ARMIQTË E NJË FAMILJEJE TË LUMTUR

ARMIQTË E NJË FAMILJEJE TË LUMTUR

Pyetje: Në një hadith pohohet se të ndash një çift nga njëri-tjetri, duke i dhënë shkatërrimin kësisoj një çerdheje familjare, është një nga punët më të parapëlqyera të djallit. Çfarë na këshilloni, që bashkëshortët as të mos bien në një kurth të këtillë, duke i dhënë fund martesës së tyre, që është edhe hallalli më i shëmtuar pranë Zotit?

Përgjigje: Shkaktari i të gjitha punëve të shëmtuara, dhe shkatërruesi i të gjitha veprimeve të vyera është djalli. Siç pohohet edhe në Kuranin Fisnik, “Shejtani ua tregoi atyre të stolisura punët e pavlera.” [55] , apo “Shejtani i futi ata në dyshime të njëpasnjëshme” [56] , gjithçka e ligë apo e pahijshme ka si burim djallin.

Armik dinak dhe i paepur

Nga ana tjetër, e shohim se Kurani Famëlartë e përmend atë me cilësorin “garur – 1. me krenari të tepruar; 2. që të bën të harrosh Allahun. ” Për shembull, Allahu (xh.xh.), në një ajet fisnik shprehet kështu: “Shejtani hileqar të mos ju mashtrojë për Allahun (me dije, besime dhe qasje të rreme)” [57] . Ngase epiteti “garur” është në shkallën sipërore, në të vërtetë mbart kuptimin “gënjen shumë”. Me një fjalë, kjo e shejtanit qenka një gënjeshtër e madhe. Ai vazhdimisht zhytet në thellësi të qëllimeve dhe mendimeve të qenies njerëzore, për t’u munduar mandej me mish e me shpirt, si e si ta nxjerrë atë prej rrugës së drejtë, me intrigat e tij të panumërta dhe me përpjekjet e tij që nuk dinë të mbaruar.

Në një tjetër ajet fisnik fjala shejtan cilësohet me fjalën “hannas”. [58] Sepse shejtani është shumë dinak, tërhiqet mënjanë për të gjetur rastin, që me t’i ardhur në dorë një mundësi e mirë, të mund të vërsulet menjëherë, drejt e në sulm. Vazhdimisht fshihet pas një veli gjoja të së drejtës, i afrohet njeriut nga mendimet e tij më të mira, e ia tregon punët që mund të jenë më të shëmtuarat dhe më të papëlqyeshmet si të hijshme, duke e nxitur kësisoj si e si, që ai të ecë në një shteg ku ta ketë të pamundur ruajtjen nga të rrëshqiturit rrokapjekthi. Me pak fjalë, është një krijesë mëse dinake, së cilës nuk mund t’i zihet kurrsesi besë. Siç shprehet edhe Bediuzaman Said Nursi, një prej mashtrimeve më të rënda të djallit është t’ia bëjë njeriut të harrueshme ekzistencën e tij. [59] Asisoj që njeriu hyn në një gjendje të atillë që megjithëse hyn kryekreje nën sundimin e tij, duke vepruar me armët e tij më përfaqësuese, por sakaq fillon të mendojë me pohime të tilla si, “këtë e mendova unë, unë vendosa për të, unë e pata planifikuar, unë e realizova.” Me pak fjalë, ai fillon ta shohë veten si arkitektin dhe ndërtuesin e çdo gjëje.

Edhe egoja që i është dhënë strukturës së njeriut, kryen një detyrë prej centrali për djallin. Me gjuhën e Kuranit ajo është egoja urdhëruese, e cila nuk e lë asnjëherë të qetë njeriun, pasi vazhdimisht i rri e pëshpërit në rrëzë të veshit, si e si, vetëm për të këqija. [60] Nëse do të na duhej ta ilustronim me një shembull, djalli vepron me trupin e njeriut sikur nëpërmjet një kodi mors, që i dërgon vazhdimisht atij sinjale nga më të ndryshmet. Edhe egoja mundohet t’i dekodojë këto mesazhe, për t’ia diktuar ato mandej njeriut. Ndërkohë që njeriu, fillon t’i përgjigjet ngacmimeve dhe urdhrave të ardhura nga shejtani dhe egoja urdhëruese, duke u bërë njësh me to, madje edhe duke kryer çfarëdolloj prapësie nën urdhrat e tyre. Edhe prishja e një çerdheje, ndarja e fëmijëve nga prehri familjar, është një prapësi e tillë, e cila kurorëzohet me një rrënim sa material aq edhe shpirtëror.

Rrezja e dëmit

Ashtu siç theksohet edhe në pyetjen e bërë, I Dërguari i Allahut paqja qoftë mbi Të pohon se shejtani nuk kënaqet me asgjë tjetër, aq sa kënaqet nga prishja e një çerdheje familjare. Tekstualisht, hadithi në fjalë është kështu: Iblisi e ka të ngritur mbi ujë fronin e tij (nga kjo shprehje ne mësojmë edhe se në cilat vende qëndrojnë djalli bashkë me ithtarët e tij më së tepërmi, nga mundohen më të shumti t’i mashtrojnë njerëzit. Me pak fjalë, cilat janë vendet ku shejtani ngre postblloqet e tij, të cilat janë vise krejtësisht të hapura e të përshtatshme për çdo vepër të keqe e të papëlqyeshme.), ndërsa punët i bën duke dërguar kasnecët e vet sa majtas djathtas (Disa prej këtyre kasnecëve e dërgojnë atë të hajë prej kamatës, një tjetër fillon të sundojë në syrin e tij, duke e detyruar të shohë nga gjërat e ndaluara, kësodore ia nxit njeriut ndjenjat që të shpien në bohemi, për ta bërë atë një rendës pas ndjenjave epshore; një tjetër e detyron të gënjejë, të përflasë të tjerët kur ata nuk janë të pranishëm, apo edhe të shpifë për çështje të ndryshme.) Në nivel, me të janë më afër ata që fusin spica për grindjen më të madhe. Të gjithë mblidhen përreth Iblisit, dhe fillojnë të rrëfejnë ato që kanë bërë: “Unë bëra këtë, atë...”, ndërsa Iblisi i përgjigjet: “Gjë të madhe paske bërë!” (Në fakt, djalli i pëlqen të gjitha llojet e gjynaheve. Sepse tek çdo gjynah fshihet një shteg që të shpie kah kufri, mohimi. Çdo gjynah i kryer lë një njollë si pikë të zezë në zemrën e njeriut. Njëkohësisht, dikush që kryen një mëkat, largohet edhe një hap më shumë prej Allahut, vetëm se shejtani pret më tepër prej ushtarëve të vet.) Pastaj vjen një tjetër dhe thotë: “Nuk iu shqita filanit, derisa e ndava më në fund nga e shoqja.” Iblisi kënaqet aq shumë prej këtyre fjalëve, sa e thërret menjëherë pranë, për t’i thënë: “Sa fantastik je!”, e një lumë me komplimente të tjera. [61] (Ja tek e kemi këtu një shenjë për një çështje që përbën një prej sëmundjeve dhe fatkeqësive më të mëdha shoqërore.)

Domethënë, aq e rëndësishme është për shejtanin shkatërrimi i një familjeje, saqë vetë djalli i derdh komplimente ushtarit të tij që nxit diçka të këtillë, të cilat nuk ia derdh një tjetri që mund të ketë nxitur diç tjetër të ndaluar. Madje, edhe e shpërblen me ndonjë medalje. Mirëpo, pse qenka kaq e rëndësishme për shejtanin kjo çështje? Sepse, ai duke shkatërruar një familje, nuk rrënon vetëm jetën e dy njerëzve që përbëjnë një çift, por edhe të fëmijëve, prindërve dhe të afërmve të tyre, kësodore deri në një prizëm që mund të përfshijë gjithë shoqërinë. Sepse kur shpërndahet familja, e cila është si një molekulë e shoqërisë, edhe në shoqërinë si tërësi fillojnë të shfaqen plasaritje, e kështu shoqëria fillon të pësojë deformime të njëpasnjëshme. Mandej, çifti i ndarë fillon të përbëjë shembull të keq për të tjerët përreth, duke u shpërndarë si virus edhe në familjet e të tjerëve. Në dukje, shejtani ngjan sikur kryen vetëm një mashtrimth të vogël, por me të ai ia arrin që të rrënojë shumë themele njëkohësisht.

Andaj, nuk duhet harruar asnjëherë se shejtani nuk ka për të pushuar kurrë së nxituri burrin dhe gruan kundër njëri-tjetrit, që medoemos të ndahen, për ta kthyer familjen, e cila është projektuar për të qenë një kopsht prej parajse, në një gropë të errët prej ferrit. Veçanërisht, për të dalë i suksesshëm në këtë synim të tijin, ai do të përdorë vazhdimisht njerëzit e djallëzuar, të cilat ka kohë që i vërtit në majë të gishtave, si t’i dojë qejfi. Pa dyshim, që ata që dalin më të humburit nga futja në një rrjet të tillë grindjesh dhe mosmarrëveshjesh, do të jenë fëmijët. Sepse është e pamundur që një fëmijë të rritet i shëndetshëm shpirtërisht i rrethuar nga të katër anët nga zënkat, përçarja, sherri dhe shpifjet. Po, në një çerdhe kur babai zihet pa reshtur me nënën, fëmija do të përjetojë përherë një gjendje të dyzuar, e çdo fjalë e pahijshme e dalë prej gojës së prindërve do të lërë ndikim e vet në ndërgjegjen e fëmijës, derisa ai të mos durojë dot, e të thotë me vete: “Ç’paskan qenë ky babai dhe nëna ime?!” Kësisoj ata do të jetojnë zhgënjim pas zhgënjimi, derisa ta humbin krejt besimin e tyre te prindërit. Tani, mendoni pak, pse të mos marrë lodrën e të gëzojë shejtani përballë një panorame të tillë?

Divorci duhet të jetë alternativa e fundit

I Dërguari i Allahut paqja qoftë mbi Të shprehet: “Hallalli më i shëmtuar pranë Allahut është divorci.” [62] , duke treguar se sa e shëmtuar është për Krijuesin ndarja e një çifti. Prandaj, ata që kanë paksa lidhje me këtë hadith, do të ishte mirë nëse mirëinformoheshin fillimisht. Nëse do të më lihej mua në dorë, të gjithë atyre që kanë planifikuar të martohen, nuk do t’ua lejoja që ta bënin diçka të këtillë pa i dhënë më parë disa seminare, apo pa i dhënë disa libra të domosdoshëm për t’i lexuar. Të paktën do t’i fusja ata në një program edukimi një ose dy-mujor, ku do t’u shpjegoja “rëndësinë e martesës, të drejtat dhe detyrat, si të burrit, ashtu edhe të gruas, lidhjet e tyre, por edhe disa kritere mbi rritjen e fëmijëve.” Mirëinformimi i tyre në këtë aspekt është i domosdoshëm. Sepse një njeri që nuk ia ka dijeninë përgjegjësisë së të qenit burri i një familjeje, apo dikush që nuk e di rëndësinë e të qenit zonjë e një shtëpie, nuk mund të mendohet se do të mund të ngrenë në këmbë një familje të shëndoshë.

Nga ana tjetër, për të mos hyrë në një rrugë që të shpie te divorci, është e rëndësishme që të përcaktohen më së miri parimet e një martese të denjë. Martesa nuk i ka shumë qejf veprimet e nxituara që burojnë prej ndjenjave. Andaj, krahas ndjenjave, që edhe ato janë tejet të rëndësishme, është e nevojshme që edhe arsyeja të përdoret deri në detajin më të imët. Po, është e pamundur, që martesat e ngritura mbi një shikim të parë të pamjes së jashtme të jenë jetëgjata dhe me një atmosferë shpirtërore të rehatshme. Sepse jeta martesore ka për t’u zhdukur bashkë me to. Andaj, megjithëse ndjenjat janë të rëndësishme, e duhen marrë parasysh, arsyeja dhe logjika nuk duhen braktisur në asnjë mënyrë, madje duhen përllogaritur imtësi për imtësi, përpara se të kryhet lidhja përfundimtare. Madje, një person që mendon të martohet, nuk duhet të mjaftohet vetëm me mendimet dhe bindjet e veta. Ai duhet ta diskutojë këtë çështje me njerëzit përreth me më shumë përvojë, e të përfitojë sa më shumë edhe prej mendimeve të tyre. Madje, do thënë se edhe tradita jonë kombëtare e fejesës është një zakon i mirë, sepse kësisoj do të ishte më e mundur, që nga ky bashkëqëndrim të kuptohet më mirë nëse dy pretendentët për t’u martuar janë ose jo të përshtatshëm për ta kryer diçka të këtillë.

Veç kësaj, ata duhet të përkushtohen me tërë fuqitë e tyre për t’i mbrojtur parimet e fesë për ruajtjen e rregullit në martesë, duke treguar një kujdes të veçantë në ato që quhen të fshehtat dhe sekretet e një familjeje. Për aq kohë që kjo të kryhet denjësisht, shejtani bashkë me ushtarët e tij, do ta kenë të pamundur që të depërtojnë në mes të çerdhes familjare për ta gërryer atë dalëngadalë nga brenda. Andaj, përveç masave parandaluese, qofshin ato materiale ose shpirtërore, është e një rëndësie të veçantë që kështjella familjare të mbrohet edhe nga një parzmore lutjesh të vazhdueshme për një mbarëvajtje familjare.

Mirëpo, megjithëse merren vazhdimisht masa parandaluese, dhe mendjes dhe arsyes nuk i lihet asgjë mangët, në mes të një çifti mund të mos arrihet dot një marrëdhënie e mirë, duke dalë vazhdimisht grindje nga më të shumtat. Shejtani, bashkë me ithtarët e vet e përdor më së miri këtë situatë për t’i vënë dinamitin asaj çerdheje. Dhe në fund të të gjitha këtyre, martesa ngjan sikur nuk mund të qëndrojë në këmbë, nëse shihet në dritën e kushteve të jashtme. Ja, në një situatë e tillë, kur asnjërës palë nuk i ka ngelur besim për tjetrën, ku është e pamundur që të arrihet një atmosferë mirëkuptimi e ndërsjellë, ndoshta edhe mund të mendohet për divorcin si një zgjidhje e mundshme. Kurani Fisnik i ka ndarë kësaj çështjeje një sasi të konsiderueshme faqesh, se si mund të dilet dhe cilat janë rrugëzgjidhjet e çdo lloj situate të krijuar në kësi rastesh. Madje njëra prej sureve, ka marrë emrin si Sureja Talak. Krenaria e Njerëzimit paqja qoftë mbi Të, nëpërmjet haditheve të Tij, vetëm sa i ka bërë më të kuptueshme ajetet, duke i plotësuar me interpretim. Mandej, kanë qenë sahabët dhe dijetarët e shumtë të ditur, që kanë lodhur kokën mbi këtë çështje, derisa kanë arritur në mendime dhe rrugëzgjidhje nga më të bukurat. Nëse u qëndroka kaq shumë mbi një çështje si divorci, do të thotë se ajo nuk është një çështje dosido, e që ka pika të sajat, të cilat duhet të jenë përherë përpara syve për t’u analizuar. Andaj, pasi të jetë bërë çdo orvatje e mundshme për ta shpëtuar një martesë, pasi është provuar çdo alternativë, e prapëseprapë nuk shihet asnjë shenjë pozitive, mund të mendohet mundësia e divorcit, brenda kornizës së ligjit dhe të së drejtës, larg egoizmit dhe ndjenjave të verbra, por nën dritën e mendjes, arsyes dhe gjykimit të drejtë të ndërgjegjes.

[55] Nahl, 16/63.

[56] A'raf, 7/20.

[57] Lukman, 31/33.

[58] Shih: Nas, 114/4.

[59] Shih: Bediuzaman Said Nursi, Shkrepëtimat, fq. 103 (Shkreptima e Trembëdhjetë).

[60] Shih: Jusuf, 12/53.

[61] Muslim, munafikun, 67; Ahmed bin Hanbel, el-Musned, 3/314.

[62] Ebu Daud, talak, 3; Ibni Maxhe, talak, 1; el-Bejheki, es-Sunenu'l-kubra, 7/322.

Pin It
  • Publikuar më .
© 2024 Faqja e internetit të Fethullah Gylenit . Të gjitha të drejtat të rezervuara, Faqja zyrtare në gjuhen shqipe e mendimtarit Fethullah Gylen.
fgulen.com, është faqja zyrtare e mendimtarit Fethullah Gylen.