeve të ndryshme, kombi ynë ka nevojë për dishepuj të dijes, moralit dhe virtyteve, për njerëz të pajisur mirë me besim dhe shpresë, plot me entuziazëm dhe të tillë që e kanë zhveshur vetveten nga çdo dëshirë, kërkesë dhe pikësynim të kësaj bote, qoftë e aspektit material, ashtu dhe jomaterial që i përket kësaj bote dhe tjetrës. Derisa t’i gjejmë ata dhe ta vendosim veten tonë në duart e tyre, ky persekutim dhe kjo skllavëri e ngatërruar, ndonëse në shkallë relative, duket se do të vazhdojë të ekzistojë. Ne i lutemi Zotëruesit të Mëshirës së Pafundme, të dërgojë sa më parë brezat e shumëpritur në mbështetjen tonë, së bashku me ato shenja ngushëlluese të cilat i kemi parë të shfaqen në horizont.

Pin It
  • Publikuar më .
© 2024 Faqja e internetit të Fethullah Gylenit . Të gjitha të drejtat të rezervuara, Faqja zyrtare në gjuhen shqipe e mendimtarit Fethullah Gylen.
fgulen.com, është faqja zyrtare e mendimtarit Fethullah Gylen.